Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në Vlorë, ku një 17-vjeçare ka tentuar të vrasë veten me armë zjarri.
Ajo është transportuar nga familjarë me urgjencë në spital, ku ndodhet në gjendje të rëndë, pasi ka një plumb në kokë, afër syrit.
Mësohet se e reja është nga një fshat i Vlorës dhe ka qenë tek gjyshërit në lagjen ‘Kushtrimi’, ku dhe është vetëplagosur me armë tip pistoletë.
Sipas bluzave të bardha 17-vjeçaraja ka qenë e vetëdijshme kur ka mbërritur në ambientet e spitalit të Vlorës, por në momentin e parë ajo ka humbur ndjenjat dhe ka rënë në koma.
Sipas mjekëve ka dy dëmtime në kokë një në pjesën e syrit afër temthit dhe një në pjesën sipër kokës ku dhe plumbi ka dalë.
Sipas mjekëve 17-vjeçarja është e intubuar, ndërsa qëndrimi i saj ende në jetë është për shkak se gjaku ka dalë jashtë kokës dhe nuk ka hemorragji.
Raportohet se e mitura jetonte me gjyshërit, ndërsa prindërit e saj janë të divorcuar. Mësohet se babai, i cili jeton me bashkëshorten e re në një fshat pranë Vlorës, kishte kërkuar që vajza të transferohej dhe të jetonte me të.
Kjo besohet se ka shkaktuar tension dhe kundërshtim nga ana e të resë, e cila në gjendje të rënduar psikologjike ka marrë një armë zjarri dhe ka tentuar t’i japë fund jetës, duke e qëlluar veten me pistoletë.
Menjëherë pas ngjarjes, 17-vjeçarja është transportuar fillimisht në spitalin rajonal të Vlorës, ndërsa për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, është nisur drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Ndërkohë, Policia ka shoqëruar babain e saj për marrjen e dëshmisë dhe për të hedhur dritë mbi rrethanat që çuan në këtë akt ekstrem.




