Ka nisur grumbullimi i protestuesve të parë në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet, ku këtë të shtunë zhvillohet protesta kombëtare e thirrur kundër qeverisë. Ata shihen me flamuj dhe pankarta në duar.
Qytetarë të shumtë kanë filluar të mblidhen në qendër të Tiranës rreth orës 10:00 në prag të nisjes zyrtare të tubimit, ndërsa protestës pritet t’i bashkohen edhe qytetarë nga rrethet e vendit, si dhe shqiptarë të ardhur posaçërisht nga diaspora.
Për mbarëvajtjen e tubimit janë marrë masat e nevojshme nga strukturat e rendit, ndërsa pritet që pjesëmarrja të vijojë të rritet në orët në vijim. Kjo protestë ka përkuar edhe me 114-vjetorin e Pavarësisë dhe festën e Flamurit.

