Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion (SPAK) ka lëshuar këtë të shtunë, 7 mars, shtatë urdhër-arreste për krime të rënda, duke goditur një nga grupet kryesore kriminale në Vlorë.
Strukturat e policisë Vlorë, forcat RENEA dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) kanë zbarkuar që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm te “Uji i Ftohtë”. U ushtruan kontrolle në banesat e personave të dyshuar për precedentë kriminalë.
Operacioni i befasishëm u monitorua edhe me dronë nga ajri.
Mësohet se është zbardhur (përmes komunikimeve në Sky ECC) vrasja e Gentian Qarrit, ngjarje e ndodhur më 6 shkurt 2021.
Rreth orës 18:16 të asaj dite, që për ironi ishte po e shtunë, në lagjen “29 Nëntori”, në afërsi të Bibliotekës të qytetit, 40 vjeçarit iu bë atentat nga një automjet në lëvizje.
Qarri, me nofkën ”Gëçja”, fillimisht mbeti i plagosur, por si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë në spital. Në vendngjarje u gjetën të paktën 11 gëzhoja, ndërsa viktima mori plumba në kraharor e këmbë.
Pak kohë pas ngjarjes, autoritetet gjetën të djegur një makinë Toyota me targa greke në Pyllin e Sodës, e cila dyshohej se u përkiste autorëve të ngjarjes. Në automjet, u gjet edhe një kallashnikov.
Qarri ka qenë i dënuar me 15 vjet burg në Itali për trafik droge dhe ishte rikthyer në atdhe 3 vite para se të ekzekutohej, ndërsa raportohet se ka punuar në fushën e montimit dhe riparimit të kondicionerëve.
Teksa pritet që SPAK të dalë me njoftim zyrtar, mësohet se tre nga personat që dyshohet se kanë lidhje me krimin e para 5 viteve, janë personazhe të njohura të botës së krimit, përkatësisht, Flodian Plaku (i njohur me nofkën “Pole Qorri”), Ervis Matodoshaj dhe Inez Hajrulla.
Plaku njihet si “koka’ e bandës së trafikut të drogës nga Vlora drejt Italisë. Ai u vu në pranga në Orikum më 3 gusht të vitit të shkuar, i akuzuar si një nga tre atentatorët e Gentjan Bejtjes. Ky i fundit u vra në mars të 2024-ës në Larushk të Fushë-Krujës.
Ndërkohë, Hajrulla, ose “i forti i Vlorës” është një emër i cilësuar si kontigjent kriminal për Policinë, i cili i ka shpëtuar dy atentateve, fillimisht në vitin 2017 dhe më pas në 2019-ën. Ai u vendos në shënjestër për t’u ekzekutuar nga bandat kriminale për shkak të kontrollit të territorit të lojërave të fatit.
Hajrulla dhe Matodoshaj janë ende në kërkim nga blutë, ndërsa dy të tjerë ndodhen aktualisht në qeli.
Nga ana tjetër, një person është arrestuar në Greqi, ndërkohë që dy masa të tjera janë ekzekutuar në Itali, në bashkëpunim me autoritetet atje.
Siç bën me dije gazetarja Daci, në pranga ka përfunduar edhe një ish-efektiv policie, i cili më herët ishte dyshuar për përfshirje në ngjarje të tjera kriminale.




