Policia e Durrësit ka vënë në pranga 3 persona si autorë të dyshuar për vjedhjen e një automjeti dhe dy bizneseve.
Mësohet se shtetasit e arrestuar janë J.P, E.P dhe Q.R, ku dy të parët mendohet se janë autorë të grabitjes së një dyqani që tregtonte bulmet në qytetin bregdetar.
Njoftimi i Policisë
Arrestohen në flagrancë tre shtetas, autorë të dyshuar për vjedhjen e një automjeti dhe dy bizneseve.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve edhe vënien para përgjegjësisë të autorëve, në bazë të informacioneve të siguruara nga strukturat policore, kanë bërë të mundur finalizimin me sukses të operacionit të koduar “Ndjekja”, duke arrestuar në flagrancë tre shtetasit J.P, E.P dhe Q.R.
Shtetasit J.P. dhe E.P. dyshohen si autorë të vjedhjes me thyerje të dy bizneseve në Durrës.
Në bashkëpunim me njëri – tjetrin, në datë 19.01.2019, gjatë natës dyshohet se kanë vjedhur me thyerje një biznes (bulmetore) ku kanë marrë një sasi parash si edhe kanë tentuar të vjedhin një tjetër biznes tregtar (dyqan mishi).
Shtetasi Q.R. dyshohet se ka vjedhur një mjet tip Benz ku në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti, në momentin që shtetasi do ta shiste në një pikë varreza makinash.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.