Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka falënderuar kryeministrin Edi Rama për mbështetjen për energjinë elektrike. Ai tha se ministrja e Ekonomisë ka kërkuar ndihmë nga Shqipëria për dy ditë dhe se do ja kthejë Shqipërisë këtë ndihmë në verë.
“Ne e falenderojmë kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Z. Edi Rama, për mbështetjen. Ministrja jonë e Ekonomisë, zonja Artane Rizvanolli e ka bërë një kërkesë të tillë ndaj Republikës së Shqipërisë, për shkak se ne jemi komplementare, ne kemi termocentrale, ata kanë hidrocentrale; ne kemi qymyr, ata kanë ujë.
Dhe bëhet fjalë për dy ditë – ndonëse janë dy ditë, janë të rëndësishme sepse janë të ndërrimit të motmoteve – dhe më pastaj edhe ne do të kemi mundësi t’u ndihmojmë në rast nevoje në verën e vitit ë ardhshëm”, tha kryeministri.




