Turqia pajiset me mbrojtjen ruse

0
22

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, ka konfirmuar arritjen e një marrëveshjeje me Rusinë për pajisjen e vendit me një sistem mbrojtës raketor me origjinë ruse. Një ditë më parë, Uashingtoni paralajmëroi se ky vendim do të kërcënonte sigurinë dhe flotën e saj ajrore, dhe do të nxiste vënien e sanksioneve të reja politike dhe ekonomike.

Turqia ka deklaruar se nuk do e anulojë marrëveshjen me Rusinë për blerjen e sistemit raketor mbrojtës S-400, pavarësisht apelit të Shteteve të Bashkuara. Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, tha në një intervistë televizive se nuk do të ketë kthim pas me gjithë drojën se pakti cënon sigurinë rajonale dhe aleatët e NATO-s.

Erdogan: “Marrëveshja është punë e mbaruar tashmë dhe do të ishte e pamoralshme ta braktisnim. Unë nuk jam një lider i rëndomtë. Nuk jemi skllevër. Kushtet e marrëveshjes me Rusinë janë shumë të volitshme dhe shpresojmë që porosinë e parë ta kemi gati për muajin korrik.”

Deklarata e Kreut të Shtetit turk pason atë të bërë një ditë më parë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, që paralajmëroi se radarët e sistemit mbrojtjës rus përbëjnë një rrezik për interceptimin e avionëve gjuajtës amerikanë, veçanërisht ata të tipit “F-35”. Sikundër herët e tjera, pala amerikane propozoi që Ankaraja të përdorë sistemin e saj raketor “Patriot”, por kjo e fundit e vlerëson më të kushtueshëm. Zyrtarët amerikanë thanë se zotërimi i mbrojtjes ruse mund t’i hiqte Turqisë mundësinë e pajisjes me avionët F-35 që ajo vetë ka porositur, dhe do e përballte me sanksione të ndryshme të natyrës ushtarake, politike dhe ekonomike. Presidenti Erdogan apeloi të mërkurën që të mos zbatohen sanksione të reja tregtare, përndryshe Ankaraja do të përgjigjet me të njëjtën mënyrë. Sipas analistëve të dy vendeve, qëndrimi i ashpër kundrejt Uashingtonit shihet me sy të mirë nga mbështetësit e Erdoganit, dhe ky i fundit nuk pritet të ketë lëkundje të mëdha në qëndrime përpara zgjedhjeve lokale të 31 marsit.

Zjarr Tv Ad