Të jesh i famshëm që në moshën 7 vjeçare, mund të jetë e vështirë për t’u përballuar. Në Afganistan, gjithashtu mund të jetë kërcënuese për jetën.
Në janar të 2016, një foto e vogëlushit Murtaza Ahmadi u bë virale, falë bluzës së tij të improvizuar si fanella e idhullit të tij argjentinas, Lionel Messi.
Një qese plastike, me shirita blu dhe të bardha, me emrin dhe numrin e Messit, i dha 7 vjeçarit mundësinë që 11 muaj më vonë të takohej me futbollistin milioner.
Sot, shumë njerëz mund ta njohin Ahmadin, por ai është në arrati. Problemet e tij nisën pikërisht pasi u takua me heroin e tij në Katar.
Talebanët në nëntor pushtuan rrethin Jaghori në provincën Ghazni, ku 7 vjeçari u rrit.
“Talebanët nuk na lejonin të luanim futboll apo të dilnim nga shtëpia. Ne dëgjonim zhurmën e armëve të rënda dhe bombave. Dëgjonim njerëzit që ulërinin” ka thënë Ahmadi për CNN.
Për shkak të famës së tij, Shafiqa, e ëma e Ahmadit thotë se ai u bë objektiv i kërcënimeve të ndryshme.
“ Prej ditës kur u bë i famshëm, jeta u bë e vështirë për familjen tonë. Jo vetëm talibanët, por edhe disa grupe të tjera mendojnë se Messi mund t’i ketë dhënë shumë para. E ndaluam të shkonte në shkollë dhe na kanë kërcënuar gjatë gjithë kohës,” thotë nëna e 7 vjeçarit.
Të frikësuar për jetën, babai i Ahmadit e dërgoi atë sëbashku me nënën në qytetin e Bamjanit dhe që atëherë nuk janë takuar më.
Prej andej, Ahmadi dhe nëna e tij u zhvendosën në Kabul, ku fshihen në mesin e shumë refugjatëve.
Por nëna e tij ndihet e pasigurt, me frikën se mund t’ia rrëmbejnë djalin.
“Do të ishte më mirë sikur Murtaza të mos ishte bërë i njohur. Jetët tona janë në rrezik. Ai e kalon gjithë ditën i mbyllur në shtëpi,” rrëfen ajo.
Shaqifa i bën thirrje përsëri Messit, këtë herë për t’i ndihmuar ato që të largohen nga vendi.
“ Dua që Messi të ndihmojë Murtazën, të na ndihmojë të dalim nga Afganistani, për një të ardhme më të mirë,” thotë ajo.
Ahmadi tashmë nuk mund të ndjekë ëndrrën e tij për t’u bërë futbollist, për shkak të situatës. Ai mund të luajë vetëm brenda shtëpisë.
“Kur isha në vendlindjen time, nuk mund ta vishja fanellën time të Messit sepse kisha frikë se dikush mund të më lëndonte. Dua të më marrin nga ky vend sepse këtu ka luftë, dua të bëhem futbollist si Messi dhe të luajë me të,” shprehet 7 vjeçari.