Një konflikt banal pas mesnate brenda një lokali në Manëz të Durrësit u përshakallëzua në përdorimin e armës, duke prodhuar dy viktima.
Ngjarja u shënua rreth orës 01:45 pranë një karburanti në afërsi të qendrës së Manzës. Njëri prej viktimave së bashku me një person tjetër shkuan në një lokal dhe i kërkuan kamarierit t’u shërbente kafe. Kamarieri i ka njoftuar se nuk shërbenin kafe në atë orë, pasi ekspresi ishte i fikur.
Në këtë moment, njëri prej viktimave, identifikuar si Flori Paluçi ka nisur të debatojë me kamarierin. Në mbrojtje të kamarierit ka ndërhyrë viktima tjetër, Aranit Kurti, 23 vjeç. Pas ndërhyrjes së tij, Flori Paluçi ka nxjerrë armën e zjarrit dhe dyshohet se e ka qëlluar duke e lënë të plagosur rëndë. Në këtë moment, 21-vjeçari, Daniel Pepa, i shpallur në kërkim, dyshohet se është kundërpërgjigjur duke nxjerrë edhe ai armën dhe duke qëlluar dhe lënë të plagosur 33-vjeçarin Flori Paluçi. Të dy viktimat kanë ndërruar jetë gjatë transportimit për në spital.
Policia e Durrësit pasi ka parë kamerat e sigurisë ka identifikuar autorin e dyshuar Daniel Pepa, i cili është shpallur në kërkim. Kamarieri i lokalit nuk ka marrë lëndime nga shkëmbimi i zjarrit, teksa policia ka shoqëruar disa persona në komisariat për t’i marrë në pyetje. Forcat e rendit po zhvillojnë kontrolle intensive në të gjithë zonën për kapjen e autorit të dyshuar, ndërsa po hetohen edhe pistat e një konflikti të mëhershëm mes të rinjve, nisur nga fakti që të gjithë të përfshirët në këtë sherr janë nga Manza.



