Erion Veliaj është kapur mat nga Gjykata Administrative e Apelit. Është kapur mat sepse me një vendim të drejtësisë, që nuk është SPAK-u, as GJKKO, është provuar se ai ka shkelur ligjin, ka shpërdoruar detyrën.
Ka firmosur dhe vendosur të bëjë një rrugë duke e shpikur në Planin e Detajuar Vendor, ndërkohë që kishte një plan rregullues të kryeqytetit dhe për të bërë këtë rrugë ishin të tjera institucione që duhet të vendosnin (kompetencë e KKT).
Nuk ka në thelb diçka të gabuar kur do të ndërtosh një rrugë, por kur kjo rrugë bëhet në shpërdorimin e detyrës, lind pyetja: Për çfarë e ka bërë këtë shkelje? Përse e ka firmosur këtë dokument në kundërshtim me ligjin dhe pse Gjykata ia rrëzoi?
Është e thjeshtë. Për Erion Veliajn ka një vendim të Gjykatës Administrative të Apelit, por po t’i hysh në thelb atij vendimi dhe të shohësh hartën, pikërisht këtë që ne po publikojmë më poshtë, tregon vendndodhjen.
Në pamje të parë thua se është një rrugë për zhvillimin e zonës dhe me të drejtë kryetari i bashkisë duhet të hapë shumë rrugë të tilla ku ai mendon se banorët e kërkojnë dhe i duhet zhvillimit të qytetit.
Në fakt, banorët e kanë kundërshtuar. Janë pikërisht ata që e kanë çuar në gjykatë, nëpërmjet dy shoqatave kanë bërë padinë në Gjykatën Administrative të Apelit.
Pra, nuk ka një rrugë të kërkuar nga banorët. Pse duhet të bënte një PDV dhe të krijonte një debat? Ku ishte interesi publik?
Pse do të krijonte një konflikt, qoftë me banorët të cilët nuk e kërkonin, për dëmin që u bëhej me pronat, pasi ato mund të shpronësoheshin, pasojat që u vinin banorëve?
Çfarë zhvillimi i jepej qytetit që kryetari duhet të shkonte dhe të shkelte ligjin?
Në fakt, me shkeljen e ligjit, jemi edhe në një konflikt interesi dhe përtej tij, sepse Erion Veliaj, sipas hartës që ne tregojmë, ka kërkuar për të ndërtuar një rrugë që të rriste vlerën e një prone e cila i përkiste familjes të Veliajt.
Pra, qëllimi nuk ishte zhvillimi i zonës, por t’i rriste vlerën një prone të caktuar.
Kjo është një pyetje krejt normale.
Pas fshihet Ajola dhe çdo gjë ndodhet në dosjen e SPAK-ut, edhe pse ende sot ne nuk dimë a ka filluar SPAK-u një hetim në lidhje me këtë vendim të Gjykatës Administrative sepse në dosjen e SPAK-ut ne kemi disa prova që lidhen direkt me këtë vendim që na tregojnë se kjo rrugë e firmosur në shpërdorim të detyrës nga Veliaj, është kryer për të zhvilluar një pronë ku shfaqet Ajola Xoxa.
Kur SPAK-u çoi vendimet e para në Gjykatën e Faktit dhe provat e mbledhura, ndër personat e pyetur binte në sy një individ, një kushëri i Ajolës, Valmir Xoxa, i cili ishte punonjës me një rrogë 500 mijë lekë të vjetër në një institucion publik, por që kishte blerë nga Ajola një truall 140 mijë euro.
Rruga që Erion Veliaj ka firmosur në kundërshtim me ligjin dhe që është rrëzuar nga gjykata të çon pikërisht te kjo pronë.
Sipas dokumenteve të SPAK-ut personi që ka blerë 140 mijë euro këtë pronë në deklarimet e dhëna para hetuesve ka thënë se 140 mijë eurot i kishte të mbledhura nga puna.
Si mund të krijosh nga puna me rrogë minimale, 140 mijë euro dhe sa taksa ka paguar, kjo është një pyetje tjetër.
Dhe, këto para, sipas tij, sipas vetë dëshmive të dhëna në SPAK, i merrte nëpër këllëfë jastëkësh dhe i sillte vërdallë nëpër Tiranë gjatë kohës së tërmetit tragjik të vitit 2019.
Këtë pronë e kishte pasur Ajola. Ajola ia shet kushëririt të saj 140 mijë euro, para të cilat i mbante në jastëkë dhe në këtë pronë çohet një rrugë nga Erion Veliaj, dhe aty do ndërtohej në pallat.
Më shumë sesa kaq, ka edhe të dhëna të tjera.
Personi në fjalë është ai që një makinë prej rreth 7 milionë lekësh e bleu 23 mijë euro dhe pas gjashtë muajsh e shiti me gjysmë të çmimit.
A është një pastrim parash apo një fshehje pasurie nga ana e Ajolës apo mosdeklarim nga vetë Valmir Xoxa?
Por ta lëmë këtë pjesën e makinës se këto janë shuma të vogla, qëndrojmë te prona. Ajola shet një pronë 140 mijë euro kur burrin e ka kryetar bashkie dhe ai po i jep një rrugë për t’i rritur vlerën asaj.
Dhe, qershia mbi tortë, ky person, i cili i ka blerë Ajolës për 140 mijë euro, për një copë bukë, një pronë në një nga zonat më të lakmuara të qytetit, me para që nuk u dihet burimi, shkon dhe merr kredi e blen apartament pikërisht në pallatin që do të ndërtohej në këtë pronë, e cila ishte e Ajolës dhe pronari i truallit nuk merr përqindjen nga ndërtimi, por merr kredi për të blerë apartament.
Dhe, pikërisht në këtë pronë ku do të ndërtohej pallati që ishte blerë për 140 mijë euro, personi që ka marrë një kredi për të blerë apartament, po ndërtohej një rrugë, e cila nxiti një konflikt.
Një konflikt me banorët e zonës, me pronarët që shkuan në Gjykatën Administrative të Apelit dhe mori vendimin që mund ta lexoni këtu dhe dokumentet që ne po i vendosim më poshtë.
Pra, Erion Veliaj nuk është thjesht dhe vetëm në shkelje të detyrës se ka firmosur një rrugë për të zhvilluar një zonë të caktuar në qytet, jo.
Ka firmosur me vetëdije një rrugë që të çonte te prona e Ajola Xoxës, e cila më pas ia kishte shitur kushëririt të saj për një copë bukë me paratë që ky i fundit i sillte vërdallë nëpër Tiranë në këllëfët e jastëkëve dhe më pas shkon e merr një kredi për të blerë një shtëpi po në atë zonë.
Te pronat, të cilat bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, i përdori për të marrë 140 mijë euro apo për t’ia ngritur vlerën e objektit që po ndërtohej me rrugën që do të çonte bashkëshorti i saj, kryetari i Bashkisë së Tiranës.
CNA ka mundur të sigurojë vendimin e 27 marsit të Gjykatës Administrative të Apelit, i zbardhur pak ditë më parë në investigimin tonë të lidhur me provat që ka SPAK-u në dosje të cilat prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado ende nuk kanë bërë një njoftim publik se a do të ketë një akuzë të re në lidhje me këtë shpërdorim detyre të faktuar nga Gjykata Administrative e Apelit që lidhet tërësisht me fakte dhe prova që gjenden në dosjen që ka investiguar SPAK-u, i cili ka dhënë 13 akuza ndaj Erion Veliajt deri më tani.
Ndërsa në vendimin e Gjykatës Administrative kemi një akuzë të re të dhënë nga një gjykatë dhe me prova, të cilat ndodhen në dosjen hetimore të SPAK-ut, që ende nuk ka çuar në gjykim dosjen e Erion Veliajt, por është duke e hetuar.
Në fakt, në vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit dhe provat që ndodhen në dosjen hetimore për Erion Veliajn dhe Ajola Xoxën në bashkëpunim tani gjithçka është më e qartë.
Mund të ketë një procedim të ri penal brenda apo jashtë asaj dosjeje që provohet nga vendimet e Gjyqësorit nga fakte dhe prova të siguruara gjatë hetimit për Erion Veliajn.
Erion Veliaj, tashmë është për një akuzë të re, ku tregohet se ka firmosur një rrugë për ta çuar në pronat e bashkëshortes së tij, ka shkelur ligjin, është në konflikt interesi, ka shpërdoruar detyrën dhe gjithçka është e provuar me vendim gjykate./ CNA




