Rigerta Loku, ish-kandidate e “Nisma Thurje”, ka shprehur zhgënjimin e saj për mënyrën se si u minua qasja ndaj të rinjve dhe të rejave në politikë. Ajo thekson se ky është një regres për shoqërinë dhe për idealin që përfaqëson e reja në skenën politike, ndërsa kritikon edhe mënyrën se si u përdorën apo u manipuluan figura të reja për interesa të momentit.
“U minua një qasje kundrejt të resë, të resë në politikë, të rinjve në politikë. Kjo na çon pak mbrapa, na çon në pikën 0. Duhet rindërtuar besimi, sado të jetë e lehtë dhe e arritshme kjo gjë, është për tu parë në vijim.
Kjo është politikë, në fund fare Edi Rama atje ku i del politika, çfarë t’i themi… bravo i qoftë në fund të ditës. Është lojë politike, o njëri krah, o krahu tjetër. Nuk duhet t’i shfrytëzonte, sepse nuk është kjo qasja që unë apo e reja vjen në politikë. Që ka aludime, ka sa të duash. Mund të ketë ndikime, por unë jam larg asaj gjëje. Kam ndjekur idealet e mia, parimet e mia. I kam shkuar pas të resë në politikë duke menduar se është ndryshe nga e vjetra. Nuk hedh poshtë të gjitha ato përpjekje të të rinjve që realisht besojnë që e reja i bën mirë çdo procesi.
Ne nuk duhet të gëzojmë që e reja dështoi apo përkundet. Nuk duhet edhe ta inkurajojmë shpeshherë. Kështu në gjithë këtë proces që u bë, kishte edhe papjekuri politike në nivele të larta. Me një status në FB, nuk mund të sqarosh pozicionin politik apo marrëdhëniet politike. Për mua, kjo ishte si një bombë që më ra si…papritur”-tha Loku në Syri TV.




