Gjykata e Tiranës ka lënë në burg çiftin Gerald Mali dhe Evisa Mema, të cilët akuzohen se kanë shfrytëzuar për qëllime prostitucioni një vajzë të mitur 17-vjeçe.
Dy të arrestuarit pretenduan në gjykatë se nuk kanë kryer vepër penale, dhe se vajzën e strehonin dhe e ushqenin pasi e ëma përzinte nga shtëpia.
Nga ana tjetër provat e paraqitura nga prokuroria e bindën gjykatën për ta lënë në masën arrest me burg.
17-vjeçarja ka treguar para hetuesve se Evisa Memën e kishte njohur rreth një vit më parë, dhe nëpërmjet saj kishte njohur edhe Geraldin.
Çifti i bashkëjetuesve e kishin dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht dhe e kishin kërcënuar me jetën e nënës, dhe të vëllait 5 vjeçar, në rast se ajo nuk ushtronte prostitucion.
Vajza ka treguar se është shfrytëzuar për prostitucion në dy hotele të kryeqytetit.
Sipas saj ajo dërgohej në një dhomë hoteli dhe me pas Geraldi dhe Evisa i sillnin klientët.
Gjithashtu vajzës i është dhënë për të konsumuar edhe lëndë narkotike.
Sipas dokumenteve, në datën 22 gusht të këtij viti, nëna e vajzës ka përdorur një shokun e vet për të marrë në telefon 17-vjeçaren, gjoja do të kryente marrëdhënie seksuale por që në fakt donte që të mashtronte dy shfrytëzuesit që vajza të largohej nga hoteli.
Grupi hetimor ka kontrolluar të dy hotelet për të mbledhur provat dhe ka marrë deklarimet e recepsionistit të hotelit që ndodhej në rrugën “Niko Avrami” në kryeqytet dhe administratorit të hotelit tjetër që ndodhej në zonën e Freskut.
Të dy këta persona kanë konfirmuar se 17-vjeçarja ka fjetur në këto hotele dhe gjithmonë ka qenë e shoqëruar me një çift.
Sipas tyre ata zinin dy dhoma dhe më pas vinin njerëz të tjerë të cilët deklaronin se kishin ardhur për të takuar djalin.




