Gelanda SHKURTAJ/ Katër rebuse dhe një i padëshiruar

0
125
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Gelanda  SHKURTAJ

Në një ditë maji kur fati politik i vendit ishte nëpërkëmbur, bijtë e shqipes, që edhe kësaj radhe sytë i ngritën nga qielli, prisnin një mesazh, një dritë, një udhërrëfim. Dhe ja u erdhi, në një kohë pa kohë, si rrufe në qiell të pastër.

U gjet më në fund fajtori dhe ndëshkimi i tij do të “hapë susamin”, e fati i lumë në fund do të puthë tokën e Arbrit. Koka që kërkohet ka emrin e liderit historik të PD-së, i cili me të gjitha dritë-hijet e karrierës së gjatë politike, ka pasur si askurrë e askund, partnerë dhe mbështetës në krahë, asgjë më pak apo më shumë sesa vetë demokracitë që i kërkojnë kokën sot. Madje edhe atëherë, kur Shqipëria digjej e votat vidheshin, kur njerëzit gjakoseshin bulevardeve e kur anijet mbyteshin me shqiptarë që kërkonin shpëtim. Miletit shqiptar i thuhej se ai ishte “burrë shteti e njeri kombi” e të kompleksuarit shqiptarë deri në kockë nga burgjet e komunizmit e deri në sytë nga shkëlqimi verbues i perëndimit, heshtnin (!).

Diplomacinë e rafinuar të tipit “godas kur dua dhe jo kur duhet” (“si kofini pas të vjeli” thotë një proverb shqiptar) ka mote që e ka kuptuar edhe mileti kësaj ane deti, por nuk do t’ia dijë më. Ka një postulat që thotë se një drejtësi e vonuar është një drejtësi e mohuar. Në fakt pyesin veten njerëzia sot, se kujt i duhet moshyrja në perëndim e Berishës? Atij që ylli politik tashmë i ka perënduar? Vallë ky fakt do të kthejë të mbyturit e Otrantos apo do të fshijë varfërinë e shqiptarëve? Apo do të kërcënojë të ardhmen e hajnave të sotshëm të votës dhe të pasurisë publike?

Tanimë, konflikti ka një emër dhe një personazh, i cili me dinjitet dhe me një proces të rregullt ligjor do të çojë ose jo drejtësinë e tij deri në fund. Për këtë do të ketë një Gjykatë, një proces dhe një vendim. Përtej çdo verdikti apo lobimi, një lider historik ka dhe do të ketë padyshim një histori, e cila do ta gjykojë dhe ndjekë nga pas.

REBUSI “BERISHA – BASHA – PERËNDIM I LARGËT” PACTA SUNT SERVANDA (!) VERSUS REBUS SIC STANTIBUS (!)

Janë citate latine që në gjuhën e kontratës por edhe më gjerë përkufizojnë dy antagonizma të fortë në përmbajtje të një pakti social. E para tregon se njëherë që lidhet, pakti mbart forcën e ligjit midis palëve; e dyta mëton të kundërshtojë të parën, duke thënë se ka edhe kushte që mundet të mbivendosen e ta ndryshojnë paktin apo kontratën sociale. Duke qenë se marrëdhëniet humane në tërësi asnjëherë nuk janë lineare, rebus sic stantibus gjithmonë minon pacta sunt servanda, pra paktin e dhënë dhe zotësia e avokatëve, të djallit apo jo, kërkon që palët të mbërrijnë në një kusht paqeje të pranuar dhe të nënshkruar nga të gjithë.

Eureka! Fati i Shqipërisë sot gjendet vetëm në mesazhin e koduar: ju demokratë, edhe pse të votuar anembanë vendit me një shumicë dërrmuese, edhe pse të mundur nga tjetërsimi i certifikuar i votave, meritoni të keni vëmendjen tonë vetëm me një Pacta sunt servanda: “pa Berishën po përkrahje, me Berishën jo përkrahje”. Kjo quhet demokraci? Apo sovranitet? Apo çfarë?

Në vendin e shqiponjave, ku sovranin e kanë ushtruar kancelaritë, edhe kur i rrinin në krahë, e dinin fare mirë se lideri në fjalë nuk e ka lënë kurrë karrigen edhe në momentet më të rënda, kur Shqipëria digjej e tëra, jo më në një moment ku për hir të së vërtetës, është i votuar me vullnet të pacenuar të zgjedhësve dhe ka një mbështetje shumë të gjerë në bazën e Partisë Demokratike.

Tashmë topi në fushë i ka mbetur liderit Basha, ku ky i fundit do të duhet të zgjedhë të jetë midis rebus sic stantibus (kështu janë faktet), apo fatit të demokratëve që drejton për të hyrë në Parlament, nën pacta sunt servanda (respektojmë paktin me të huajt). Qëndrimi ose jo në arenën politike është një e drejtë legjitime e kujtdo, e cila mundet dhe duhet të hiqet vetëm dhe vetëm me të drejtën e votës, të paktën ky është leksioni që demokracitë na mësuan. Dashamirësia diplomatike, e cila e gjen të udhës “t’i bjerë pragut që të dëgjojë porta” (një tjetër proverb shqiptar ky), e ka kufirin aty ku vihen në pikëpyetje sovraniteti dhe parimet demokratike të një shteti, qofshin ato edhe të gabuara edhe primitive, por autoktone dhe shqiptare.

REBUSI “BASHA – BERISHA – PD – KUSH DO TA BËJË KTHESËN”?

Opozita demokratike shqiptare, e bërë tashmë “kashtë e koqe” (sipas një tjetër proverbi shqiptar), ka krijuar brenda gjirit të saj disa grupe refraktare. Midis tyre, për fatin e kësaj partie, maxhoranca janë idealistët dhe ata që nuk kanë tradhtuar idealin që në zanafillë, përtej xhepave apo privilegjeve personale. Në shpurën e kritikëve të fortë kundër Bashës, njëra kategori përfaqësohet nga pjesa me pushtetin më të fortë në harkun 2005-2013, por e nginjur deri në fyt dhe e zhgënjyer deri në palcë, sepse humbi privilegjet e pushtetit që vetëkorruptoi, ajo proklamoi me zë të lartë se në zgjedhjet e ardhshme do të fundoste PDnë, dhe në fakt mori rreth 5000 vota. Tjetri grup është i përbërë nga disa satelitë të PDsë, që ndërgjegjja kombëtare i çoi në mexhlisin shqiptar në aleancë me pozitën drejtuese, për të mirën e demokracisë. Pas zgjedhjeve edhe këta largpamës vizionarë dolën diku me rreth 1000 vota në favor të tyre.

Por nuk janë vetëm këto, është edhe ai grupi i tretë, i cili heshtur dhe me kurajo nuk tradhtoi partinë, por i dha asaj një shans të fundit t’iu njihte atyre atributet, deri në provën e kundërt. Dhe ja, fati e vuri PD-në në sprovë: zgjedhjet e Këshillit Kombëtar të PD-së, e këtu ndodhi qameti i qameteve: “hapu qiell” këta nuk u futën në Këshill Kombëtar, në këtë institucion të pleqnarëve PD-istë ku kishin dhënë kontributet e tyre ndër vite, plot repera, showgirls dhe këngëtare!

Të gjitha këto grupe janë në unison me njëri-tjetrin kundër lidershipit të PDsë, vetëm kur thonë: së pari, sepse votat u zhdukën pasi ky nuk doli të gjakoset në bulevard që ata të merrnin karrigen e merituar. Së dyti, sepse lideri aktual dhe lideri historik janë dy oponime, ndërkohë që nuk nxorën asnjë fjalë kur ata i pasuan njëri-tjetrit trashëgiminë e stafetës politike. Këto ngjajnë me dhimbjet e atyre që qajnë edhe sot Enverin, se fajin e kishte Nexhmija. Por mbi të gjitha, ideali më i fortë që i bashkon është lufta e pareshtur që të gjithë këta PD-istë të indinjuar bëjnë nga mëngjesi deri në darkë për hir të demokracisë në Shqipëri. Po, po! Ku? Në sheshin e luftës së përgjakshme ku kërkojnë me forcë vjedhjen e votës, mu aty, në sheshin e betejës që boti nga maja e Amerikës iu ka vënë në dispozicion: “Facebook”-un (!).

Mu aty hahen, ngërdheshen, kërcënohen, të gjithë të mbushur plot merita e të gjithë të ndëshkuar për xhelozi a smirë nga lidershipi demokrat, për vlerat e larta dhe sakrificat e pamohueshme në parti, duke nisur nga pasuritë milionere e deri tek emërimet e panumërta nepotike.

REBUSI “QUO VADIS” SHQIPËRI?

Ne jemi mirë, asnjë gjë nuk na shqetëson, nënëmadhja Shqipëri ecën krenare e ballëlartë. E vetmja gjë që nuk e ka lëshuar kurrë është krenaria dhe vaniteti bosh, edhe kur nuk ka bukë, edhe kur nuk ka shpresë, por partinë e ka të fortë. Ja për shembull në arenën e brendshme jemi të qartë se ku po shkojmë: në shtator do të mblidhet mexhlisi, me opozitë ose jo, vendimet sido që të jenë, do të kenë zot, me vulën e njomë të petritëve të votës dhe atë të thatë të diplomacisë dashamirëse shqiptare.

Në arenën ndërkombëtare, vëllezërve Kosovarë po iu jepet më në fund ajo çfarë kërkuan me gjak e me mund prej shekujsh. Lufta e tyre për pavarësi do të kalojë tanimë nga Ballkani i shqyer, që iu mungonte kaq shumë e që do t’ju japë shpresën se gjaku i patharë i martirëve të ‘99-ës do të kujtohet bash si atyre të Tivarit në ‘45-ën.

Ne ecim krenarë dhe të lumtur, ne nuk luftojmë pasi jemi paqësorë, jo se jemi frikacakë, tek e fundit i ka ditur gjithmonë të gjitha, partia dhe diplomacia, ne duhet të flemë rehat. Ah për fat, nga Covid-i nuk iku njeri në 24 orët e fundit (!). Varianti “Delta” mund t’ia lërë vendin atij “Alfa”, po tek e fundit imunitetin e tufës e bëmë, eja të rrëkëllejmë një gotë. Një lajm: pati disa aksidente, shumë vdiqën, po ç’punë kanë me ne? Një dramë: dy nga të përputhurit u ndanë. Një çudi: modelja aq e njohur e ekranit do të bëhet nënë, ndofta do të jetë gjitarja e parë që i ka ndodhur? Të gjitha këto na shoqërojnë tek ecim nën ajrin plot oksigjen me cicërimat kokëçarëse të zogjve në pyllin orbital të Tiranës, në këtë fillim gushti përvëlues ‘21./Panorama.al

Zjarr Tv Ad