Ndërsa Komisioni Europian ka dhënë një rekomandim pa kushte që Shqipërisë t’i hapen negociatat me BE-në, i madh ishte interesimi i mediave në konferencën e përbashkët të kryeministrit Edi Rama me ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca, i cili i dorëzoi zyrtaruisht raportin Ramës.
Fokusi i vëmendjes të mediave ishte kriza politike, të cilën kryeministri është shprehur se shpreson ta zgjidhë përmes dialogut.
E në këtë linjë ai premtoi se do t’i dërgonte një letër të 7-të kryeopozitarit Lulzim Basha, duke thënë se nuk do të lodhej në këtë drejtim. Megjithatë, i pari i qeverisë la të kuptohet se edhe kjo tentativë e shtatë e tij nuk do të ndryshonte datën e zgjedhjeve, të përcaktuara për në 30 qershor tashmë.
“Për sa i përket letrave nuk ka 6 pa 7, mund të ketë edhe një të 7-të. Sa për ftesat për t’i hapur rrugë dialogut me opozitën unë jam përpjekur të bëj më të mirën. Ajo që është pak por e sigurt është se më 1 qershor, PS do të fillojë fushatën për zgjedhjet vendore të datës 30 por për një betejë ku jo thjesht do zgjidhet një kryetar bashkie, por do vendoset për gjeneratën tjetër të vendit”,- tha Rama.




