Përfshirja në Greqi në vrasjen e avokatit Mihalesi Zafeiropoulos për llogari të të ashtuquajturës “mafia shqiptare e burgjeve” është pista kryesore e atentatit ndaj Eno Matajt në Vlorë, ku për pasojë mbeti i vdekur shoku i tij Sotiraq Mehilli 22 vjeç.
32-vjeçari i njohur edhe si Aleksandër Mata është akuzuar si bashkëpunëtori i Mikel Brahimajt në vrasjen e avokatit grek në vitin 2017 me porosi të Arbër Bakos, Olti Duçes dhe Klodian Lekoçajt.
Këta të fundit bashkë me dy shtetas grekë akuzohen se kishin ngritur një grup kriminal që kryente vrasje me pagesë që vetëm pak kohë më parë çoi në pranga një avokat tjetër të njohur grek, ndërsa zbuloi përmasat e kësaj veprimtarie.
Dyshimin se porosia për ta vrarë erdhi nga Greqia e ka konfirmuar për policinë vetë Mata, por që në dëshminë e parë ai ka pretenduar se e kanë ngatërruar me anëtarët e një grupi kriminal.
“Në Greqi vetëm kam grabitur ka thënë ai”.
Por në qershor të vitit 2018, Eno Mata në një letër të lënë për policinë greke pas një grabitje pranonte përfshirjen në vrasjen e avokatit, por theksonte se ata ishin që të dy viktima.
“Nëse do ta dija si do të shkonin punët, nuk do të bëhej kështu siç u bë. Po, unë vjedh, por nuk jam vrasës,”thuhej në shënim.
Që pas vrasjes së avokatit dhe një paralajmërimi të Mikel Brahimajt se nën mbrojtjen e policisë greke do të tregonte emrat e porositësve, në radhët e grupit shqiptar ka pasur disa viktima. Dyshimet e autoriteteve janë se ata eleminuan njëri-tjetrin.




