Zgjedhjet në Kosovë/ Albin Kurti: Prioritet ynë është drejtësia dhe punësimi…

0
80

Lëvizja Vetëvendosje, ka kryesuar në zgjedhjet e parakohshme, të zhvilluara ditën e dielë në Kosovë. Deri tani janë numëruar 97% të votave të përgjithshme, ku Vetëvendosje ka marrë 48% të tyre, ose të përkthyera në vota, 369 739 të tilla.

Në një konferencë për mediat, nga selia e partisë së tij në orët e vona të së dielës, Kurti i ka cilësuar zgjedhjet e parakohshme si referendum për drejtësi dhe punë, duke theksuar se; prioritet i qeverisjes së tij është drejtësia dhe punësimi.

“Ky referendum për drejtësi dhe punë, e kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës. Nga nesër fillon një ditë e re. Na presin shumë punë dhe angazhime, sepse vendi është në kriza të shumëfishta. Secili prej nesh duhet ta marrë përgjegjësinë që i takon, për ta bërë vendin tonë një vend të jetueshëm për të gjithë, ashtu siç është i dashur për të gjithë. Prioriteti ynë është drejtësia dhe punësimi”, ka thënë Kurti. Gjithashtu, ai premtoi se do të udhëheqë “pa inate dhe pa revanshizëm”.

Ndërkohë, Vjosa Osmani, e cila në këto zgjedhje garoi në listën e Vetëvendosjes, është shprehur se; institucionet e reja do të drejtohen nga drejtësia.“Institucionet e reja do të drejtohen nga drejtësia”, ka thënë Osmani.

Partia e dytë në zgjedhjet e 14 Shkurtit, doli PDK-ja me 17.35% të votave, ndërsa në vend të tretë, LDK-ja me 13.18% të votave.

Zjarr Tv Ad