Me karvan, ushtri policore, skafandra. Kështu shoqërohej Rama në Shkodër, sipas ish-deputetit të LSI-së, Petrit Vasili. Por sot në Elbasan ai kishte me vete edhe policinë me armatim të rëndë luftarak dhe me kallashnikov, një gjë e ndalur sipas Vasilit.
“Jam sot këtu, tju bëj shumë të qartë, prerë dhe pa asnjë lëshim, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Komandantit të Gardës, atyre që drejtojnë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejt, së fundi, sepse i tillë është, në fund e meriton, Ministrit të Brendshëm, që po monitorojmë çdo sekondë e çdo çast shpërdorimin e qindra milion lekëve që bëhen për të shoqëruar këtë karvan pushtuesish. Qindra milion lekë të qytetarëve paguajnë karvanin që kryeministri i marrë të mund frikërat e tij, që ti jap kurajo vetes së tij për një pushtet që ka marrë fund”,- tha ai.
Vasili sqaroi më tej se çfarë do të thotë që Edi Rama shkon me helikopter?
“Shumë thjesht, një vajtje e Edi Ramës me helikopter kushton 1 milion e 500 mijë lekë. Për qytetarin e thjesht, jo për pasanikun pafund, miliarderin Edi Rama po ja përkthej popullit, çfarë janë 1 milionë e 500 mijë lekë? Janë 2500 bukë, me të cilat familje të varfra e me mijëra familje shqiptare sigurojnë mbijetesën e ditës dhe të fëmijëve të tyre. Pra bukën e 2500 familjeje e shpërdoron me një vajte pushtuesi në një nga qytetet e Shqipërisë. Dhe përditë këto shëtitjet politike të trembura të Edi Ramës kushtojnë mijëra bukë nga goja e qytetarëve, që ky të mundë edhe të vërë përfundi frikën e tmerrshme që e ka pushtuar. I bëj thirrje këtu Kontrollit të Lartë të Shtetit të monitorojë dhe kontrollojë batërdinë e financimeve dhe shpenzimeve pa fund, që shoqërojnë karvanët e pushtuesit lart e poshtë nëpër Shqipëri”.




