Sot është zhvilluar mbledhja e Kryesisë së PS, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Rama si dhe Belinda Balluku. Mbledhja ka zgjatur vetëm 30 minuta. Rama u largua duke diskutuar me kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Becin.
Në mbledhje është diskutuar për komunikimin me strukturat e partisë. Rama ka kërkuar që të nisë puna në terren me takimet me qytetarët. Edhe më herët ishte bërë e ditur se kjo mbledhje do të kishte karakter organizativ.
Pritet gjithashtu që këtë vit të ketë zgjedhje brenda strukturave të Partisë Socialiste. Rama ka lajmëruar që pritet të nisë një dialog me anëtarët dhe simpatizantët e PS.
Lidhur me Asamblenë e PS, ku në këtë mbledhje pritej të caktohej data, kjo nuk është kryer ende.
Disa prej anëtarëve kanë ngritur si shqetësim edhe pasojat ekonomike me të cilat mund të përballet vendi për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.
Kjo mbledhje vjen pas mbledhjes së zgjeruar të Grupit të PS të mbajtur pak ditë më parë dhe pas ndryshimeve të forta në qeveri.
Me ndryshimet e fundit, kryeministri shkarkoi Belinda Ballukun nga pozicioni i zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës e Energjitikës.
Balluku është nën hetim për korrupsion dhe SPAK ka kërkuar arrestimin e saj, ndërkohë që Këshilli i Mandateve ende nuk ka marrë një vendim për imunitetin e saj.
Opozita ka kërkuar vazhdimisht heqjen e imunitetit të Ballukut dhe të hënën dorëzoi edhe raportin në Kuvend të anëtarëve të Këshillit të Mandateve, në mënyrë që ish-zv/kryeministrja të përballet si qytetare e thjeshtë me drejtësinë.




