Nga Edmond Kaceli:

Shkruanin disa media këto ditë të fundkorrikut 2021, me përulësi e servilizëm tipik të mediave të shitura lirë, për batutat dhe barcoletat aspak diplomatike, ndërmjet kryeministrit shqiptar dhe kryeministrit serb!
Shkruanin për kollomoqat e pjekura që shkëlqesitë kryministra të Ballkanit, që kanë tru e gjak kollomoqi, shijonin rrugëve të Shkupit! Shkupi, sa për kujtesë, është pjesë Shqipërie e shkyer nga fqinjët e mirë! Ka aq shumë pjesë Shqipërie të shkyer nga fqinjët e mirë grekë, serbë, maqedonas, malazez, sa vetëm një grimë Shqipëri ka mbetur brenda territorit zyrtar! Koha dhe përvoja e jetës më ka mësuar të jem tolerant! Nuk jam as shovinist! Nuk jam as nacionalist ekstremist, edhe pse nga gjaku i trashëguar prej të parëve kam të gjitha të drejtat të jem! Nuk jam shqiptaromadh! – Një term i shpikur për të justifikuar copat e shkyera të Shqipërisë! Por vendi dhe liria që më ka dhënë vendi ku jetoj, Italia, më jep të drejtën ti kujtoj gjithkujt që harron, qoftë edhe kryeministri i Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Greqisë e Serbisë! Sidomos Serbisë! Kam të drejtën ti kujtoj gjithkujt se Kosova është histori gjaku dhe jo histori barcoletash politike me shije të keqe dhe erë të rëndë!
Kosova nuk është barcoletë diplomatike kryministrash aksidentalë, që aksidentalisht sundojnë në vendet e Ballkanit! Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet aty si shtet i pavarur shqiptar, edhe kur kryeministrat aksidentalë ballkanikë, kryeministrat e barcoletave, kryeministrat e kollomoqave të pjekur, nuk do të jenë më në krye të shteteve që pretendojnë që kanë tagrin e përfaqësimit apo sundimit të Kosovës! Kush ka shkuar të paktën një herë në Kosovë, dhe ka prekë realitetin atje, e kupton se me Kosovën nuk mund të luhet! Krejt ashtu siç nuk mund të luhet me gjakun.
Kosova nuk është batutë barcoletash! Kosova është gjak! Është gjak zemret!
Kosova është zemër!
Edmond Kaçeli vlerësohet në vendlindjen e Çezare Paveze-s!
-Shkruan Klaudio Lorenconi, drejtor i Museumit në Qiell të Hapur, Shën Stefani i Belbo-s, Cuneo, Itali

Gjithmonë kam besuar se historia e vërtetë e njerëzve lexohet ndërmjet rrjeshtave të biografisë zyrtare! Gjithherë më kanë tërhequr njerëzit që nuk e marrin jetën tepër seriozisht dhe që arrijnë të shijonë me klas, e vetëironi edhe gjërat më të thjeshta!
Këta njerëz, pres ti paraqes përpara publikut me padurim, dhe me shumë entuziazëm. Njëri prej tyre është edhe Edmond Kaceli, miku -fotograf, i njohur fort në zonën e Langheve, Cuneo, Piemonte, e mbi të gjitha një super mik i Museumit në Qiell të hapur Camo, komuna Santo Stefano Belbo, vendlindja e shkrimtari të madh italian Çezare Paveze! Për pjesmarrjen e vazhdueshme në projektet tona, për pasionin që ka ndaj fotografisë, për shpirtin e ndjerë poetik, dhe për magjinë e gishtit të shkrepjes, e sinqeritetin e fotografive, jemi të gëzuar të prezantojmë, seleksionimin e dy fotografive të tij, në fondin e përhershëm të Muzeumit.
Vepra “Pandemia”, 50×50 cm, do të instalohet përgjithmonë në pjesën e jashtme të muzeut. Ndërsa e dyta, titulluar “I Feel Like a Child”, 50×70 cm, do të qëndrojë në Pallatin e Muzeut, dhe do të prezantohet gjatë ekspozitave dhe aktiviteteve që muzeu organizon në vazhdimësi.

Të dyja fotografitë, të shkrepura në kohë pak të largëta me njëra -tjetrën (para dhe gjatë pandemisë) nxjerrin në pah, si në një pasqyrë, aftësinë e tregimit të historive intime, e të panjohura, prej ku del nga njëra anë ndjenja e vetëburgimit, e dëshiruara (fëmija në mes të borës) dhe burgimi i detyruar nga të tjerët (paralelizmi me hardhucat që kërkojnë diellin)! Të dyja veprat, në një farë mënyre, risjellin kushtëzimin ekzistencial të artistit, në një mënyrë të re jetese e perceptimi të kohës (së shkuar) e kërkimi i hapësirës së munguar të jetuar gjatë kohë së karantinës! Hapësira e fotografuar, me borë apo mur i thjeshtë qoftë, shfaqet si një lloj përditshmërie e zmadhuar, njësh me hapësirën (reale, virtuale o të brendshme) pandemike, që na ndjek në vazhdimësi. Kaceli, me fotografitë e tij “nxjerr para botës, botën e tij” pa lejuar ndërhyrjen e askujt në rrjedhën e ndërgjegjes së brendshme inviduale e krijuese, krejt personale e gjithaq subjektive!

Armani vs Policia Shqiptare! nga E. Kaceli
E pabesueshme!
Duke marrë shkas nga haberret e Arnautistanit, të udhëhequr nga Veziri i Madh Edvin Bej Rama, ku një kapele xhandari kushton 350 €uro, hyra në siton zyrtare https://www.armani.com/it/armanicom dhe gjeta këtë kapele nga më të mirat e firmës Armani me çmimin 240 €uro. Krahasimet me kapelen e policit shqiptar bëjini vetë! Unë vetëm them: Çdo popull meriton kapelen e vet! Më falni! Çdo milet, arnaut ose pellazg, meriton xhandarin e vet!

Kur ikën Shoku kriminel! opinion nga E. Kaceli

Dhe vjen një ditë që kriminelët largohen nga jeta jonë publike! Largohen për shumë arsye shpesh të thëna e më shumë të pathëna. Mund të largohen për arsye vdekjet: Dikush më i fortë i futi nja dy -tre plumba bythëve, dhe e çon për lesh! Apo pasi ia mërzitën Zotit, e pa të arsyeshme dhe i largoi nga kjo botë, për t’i nisur në atë tjetrën që askush nuk e di me saktësi se si funksionon! Por këta janë kriminelët ordinerë e nuk na interesojnë! Shqiptarëve në përgjithësi nuk ju interesojnë! Sepse shqiptarët vriten, priten, shqetsohen, qajnë, puthen, përputhën, hidhen, përdridhen duartrokasin, përqyrren, qeshin, bërtasin, thërrasin vetëm, e në mënyrë të posaçme, vetëm për kriminelët e politikës!
Kriminelë që në rastin më të mirë largohen nga jeta publike me votë të lirë, në një shtet të lirë apo gjysëm të lirë! Në ato raste shoku kriminel, apo shoqja kriminele, bëjnë me demek se dhanë dorëheqjen duke lënë pas një pasardhës që është më i keq, dhe më gjakftohtë në llogaritjet e tij ëndërrvrasëse! Është më i keq, sepse përvojës së vet i bashkangjit përvojën e këshillat e parardhësit që e këshillon, në formë urdhri, edhe natën kur shkon të flejë! Por kriminelët lënë edhe trashëgimtarë! Trashgimtarë në lidhje gjaku duke ua lënë vendin bosh fëmijës së rritur që përbetohet me zjarr për amanetet e babës që të ketë kujdes partinë në të cilën i jati aderonte qysh pa u krijuar akoma partia! Më e bukura në këtë mishmash largimesh e kthimesh, është kur jepet dorëheqja!
Lexohet një motiv! Dhe turma e indoktrinuar deri në palcë duartroket, emocionohet, përlotet, qurravitet deri në monstruozitet për largimin e monstrës që i kishte hipur në shpinë prej vitesh! (Jo më pak se 10 vite të paktën, se ndryshe nuk funksionon!) Teksa turma masturbohet në vajtimin e sajë, njësoj si populli koreano -shqiptar, krimineli i fut një buzëqeshje që i ngjan therjeve të sforcuara të bagëtive gjatë regjimit komunist! I fut një buzëqeshje, dhe largohet, për të mos u larguar! (Në rastin më të mirë në favor e për të mirën e popullit një pjesë e këtyre shokëve kriminelë është dorëhequr, është larguar, është rikthyer, është rizgjedhur, është rilarguar e ridorëhequr për të mos u larguar deri në ditën e mbrame!) E populli vijon të duartrokasë e të thërrasë: Rrofsh e qofsh sa malet shoku ynë i nderuar kriminel! Kriminel pa terma të ndërmjetme! Pushofsh në paqen dhe begatinë e përjetshme të dorëheqjes!
Kënga e emigrantit poezi nga E. Kaceli

Jam dhimbja!
-kënga e dhimbjes jam
Jam trishtimi- kënga e trishtimit
Trishtimi i mbyllur në një valixhe
Dhimbja e mbyllur në një dhomë të ndyrë trageti
Vargu i shkruar në nje biletë avioni…
Kënga e trishtimit jam!- kënduar në një makinë luksoze!
Atdheu! -ku është!
Atdheun e parë e humba! (ma vodhën)
Atdheun e dytë nuk e gjeta asnjëherë!
Të tretin e humba përpara të parit dhe të dytit!
Jeta ime -një këngë pafund në kërkim të Atdheut
që kurrë nuk ekzistoi! (përveç në fantazitë e mia!)
Kënga ime
-kujtimi i lënë në tokën e ëndërrave të vrame
të ëndërrave të mbytura nën peshën e valixhes
mbushur me boshllëkun e jetës së rrejshme
Peshon valixhja e rëndë -arkivol i trishtë
arkivol i trishtë i kryqëzimit tim të përditshëm!
Kënga ime -simfoni trishtimi
malli, dhimbjesh pafund
Asnjë poet nuk mund ta shprehë!
As unë! -emigranti i këngës time
mbytur në peshën e mallit
Kryqëzuar më keq se Krishti!
Itali qershor 2021
Lartëmadhëria e Mandatit të Tretë nga DaDa një shkrimtare bashkëkohore
“Politikanët e këqinj nuk çojnë dëm asnjë krizë të madhe.”
I frymëzuar nga kësi formulash elitare, Lideri Tiran merr frymë i lehtësuar dhe mirënjohës ndaj zotave që i dërguan pa kursim tërmete e pandemi gjatë sundimit të tij të lavdishëm. “S’kanë parë gjë akoma. Tani do të më njohin mirë këta pabuksat!”
– Dëgjo, shoku Shtëllunga. Urgjent të nxjerrësh tanke, mitraloza dhe ushtarë nëpër rrugë! Që sot fillojmë luftën dhëmbë për dhëmbë me armikun e padukshëm.
– Q’ka po thoni Lartmadhëri?
– Merrja shpirtin të thashë!
– Kujt?
– Kujtdo që del në rrugë. Bjer e bjer se diçka do qëlloni.
– Shpif e shpif se diqka do mbetet. Kështu sikur është ajo fjala, shoku shef.
– Ore ti, alpin, mos më korrigjo mua.
– Ushtarak o shef. Unë jam ushtarak. Isa ma ka mbush mendjen që jam edhe shumë i kënduar. Po nejse, ju e dini më mirë.
“Matufi”- bërbëlit nëpër dhëmbë duke ia mbyllur telefonin në fytyrë.
Ehhh – psherëtin i lodhur dhe i revoltuar. – Ku gabova xhanëm? – por menjëherë sqima prej vizionari të ndritur e zë për gryke dhe, e ndërron aty për aty pyetjen retorike: “Si nuk më kuptuan një herë xhanëm?!” Mirë këta pabuksat e këtushëm, por as ata të huajt që çoç i dija. Ka rënë fare dhe BE-ja, më keq se parlamenti ynë është katandisur. Të paktën këta trutharët tanë vishen firmato, u vetëtijnë makinat dhe rrobat dy orë larg, kurse ata lloshat e Evropës as nga moda as nga tangërlliku s’kanë haber. Si ishin veshur ashtu herën e fundit, shumë vite më parë, krejt përzishëm me ato kostumet serioze dhe këpucët lustrafine të vjetra sa bota! Pfffff! Normal që nuk mund ta pranonin mes tyre një fllad të freskët, një atlet të lindur si unë. Më lanë jashtë fotografisë “familjare”. Xhelozët! Më marrshin pleshtat më marrshin. Pleshtat që kisha një herë e një kohë, kur gdhihesha poshtë urave elegante të Parisit. Se tani, vetëm leshtë e mjekrës kam, miqtë e vegjël që më gudulisnin i shoi sapuni. – psherëtin nostalgjik. – Ehhh, Paris, Paris! Të paskësha magjepsur me karizmën time dhe as që e dija. Shyqyr erdhi ajo biba dhe më hapi sytë.
– Shoku Tiran! – një zukamë mize e shkëput beftas nga meditimet e thella kokë më kokë me veten e tij.
– Shoqja Doganë!
– Më duket vetja si prej Anadolli me këtë llagap që më ke ngjitur, o krenaria e kombit, o Skënderbe, o Don Kishot, o figura më romantike e letërsisë shqiptare. – llastohet ajo me një ton anukes.
“Injoranca e saj është orgazmike”- mbyll sytë i kënaqur dhe mbushet thellë me frymë. -“Entuziazmi i saj eliksir i vërtetë, më drithëron, më përtërin. Një si kjo duhet në stafin e çdo burri shteti me halle të mëdha mbi supe, si Lartmadhëria ime.”
– E ngatërron o brunia ime me zgjuarsi bjondeje. Ai është vëllai Sulltan, ti je xixëllonja Doganë.
– Sot më kishin quajtur edhe Dyqan, Duqin, apo Dulqin…diçka të tillë. Ti e di që unë nuk i mbaj mend shumë këto gjëra, sepse unë nuk merrem me llafe boshe të cmiranjozëve. Unë merrem me Thënie e Rahm Emanuel: “Never let a good crisis go to waste.” me ide, me mënyra, me platforma, me tryeza pune. E thashë mirë? – përdredh një kaçurrel me gishtat e dorës duke pritur me ankth aprovimin e tij.
– Hmmmm. Tryezat nuk janë aq të rehatshme në fakt…- flet mendueshëm shoku Tiran duke parë me sy kritik mobiliet e tjera rreth e rrotull.
Xixëllonja Doganë lëshon e lehtësuar një buzëqeshje të pafajshme, dita e saj po fillonte mbarë… Por trokitja e derës ia ngriu optimizmin dhe ia shpuri gojën akoma më majtas.
– Ohhh, Edmond Dantesi i kabinës sonë!
– Kabinet moj shoqe, kabinet. – e korrigjon butësisht ai. Falë kësaj butësie kishte arritur deri aty, ndaj nuk e kuptonte pse e krahasonin me një hakmarrës të pashpirt si Konti i Montekristos. Ai fitoi menjeherë zemrat e popullit, por mbi të gjitha atë të të shokut Tiran, me replikën e tij të paharrueshme, aq të butë, aq të moderuar kundrejt kundërshtarëve:
“Ne nuk do vjedhim si ata, ne do vjedhim ndryshe.”
Lartmadhërisë po i bëhej zemra (edhe ca pjesë të tjera në fakt) mal tek shikonte zyrën e tij që po i mbushej me këta gjeni të vegjël të përzgjedhur me kujdes nga vetë ai. I donte pafund. Shikonte herë ata, herë veprat e tij njitur andej – këndej mbi mure si njolla boje dhe nuk vendoste dot cilët donte më shumë. Si për ta vilanosur përfundimisht ëmbëlsinë e kësaj tabloje, dera hapet pakëz fare.
Duken dy zgavra hunde të mëdha që nuhasin majtas djathtas me kujdes, pastaj dera hapet edhe më shumë dhe ja, hyn ai dora vetë, Tagrambledhësi, shkurt Tigri.
– Na thave sytë o legjendë.
– Na është tharë buxheti fare shef. – skërmitet Tigri duke çakërdisur sytë andej këndej. – Gjithë ato halle për të mbyllur: udhëtime, hotele, tendera, koncesione. Me lekët tona do i bëjmë këto
mo?
– Mos e dhëntë Zoti! – hidhet përpjetë Xixëllonjë Dogana. – Në gur’t e në drut’. – kap llapën e veshit me dorë, pastaj e troket mbi tavolinë.
– Ke ardhur fiks në kohë. Po mendoj që paralelisht me ushtrinë, popullin tonë barktharë ta
disiplinoj edhe me gjoba.
– Ohhhh! Ti je një shpëtimtar i vërtetë Lartmadhëri! – shtrëngon Tigri gjithë gëzim grushtet e tij delikatë. – Kjo është, pikërisht kjo është ajo që na duhet tani. Nuk e ke idenë si u janë ngjallur morrat këtyre tanëve. Dëgjojnë lajme se si qeveritë e tjera në Evropë po i japin ndihma popullit të tyre dhe, po mprefin dhëmbët edhe këta mosmirënjohësit tanë. Le të shkojnë andej pra, të thyejnë qafën në kurbet dhe të marrin ndihma. Ne nuk po i mbajmë me pahir këtu.
– Syplasur more, çfarë tu thuash. Nuk e shohin që ne po na luten nga ana e anës, deri nga
Bangladeshi, për të jetuar nën thundrën tonë. Pffff. Ky popull nuk më meriton. – ul kokën
sinqerisht i zhgënjyer.
– Do të vijë edhe ajo ditë e bekuar do të vijë, o Diell, o Skënderbe! Do e ndryshojmë me themel këtë vend, duke filluar nga populli. E keqja e këtij vendi historikisht ka qenë populli, kështu ka thënë edhe historiani i madh Eros Ramazoti.
Fuqia staminale e injorancës së saj e gjallëron sërish, ia ngre lart kokën e përkulur. Ohhh, a nuk është një asset kombëtar kjo vajzë?! Ngatërron Herodotin me Ramazotin, por pikërisht këtu e ka magjinë e saj.
– Pra, Tigër, ç’do bëjmë?
– Do tallim by, më fal, do mbushim buxhetin.
– Ah qerrata, qerrata! – shkrihet nga kënaqësia Lartmadhëria. – Ti më kupton me të parë mua. Po ti përballoje dot, do të ti kisha lënë ty të gjitha ministritë.
– Ohhhh, shef, të falënderoj nga xhepi, më fal, nga zemra. Por mua më mjaftojnë vetëm ministritë që kanë parè. – i shkel syrin gjithë mirënjohje.
Lymi që hyn turravrap në zyrë i shkel padashur skarpinat e shtrenjta xixëllonjë Doganës. Ajo shtrembëron krejt surratin dhe kësisoj goja i duket në rregull.
– Hap sytë more Lym, se na shtype përqindjen femërore.
– Po ku më kanë ngelur më sy në ballë dhe mend në kokë mua shoku Tiran. Gjithë populli i Tiranës ka plasur në zyrat e mia. Duan tapira, deftera për shtëpitë e tyre. Ku të mbytem?
– Po jepua more, ça të duan jepua, hall për tapi e për deftera.
– Po jo more shoku Tiran, se tua jap të gjithëve unë, duhet ti them burgut “Hapu!” pastaj.
– Hmmm, jo, në burg, jo, ai është për burra. – i qan hallin Lartmadhëria. – Po si është puna? Pse nuk ua tapos dot ato shtëpitë e tyre të flamosura?
– Se nuk lejohet o shef. Është kriminale. Sipas ligjit duhet tu vëmë rruspën gjysmës së tyre. Na hëngri goja m… mjalt atëherë kur ishim në opozitë dhe këputëm gjithë ato të trasha, u
premtuam që do t’ua legalizonim. Dhe ata skuthat nuk e kanë harruar. Mos t’u japësh një
premtim, ashtu nga nijeti i mirë këtyre pabuksave, se ta mbajnë këngë gjatë gjithë mandatit
pastaj.
– Edhe tani mo, në mandatin e dytë? Edhe tani nuk e kanë harruar akoma ata?
– Sidomos tani, shoku Tiran. Dynden përditë tufa-tufa para zyrës sime. Jam në hall. Kam ngecur keq, midis ligjit dhe votimeve që kemi tani afër.
– Sakën! Sakën! Asnjë thyerje zemre tani para votimeve, se të ngul me duart e mia si Rozafën brenda atyre shtëpive, more vesh, mora thuaj!
– Ç’të bëj pra?
– Mbaji varur.
– Varur?
– Varur?! – përplas duart xixëllonjë Dogana tepër e ngazëllyer.
– Është metaforë oj xixëllonjë.
– Ahhh, nuk është ide, mënyrë, platformë, tryezë pune? – sprapset në karrige e zhgënjyer.
– Ngrihuni tani dhe shpërndahuni. Por, më parë, që ta fillojmë punën mbarë sot, përsërisni me radhë shtyllat e sundimit tonë!
– Ne do vjedhim ndryshe, nuk do vjedhim si ata.
– Do tallim by…buxhetin.
– Do i mbajmë varur.
– S’keni parë gjë akoma!
– Ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne s’ka. – zukat xixëllonja shpejt e shpejt, para se në zyrë të mësynin rivalet e tjera, Bela, Gerta, Erjona …
Altini -Guida e Divjakës i vetmi në llojin e vet! nga E. Kaceli, Itali
Provoi emigrimin në Greqi, Itali, Francë!
I la të gjitha këto shtete, që mund ti kishin siguruar një jetë më të mirë, e një të ardhme ndoshta më të sigurtë nga ana financiare për familjen, dhe u kthye në vendlindjen e tij në Divjakë, Shqipëri!
U kthye për t’iu përkushtuar pasionit të hershëm për natyrën e egër, pasion që e kishte nisë qysh në moshën 15 vjeçare, kur shkëputej nga lodrat e bashkëmoshatarëve për të folë me pemët, fluturat, molusqet dhe zogjtë shtegëtarë, që popullojnë pafundësisht, pasurinë me rëndësi botërore, të Divjakë -Karavastasë!
Ky është Guida e Specializuar në natyrën e egër (wildlife) Altin Hila. Altin Hila, Divjakë, Shqipëri. I datëlindjes 1972. Guidë turistike prej 10 vitesh, i specializuar, dhe i licensuar vetëm në wildlife (guidë e natyrës së egër), i vetmi në llojin e vet në Shqipëri e në Kosovë!
Për Altinin të jesh guidë e specializuar do të thotë të njohësh natyrën deri në detajet më të imta, që syri i një njeriu normal nuk mundet ti kapë ose ti dallojë! Në përditshmërinë e tij natyra e egër zë të paktën 70% të kohës!

Një guidë e mirë e natyrës, duhet të njohë në mënyrë të veçantë sjelljen e shpendëve e të kafshëve të egra deri në detajet më të thjeshta e më ta pazakonta të sjelljes së tyre! Të njohë habitatin, kushtet atmosferike, kushtet e jetesës dhe të mbijetesës së kafshëve, shpendëve, bimëve… Të njohë natyrën deri në rrënjë!
Pra duhet ta njohë dhe dashurojë natyrën! Të dëgjojë dhe të flasë me Natyrën!
Altini thotë se duke folë me Natyrën më duket se flas me Zotin! Pjesa më e këndshme e punës së Altinit është guida e grupeve të fotografëve të natyrës së egër të cilët vijnë nga vende të ndryshme të botës. E në mënyrë të veçantë grupi i Wildlife Albanian Photographers, i përbërë nga shqiptarë që jetojnë në Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, e Shqipëri, apo edhe në vende të tjera të botës deri në USA!

Altini thotë se ” Guida me Arian Mavriqin, Granit Hysenin, Lulzim Demajn, Gresa Berishën, Jetmir Troshanin, Besnik Jakupin etj. është guida më e këndëshme, ku nuk lodhem kurrë. Është guidë që çdo sekond ke emocione dhe lëvizje që të fusin në një botë e përjetim krejt ndryshe! Duhet të krijosh programe të momentit për të mos dështuar në rezultatin final të fotografimit. Me çunat e jashtëzakonshëm fotografë rezultati është i perkryer!”
Viti para pandemisë ishte vit i këndshëm, me pafundësi vizitorësh, shqiptarë e të huaj! Turistë të shumtë nga Italia, Polonia, Gjermania, Amerika, etj kanë kaluar nëpër bukuritë e pafundme të natyrës së Divjakës. Altin Hila, ndryshe Guida e Divjakës, iu ofron turistëve jo vetëm mundësinë për vëzhgimin e florës dhe faunës,por edhe vizitat në vendet historike, arkeologjike, zejet tradicionale, fermat bujqësore, sportin e peshkimit etj.
-Gjithmonë kënaqesh kur në fund ndahesh nga vizitorët klinetë, duke marrë prej tyre mbresa, vlerësime pozitive, e jo vetëm monetare! S’ka gjë më të bukur kur ke njerëz, apo grupe të mërzitur, pa qef, pa humor, dhe ti i merr në shoqërim! Kënaqësia më e madhe profesionale kur në fund të guidës të thonë të relaksuar “Sot na dhe jetë!” -tregon Altini

Altinin, edhe në ditët kur nuk ka turistë, e sheh të ngrihet që në orët e para të mëngjezit të bëjë xhirot e tij të zakonshme nëpër zonën e Divjakës për të kontrolluar ecurinë e natyrës, fenomenet e reja të sajë, lëvizjen e shpendëve, fluturave, zvarritëseve… pra gjithçka! Në xhirot e tij të përditshme, shpesh e shoqëron edhe djali Joel, pasioni për natyrën e egër dhe dokumentimin e sajë “po i hyn në gjak ashtu si edhe babait”.
Gjatë kësaj kohe Altini po punon, si në hije, edhe për një projekt tjetër madhor, të nisur në një kënd të shtëpisë! Projekti-ëndërr që pret të dalë nga sirtarët e drunjtë, ka të bëjë me një koleksion të plotë të insekteve dhe molusqeve të zonës. Projekt për të cilin Altin Hila, nuk dëshiron të flasë shumë, duke na rezervuar të drejtën e parë, në rast se kjo ëndërr do të arrijë të dalë nga shtëpia për t’iu paraqitur publikut të dashuruar pas natyrës shqiptare dhe vlerave të saja të pazakonta që Divjakë-Karavastanë e kanë futur në pasuritë e njerëzimit me rëndësi botërore. Pasuri që nëpërmjet Konventës Ramsar (Konventa e zonave ujore) nënshkruar edhe nga Shqipëria, mbrohet nga UNESCO!
Mikut tim të ndjerë Eduard Grishaj poezi nga Eralda Baze

Homazh poetik intelektualit shkodran Eduard Grishaj, që humbi jetën aksidentalisht para disa ditëve.
Të paskam dashur mik i mirë,
Të paskam dashtë krejt pa e ditur,
Sot e tromaksur dhe e mpirë
S’e pranoj dot që ti ke ikur.
Të t’njihje ty dhe mos të t’doje
Ngjan në fakt krejt e pamundur
Se ti veç mjaltë nxirrje prej goje
Mirësia pa ty sot shumë ka humbur.
Nuk më besohet që kur t’vij në Shkodër
Nuk do ta pijmë më bashkë një kafe
Nuk do shkëmbejmë si vëlla e motër
Fjalë urtie dhe jo llafe.
Dhe pse të pashë me sytë e mi
Të bardhë, të bukur, në arkën e mortit,
Prapë më duket si çudi
Që na le, shkove pranë Zotit.
Më duket si shaka 1 prilli, apo si lojë
a e di?
Vetëm që unë me lotë e bojë
Të të ktheja ty në poezi…
Eralda Baze
Pamflet: Mirë se vjen Mandati i Tretë! -nga Edmond Kaceli

Shënim skjarues: Që te mos keni probleme me politikën shqiptare, e kuptimin e sajë, që e votoni me dëshirë e vullnet të madh, sa herë bëhen zgjedhje, fotografia e mësipërme është vetëm një pikë uji! Kush sheh diçka tjetër ka probleme shikimi, psikologjike e natyrisht edhe probleme të theksuara në drejtim të marrëdhënieve me politikën dhe politikanët shqiptarë!
Natyrisht! Pas mandatit të parë, vjen mandati i dytë! E pas mandatit të dytë vjen i treti!
Nuk ka rrugë tjetër! Ajo çka mbeti pa u realizuar gjatë tetë viteve duhet realizuar katër vitet e mandatit të tretë! E pse jo edhe të katërtit!
Populli mosmirënjohës dhe opozita destruktive e udhëhequr nga Lulëzim Basha nën dritën e mësimeve të pavdekshme të Saliut, kanë pasë paftyrësinë e madhe që të thonë se Qeveria e udhë drequr me largpamësi nga Lideri Suprem (mjekërgjatë, shalëgjatë e trushqiponjë) thonë paturpësisht se gjithça u bë në 3D!
Fakti është se dy mandate janë të shkurtra! I pari ishte i shkurtër! I dyti u zgjat pak dhe u trash një çikë, por prapë nuk të jepte shumë mundësi zgjedhjet!
Prandaj Trushqiponja Edi Rama (Alias Gjergj Kastrioti -Skënderbeu) na paraqet të tretin! Mandatin e tretë!
I treti i vërteti! Ëndrra e madhe bëhet realitet! Dhe jo realitet në 3D!
Pas të parit, e të dytit, erdhi radha të zgjidhim në tre! Pra në mandatin e tretë, është shpresa të na plotësohet ajo çka na la pa plotësuar i pari dhe i dyti!
Të votojmë njëzëri për të tretin! Të tretin mandat! Se kështu nuk kemi të drejtë të qahemi më!
Na mbetet vetë të shpresojmë, e ti lutemi Naltmadhnisë së Tij, që ky mandat të jetë, më i gjati ndër tre mandatet! (Pse të mos jetë edhe më i gjëri!)
Zot na duaj nëse pas të tretit kërkon të katërtin! Se atëherë parashikohet të kemi probleme serioze me matematikën, gjeometrinë dhe stereometrinë!
Pamflet: Nevojtoret e Kryeministrisë, Mandati i Tretë dhe Ushtari i Mirë Shvjek
nga E. Kaceli, Itali
Në faqen zyrtare në FB të Kryeministrit aktual Edi Rama, sot e kësaj dite, gjen imazhet e një WC-je në një nga labirintet e shumta të ndërtesës së Kryeministrisë.
Në atë kohë, yzyrhanja allaturka, e lënë tmerrësisht mbas dore, u paraqit si një ndër zbulimet më të mëdhaja të kohës, si modeli qeverisjes së shëmtuar nga paraardhësit e Fort Gjatësisë së Tij! Më qartë u paraqit qeverisja e Berishës në ikje, si dështimi më i madh historik në gjithë historinë e shtetit shqiptar!

Ato nevojtore ishin lënë në mëshirën e fatit qysh në kohën e Adil Çarçanit!
Kishin dhjerë në ato nevojtore bashkëpunëtorët, apo rojat, e Adilit, Fatosit, Ylli Bufit, Vilson Ahmetit, Aleksandër Meksit, Pandeli Majkos, Bashkim Finos, Ilir Metës, Sali Berishës!
Në ato nevojtore historike, dikush kishte dhjerë gjatë dy- tre mandateve, e dikush ia kishte bërë munë kryeministrisë dhe qeverisjes së popullit tonë liridashës e budallë, për një mandat të vetëm!
Për të treguar ndryshimin, e madh që priste shqiptarët, Edi Rama e filloi Rilindjen, pikërisht me rikonstruksionin e nevojtoreve të ndërtesës së Kryeministrisë. Në fotografitë e nevojtoreve të publikuara me bujë nga Kryeministri i sapo hyrë në Zyrat e Qeverisjes, dukej qartë rrënimi dhe keqpërdorimi i pushtetit nga Sali Berisha!
Rikonstruksion që besoj të jetë mbyllur me sukses tani mbas tetë vitesh në pushtet!
Shpresoj që yzyrhanja allaturka të jetë shëndrruar në një toilette modern me ujë e drita 24 orë rresht, alla franceze!
Kohë kanë pas boll!
Nëse ky ndryshim ka ndodhur vetëm në 3D, si shumë ndryshime të tjera të mëdha qysh kur me 8 shtator 2013 në këto Zyra Historike, hyri Edi Rama me bashkëpunëtorët rilindas, atëherë patjetër duhet një Mandat i Tretë!
Duhet një Mandat i Tretë që Qeveria e Rilindjes të përfundojë veprën e ndritur të rikonstruksionit të nevojtoreve zyrtare të filluara në mandatin e parë! (gojët e liga kundër Qeverisë, thonë se zoti Rama edhe atë gjënë që nuk thuhet e bën në 3D!)
Ky Mandat i Tretë është shumë i rëndësishëm, aq sa ç’ishte i rëndësishëm edhe institucioni i nevojtoreve për fitimin e Luftës së Parë Botërore nga Perandoria e Austro -Hungarisë!
Për rëndësinë e nevojtoreve në Kryeministri, dhe në fitimin e betejave elektorale, mjafton të lexoni këtë pasazh nga Vëllimi i dytë i “Ushtarit të Mirë Shvejk” i Hashek:
Gjenerali iu jepte shumë rëndësi nevojtoreve, thuajse nga ato varej fitorja e monarkisë Austro -Hungareze.
Në lidhje me gjendjen e re të krijuar nga hyrja e Italisë në luftë kundër Austro -Hungarisë, ai theksoi se tamam në nevojtoret qëndronte epërsia jonë e pamohueshme në betejat e Italisë.
Fitorja Austrisë kishte për t’i ardhur nga nevojtoret!
Votoni për Mandatin e Tretë! Votoni për Qeverinë e kryesuar nga Lideri i Math Edi Rama, që punët e bëra gjatë dy mandateve të para të mos mbesin përgjysëm! Atdheu është në nevojë! Nevoja ku bëhet?!





