Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga vizita e tij në Vatikan, me ftesë zyrtare të Selisë së Shenjtë.
Në pamjet e publikuara, shfaqet Rama duke u lutur në shqip përpara Zojës së Këshillit të Mirë, në bazilikën e Genazzanos.
I shoqëruar nga bashkëshortja Linda dhe djali Zaho, kryeministri bën lutjen e tij, ku në fokus ishte Shqipëria.
“O Mari, Nënë e ëmbël e Këshillit të Mirë, kaq e dashur për bijtë e Shqipërisë në atdhe dhe jashtë atdheut!
Sot po vijmë tek ti, edhe një herë, të ta besojmë popullin tonë, familjet tona, rininë tonë. Ti që je Zojë e Shkodrës dhe e mbarë Shqipërisë, na udhëhiq në rrugën e së mirës, na jep dritë në dyshime dhe ngushëllim në provat e jetës. Nën mbrojtjen tënde kërkojmë strehë, o Virgjër e bekuar.
Mbroje Shqipërinë, ndriço mendjet tona dhe na bëj të jemi gjithmonë besnikë ndaj Birit tënd, Jezusit.
O Zoja e Këshillit të Mirë, lutu për ne”, thuhet në lutjen e Ramës.




