Deputeti demokrat Xhelal Mziu i ka bërë thirrje qeverisë që të marrë masa dhe të ndihmojë me qindra familje të qarkut të Dibrës, të cilat kanë mbetur të bllokuara për shkak të reshjeve të dendura të dëborës. Ai thotë se deri më tani nuk ka asnjë reagim apo ndërhyrje nga bashkitë përkatëse, ndërkohë që edhe Rruga e Arbrit është bërë e pakalueshme, duke mos lejuar banorët që të largohen nga fshatrat.
Postimi i Xhelal Mziut:
Me qindra familje të qarkut të Dibrës bllokohen nga dëbora dhe ngelen pa energji elektrike! Reshjet e dëborës kanë qenë prezent në shumicën e teritorit të qarkut Dibër, duke filluar nga njlsitë administrative, Lura, Reçi, Zall Dardha, Kala e Dodës, Sllova, Arrasi, Selishta, Luznia, Muhurri, Melani, Zerqani, Ostreni, Martaneshi, Macukulli, Xibëri, etj.
Kemi rrugë të bllokuara dhe asnjë reagim për ndërhyrje nga Bashkitë përkatëse dhe emergjencat civile! Me qindra familja janë pa energji elektrike për shkak të reshjeve dhe asnjë elektriçist apo punonjës i OSHEE nuk janë në terren. Bëhet e pakalueshme dhe ajo gjysëm pjesë e rrugës së Arbërit e inaguruar vetëm dy javë më parë! Qarku i Dibrës konsiderohet si qarku i njerkës nga qeveria e rilindjes !




