Gjyshja e fëmijës 18 muajshe që u dh*unua fizikisht në një prej kopshteve private në lagjen periferike numër 8 , “Çezma e Ferrës” në Durrës, ka treguar pasojat e dh*unës që ka sot vajza e vogël.
Nëna e vajzës Merita bëri denoncimin në polici, pasi pronari i kopshtit G. D., 61 vjeç i kishte hedhur fytyrës shumën prej 5 mijë lekësh të rinj, për të mos e raportuar dh*unën.
Gjyshja e vogëlushes tregoi se ishte dita e dytë në çerdhe kur vajza iu mbërriti me shenja dh*une të dukshme në fytyrë edhe në trup pasi e la furgoni tek pallati ku jetojnë. Asaj dite në kopsht ishin dy edukatore në grup dhe një pastruese dhe gjyshja dyshon që njëra prej edukatorëve të ketë ushtruar dh*unë ndaj mbesës së vogël.
“Që të shtunën ka ndodhur, dita e dytë në çerdhe. Kishte shenja në fyt, në shpinë. Në kopsht janë dy edukatore dhe pastruesja. Vajza trembet natën”, tha gjyshja.
E mitura jetonte me nënën e saj dhe gjyshen në kushte të rënda ekonomike, pasi prindërit e vogëlushes ishin të divorcuar. Bashkia e Durrësit tha në lidhje me ushtrimin e kontrollit në këto institucione private, se nuk ka autoritet:
“Asnjë institucion vendor nuk ka tagër për të kontrolluar as kushtet, infrastrukturën apo ushqimin që iu jepet fëmijëve në kopshtet dhe çerdhet private. Bashkia kontrollon vetëm institucionet që ka në varësi. Çerdhet dhe kopshtet publikë. Privatët licencohen nga Ministria e Arsimit dhe po kjo ministri duhet t’i kontrollojë”.
Më herët u kërkua vendosja e kamerave në këto institucione, por kjo kërkesë u harrua, ndërsa se çfarë ndodh brenda këtyre çerdheve dhe kopshteve private nuk e di askush.
“Fëmijët tanë janë në mëshirë të fatit dhe dallkaukëve që drejtojnë bizneset ku detyrohemi t’i çojmë për kushte më të mira”, tha një prind.