Skënder Hita u betua këtë të martë si drejtor i Policisë së Shtetit për një mandat 5-vjeçar, pas emërimit me vendim të qeverisë ditën e djeshme. Në fjalën e parë të mbajtur, Skënder Hita bëri me dije prioritetet për Policinë e Shtetit, duke vijuar nga rritja e sigurisë për qytetarët, tek lufta kundër korrupsionit nisur që nga radhët e bluve.
“Në respekt të veprës të brendshme të policisë, në shenjë nderimi dhe detyrimi, në emër të punonjësve të Policisë së Shtetit, betohem për të mbajtur me nder flamurin e Policisë së Shtetit. Pas një rrugëtimi 25 vite me dëshirën për t’u shërbyer pa kompromis qytetarëve, kam nderin të marr përgjegjësinë për këtë detyrë. Nuk e shoh si arritje personale, por si përgjegjësi të madhe. Falënderoj kryeministrin dhe qeverinë për besimin e dhënë. I jap mirënjohje çdo efektivi që shërben çdo ditë me përkushtim. Nderim për dëshmorët e policisë dhe respekt për veteranët. Policia nuk është vetëm institucion që ofron shërbim, por vendi ku qytetari gjen mbështetjen. Luftë pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke filluar nga radhët tona; rritja e sigurisë në shkolla dhe çdo komunitet; forcimi i rendit dhe sigurisë; modernizimi i policisë përmes teknologjisë dhe trajnimeve sipas standardeve evropiane; rritja e transparencës dhe përgjegjshmërisë; mbështetje dhe motivim për çdo punonjës; forcim i bashkëpunimit me partnerët.
Të dashur punonjës, ju jeni shtylla e këtij institucioni. Nga ju kërkoj përkushtim, ndershmëri dhe respekt të palëkundur për ligjin dhe qytetarët. Do të jem mbështetësi juaj në rrugën e drejtë, por edhe kërkues i lartë i standardeve dhe përgjegjësisë, sepse po përgatitemi për Policinë e Shtetit të një vendi evropian. Le të punojmë për një polici që nuk imponon autoritetin, por e fiton çdo ditë përmes shërbimit dhe drejtësisë”, tha Hita.




