Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe i ka bërë tre kërkesa ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, e cila sot raportoi në Komisionin e Ekonomisë për buxhetin.
Braçe kërkoi nga ministria që t’i vërë në dispozicion politikën e përjashtimit nga taksat dhe shpenzimet tatimore. Po ashtu, deputeti i PS u shpreh se është e domosdoshme një analizë mbi procesin e fiskalizimit, pasi sic u shpreh ai është rritur presioni ndaj biznesit të vogël.
“Do të doja të shtoja 3 kërkesa, e para lidhet me përjashtimin nga taksat dhe shpenzimet tatimore. Është kapitulli që për herë të parë është futur ne relacionin për buxhetin. Ky kapitull shpjegon procedurën e llogaritjes së vlerës së përjashtimit të tyre nga taksat në raport me PBB. Unë dua një llogari të ndikimit të këtyre përjashtimeve ne raport me GDP, dua që këto llogari ta kemi të ndarë sipas kategorive. Sa përfiton turizmi, ndërtimi, sa përfitojnë shërbimet dhe në fund sa përfiton bujqësia. Dua të më vini në dispozicion këtë politikë të përjashtimit.
Së dyti, jemi në një moment që kemi kaluar nën masat e reja të procesit të fiskalizimit. Unë besoj që është e domosdoshme një analizë mbi procesin e fiskalizimit. Pra të kemi një dokument që analizon shtrirjen e procesit të fiskalizimit jo vetëm në territor, por edhe efektet që ky proces ka sjellë në arkëtimet e tatimeve dhe taksave. Ju dëgjova të thoni që politikën e re të gjobave për qarkullimin e mallit pa faturë e keni adresuar tek biznesi i madh. Ndërkohë presioni i biznesit të vogël për të mos marrë mall pa faturë është rritur jashtë mase. Pra do të ishte e rëndësishme që argumenti i gjobave tek biznesi i madh të vijë në referencë edhe të procesit të fiskalizimit.
Së treti, thatë ligji për tatimin mbi të ardhurat është shtrirë për tu hartuar shumë në kohë. Jeni mbështetur diku, ose në ligjet e BE ose në analizën që i keni bërë. Unë i dua të dyja. Me kaq sa ju thatë, të vijoj tju dëgjoj që të tatohen me 8 % të ardhurat nga kapitalet deri tani nuk ndryshon. Edhe për vitet në vijim është pak e papranueshme. Në momentin që ne futim në shkallë progresive pjesë të caktuara, duke filluar nga rrogëtaret tek profesionet e lira të vijojmë të mbajmë në tatim të sheshtë të ardhurat nga kapitali dhe vetëm 8% më duhet të shoh llogaritë që keni bërë”, tha Braçe.