Foltorja, për një integritet të ri në politikë

0
12
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Përse Sali Berisha? Basha? Pse jo një i tretë? Kësaj pyetjeje nuk mund t’i përgjigjemi thjeshtë duke dalur pro apo kundra një emri apo një tjetri, pa vendosur së paku disa kritere analize fillestare. Analizë e cila aktualisht është e rrallë, si në tekste ashtu dhe në autorë. Një deputet, nuk mund të bëjë analistin e balancuar duke thënë unë nuk kam qëndrim. Ndërkohë që një analist i balancuar, nuk mund të jetë dhe një deputet që mban krah. Fatmirësisht, ekziston një literaturë e bollshme në shkencat politike sesi të përkufizojmë një lider politik të sukseshëm. Dhe në këtë kuptim, tre janë kriteret kryesore : të qënurit me integritet, origjinal dhe kompetent. Le të përpiqemi që mbi këto kritere, të bëjmë një përshkrim ndryshe të simbolikës që përfaqëson “foltorja” në momentet që po përjeton aktualisht politika shqiptare. Le të fillojmë nga e para, integriteti

Partnerët euro-atlantikë të Shqipërisë po investojnë qindra miliona euro të taksapaguesëve europianë e amerikanë që politika shqiptare të ketë sa më shumë integritet. Reforma në drejtësi synon pikërisht këtë gjë. Fund pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit, në veçanti mes klasës politike. Kjo është narrativa publike, dhe ky është etaloni kryesor i suksesit të saj. Sa më i madh politikani që do të ndëshkohet, aq më i madh do të jetë suksesi i reformës. Drejtësia ka qënë gangrena më e madhe e tranzicionit dhe shqiptarët kanë pritshmëri maksimale nga reformimi i saj. Strategjia e shpalljes non-grata e personaliteteve të akuzuar për korrupsion nga SHBA-të është pjesë e të njëjtit objektiv. Ajo tregon mungesën e besimit tek sistemi i drejtësisë në vëndet me korrupsion endemik si Shqipëria. Në mungesë të një drejtësie të brëndshme, shpresat varen tek zbatimi i një drejtësie të jashtme. Kjo është qasja e strategjisë së Presidentit Biden në luftën globale kundër korrupsionit. Shpallja non-grata gjatë viteve të fundit të disa personazheve të politikës lokale, si Vangjush Dako apo Tom Doshi, dëshmon pikërisht këtë gjë. Qeverisja Rama nuk bind se e ka seriozisht luftën kundra korrupsionit.

Duke i shpallur non grata këto individë, popullit shqiptar i jepet një formë drejtësie nga “jashtë”. Ndërkohë, mes shumë të tillëve, Sali Berisha bëri atë që nuk pritej. Njësoj si administrata amerikane, ai nuk beson tek drejtësia e brëndshme, dhe e kërkon atë nga jashtë, në Paris. Është e njëjta filozofi. Duke e pranuar dhe e praktikuar vetë drejtësinë e jashtme, Sali Berisha vërteton emancipimin ose lartësimin e tij politik. Duke besuar se kjo është një drejtësi legjitime, ai kërkon të vërtetojë integritetin e tij. Ai nuk e refuzon, ai e përqafon këtë formë drejtësie. Cilidoqoftë vendimi gjyqësor final dhe pavarësisht disproporcionalitetit të tejskajshëm mes dy palëve, rezultati është prodhimi i një politike me më shumë integritet për vendin tonë. Kjo pasi gjithçka në këtë betejë mbetet brënda kornizave ligjore, shtetit të të drejtës, botës euro-atlantike, dhe një marrëdhënieje, sigurisht të plasaritur rëndë, por që kërkon të prodhojë pajtim, mirëkuptim, dhe in-fine një kompromis mes partnerësh, ndjekur pse jo dhe nga një kompensim në kalimin e pushtetit. Duke bërë të paimagjinueshmen, Sali Berisha kërkon të dëshmojë se ka një integritet politik të paqortueshëm.

Është një akt i cili kërkon të konfirmojë konsistencën e karakterit, peshën e fjalës dhe forcën e akteve të tij. Duke tentuar përballjen me superfuqinë amerikane në një gjykatë franceze, ai morri autorësinë e një kapitulli që do të mbahet mend gjatë në historinë e Ballkanit perëndimor. Në vetvete, kjo është pothuajse një histori heroike dhe si e tillë meriton një admirim të veçantë. Dhe kjo është trajta e dytë e liderit politik : origjinaliteti. Që nga ‘shpikja’ e qytetarit dixhital, frekuenca rekord e aktivitetit në rrjete sociale, daljen e panumërt në mediat televizive, denoncimet e njëpasnjëshme, me emra e shifra, apo dhe deklaratat “shok” në parlament apo jashtë tij, Sali Berisha ka treguar një origjinalitet politik të pa-imitueshëm. Është brandi që etiketohet si “berishizmi”, por është gjithashtu historia e një politikani që shpalos një energji dhe një karakter që i elektrizon turmat, ngjall besim, dhe frymëzon ende sot, 30 vite pas hyrjes së tij në politikë. Votuesit e djathtë e mbi-idealizojnë, të majtët e mbi-kritikojnë. Është një politikan përballë të cilit nuk mund të mbetesh indiferent. Për këtë të gjithë duket se bien dakort. Ashtu siç duket se bien dakort se foltorja ngjason me rrugëtimin e fundit politik të tij. Një rrugëtim që ka vetëm një destinacion. Rikthimin në krye të PD-së. Kjo do të thotë diçka. Për Berishën, kjo është beteja sesi ai do të mbahet mend në histori. Qartazi ai po refuzon të bëhet “kurban” për të mbuluar gabimet e një reforme që po vonon të prodhojë rezultat. Dhe ky është momenti i tretë. Një politikan i sukseshëm matet dhe nga mënyra sesi shpalos kompetencat e tij. Shumë bashkëpunëtorë theksojnë shpesh herë forcën e kujtesës së tij, kulturën enciklopedike apo dhe një njohje tejet të thellë të ingranazheve dhe reformave administrativo-ekonomike. Pa u zgjatur më tej, ka një kompromis të gjerë mes të majtëve dhe të djathtëve që Sali Berisha, në veçanti në vitet 2005-2009, ishte autori i një ristrukturimi shumë dimensional të shtetit shqiptar që kalonte nga teknologjitë e reja, infrastruktura e deri tek thithja e investimeve të huaja. Dhe që kompetencat të quhen të pranueshme nga publiku, ato duhen demonstruar në një mënyrë konsistente, të prekshme dhe të besueshme.

Opozita e tetë-vjeçarit të fundit, qëndrimi mbi çështjet ballkanike, të reformës në drejtësi apo politikat fiskale të fundit dëshmuan se kompetencat politike të Sali Berisha nuk duket se janë vyshkur me kalimin e kohës. Përkundrazi, duket se janë bërë gjithmonë e më të mprehta. Pirueta me “gjyqin francez” ishte magjia e fundit e një politikani të një kalibri unik, këtë nuk e mohon dot askush. Në përmbyllje, nëse një lider dëshmon integritet, do të thotë që ai arrin të vendosë interesin e përgjithshëm mbi atë personal, duke dëshmuar transparencë dhe llogaridhënie në ushtrimin e pozicionit publik. Nëse një lider arrin të jetë origjinal, ai mund të përthithë në mënyrë më efikase votuesit e lëkundur. Nëse ai është dhe kompetent, do të ketë mundësi të fitojë më lehtësisht debatet me kundërshtarët politik. Një opozitë që drejtohet nga një lider i tillë, do të përfaqësojë gjithmonë një forcë politike njëherazi fituese, demokratike dhe realisht perëndimore

Zjarr Tv Ad