Policia e Shtetit publikoi fotot e 12 prej personave të proceduar për incidentet në protestën e opozitës te Parlamenti, duke thyer një praktikë disavjeçare të vendosur nga vetë ajo.
Fotot dhe emrat e plotë të protestuesve janë bërë publikë në disa media ndonëse personat nuk kanë marrë ende asnjë dënim të formës së prerë, duke cënuar kështu privatësinë dhe prezumimin e pafajësisë.
Të paktën 12 foto të shpërndara nga policia në media paraqesin qytetarët e shoqëruar në komisariatet e Tiranës.
Ky veprim i policisë vjen pas një periudhe disavjeçare të vendosjes të një standardi të ri që shmangte ekspozimin e imazhit të personave për të cilët nuk ka një vendim fajësie nga gjykata.
Vendimi për të mos publikuar fotot ishte marrë pikërisht mbi bazën e kritikave të Komisionerit për të drejtën e Informimit dhe të Dhënave Personave.
Edhe vetë policia e paraqiti këtë praktikë si një standard të ri në respektimin e të drejtave të njeriut.
Analisti dhe gazetari, Mentor Kikia, thotë se ky veprim i policisë është i gabuar dhe precedent negativ.
Kikia: Publikimi i fotografive apo imazheve të personave të shoqëruar nga policia apo të ndaluar është një çështje tashmë e tejkaluar në kohë. Ka të paktën 15 vjet që praktika e deriatëhershme e policisë që i dorëzonte televizioneve filmime të çdo personi që ndalonte, i dyshuar për vepra të ndryshme penale, u konsiderua një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut dhe kjo praktikë nuk ishte parë dhe rikthimi i metodës së dhënies së mediave të fotove të personave të ndaluar mendoj se është i papranueshëm, i patolerueshëm dhe është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut.
Pas protestës së të martës, policia procedoi penalisht 8 persona dhe shpalli në kërkim 12 të tjerë për prishje të qetësisë dhe rendit publik dhe kundërshtim të punonjësit të rendit publik.




