Rigerta Loku, fermerja nga Mirdita, ka vendosur t’i bashkohet “Nismës Thurje”, për zgjedhjet Parlamentare të 25-së prillit.
Në një intervistë për Euronews Albania, Rigerta u shpreh se; vendosi të angazhohej me Nismën për “të qenë një zë i lirë”, drejt “ndryshimit të situatës politike”. Ajo hodhi poshtë pretendimet, se ka pasur kërkesa për angazhim nga partitë e mëdha.
“Zgjodha Nismën, pasi ajo m’u duk parti e re me gjak dhe njerëz të ri, që kanë vërtetë dëshirën për ta ndryshuar këtë vend. Mendoj dhe jam e bindur se për derisa ndryshimi nuk ka ardhur nga të njëjtët njerëz, nuk do të vijë nga të njëjtët njerëz, politika shqiptare ka nevojë për të rinj, që e duan realisht këtë vend“,– u shpreh Rigerta Loku.
Në vitin 2013-të, Rigerta qe përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë të partisë së Bamir Topit, Fryma e Re Demokratike dhe për këtë gazetari Eno Muja, e pyeti se përse pas kësaj periudhe ajo vendosi t’i rikthehej politikës.
“Kam qenë shumë e re dhe ka qenë një lëvizje, që duhej bërë për të parë se si funksionojnë mekanizmat politikë, sot disa vite më pas shoh se Nisma Thurje, është krejt ndryshe, nuk është e Rudina Hajdarit, por e shumë intelektualëve, njerëzve që e duan Shqipërinë,”,– u shpreh Rigerta Loku, duke pretenduar se partia e re, është kolegjiale dhe jo e vetëm një politikani, por e gjithë njerëzve që e duan të vërtetën dhe lirinë.
E pyetur se çfarë do të bëjë ndryshe nga politikanët aktualë, Loku tha se; do të angazhohet për të përfshirë në vendimmarrje të gjithë qytetarët, për një mirëmenaxhim të resurseve natyrore.




