Në konferencën për shtyp pas takimit me presidentin e Bullgarisë, presidenti Meta i është përgjigjur edhe pyetjeve në lidhje me ministren Gjonaj.
Një gazetar e ka pyetur nëse ka komente për deklaratat e ambasadores amerikane Yuri Kim, pas takimit me ministren e Drejtësisë për vazhdimin e reformës në Drejtësi.
Meta është përgjigjur se ministrja po mundohet të rrëmbejë në mënyrë mafioze Gjykatën Kushtetuese, por ai tha se nuk ndalon askënd që të rreshtohet me grupin falsifikator.
Pyetja e gazetarit: Ju e keni kallëzuar penalisht ministren e Drejtësisë në SPAK për falsifikim. Dje Gjonaj ishte në takim me ambasadore Gjonaj dhe i ka kërkuar që të vazhdojë në kursin e saj për reformën në drejtësi. A keni një deklaratë për këto deklarata?
Meta: Gjykata Kushtetuese po mundohet të rrëmbehet në mënyra mafioze nga ministrja e Drejtësisë dhe ekipi i saj, të cilët janë akuzuar nga presidenti për 4 vepra penale. Ajo vazhdon t’i mbajë leksione prokurorisë, kur prokuroria është e pavarur. Unë nuk ndaloj askënd që të rreshtohet me grupin falsifikator, kushdo qoftë, brenda dhe jashtë vendit.
Unë si president, por edhe si kryetar i Kuvendit kam bërë çdo gjë që reforma në drejtësi të respektohet me 140 vota. Se kush e ka minuar këtë reformë, kush ka përkrahur miratimin e ligjeve antikushtetuese, si në rastin e zgjedhjes së kryeprokurorit me 69 vota, kush ka bllokuar KED, duke lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese.
Kjo çështje ka dëmtuar vendin dhe sistemin e drejtësisë. të gjithë po e shohim se kush po e mbështet atë që unë e quaj si grusht shteti. Unë kam qenë në zbatim të Kushtetutës së votuar me 140 vota. Kam bërë detyrën time edhe në raport me qeverinë për kapjen e sistemit të drejtësisë. edhe me opozitën që të mos i përgjegjësive për shkeljet që ka bërë mazhoranca, por të marrin pjesë aktive dhe të japin platformat e saj.




