Nga Hysni Gurra
Një poster i kandidatit të opozitës për Bashkinë e Tiranës ku Belo i tregon gishtat e mesit korrupsionit në Tiranë ka ngjallur reagime të bodigardëve mediatikë dhe “lukunisë” së intelektualëve të majtë.
Përdoren krahasime krejt pa vend- një artikullshkrues kujtonte reagimet ndaj ish ambasadorit të osbe-së duke ngatërruar qëllimisht objektin.
Belo e ka me korrupsionin në Tiranë, ish-ambasadori e kishte me disa zonja protestuese.
Ja pra që çdo krahasim çalon, por ky nuk ka këmbë ku të rrijë.
Si është e mundur që nuk i shqetëson korrupsioni galopant që ka mbërthyer vendin?
Si është e mundur që nuk i shqetëson fakti se Shqipëria është në vendin e fundit në Europë në luftën kundër korrupsionit sipas Transparency International.
Ja çfarë ka thënë para 10 vitesh kryebashkiaku i Shqipërisë Edi Rama.
“Në vitin 2013, Shqipëria shënoi sërish për të tretin vit radhazi vendin e fundit, nga vendet e rajonit në renditjen e indeksit global të perceptimit të korrupsionit duke marrë kështu damkën si vendi më i korruptuar në Evropë. Ulje – ngritjet e perceptimit publik në 10 vitet e fundit, objektivisht, përkojnë me reformat e kryera ose të munguara të qeverisjes. Për këtë arsye, qeveria e konsideron perceptimin e publikut mbi korrupsionin jo vetëm si tregues për gjendjen reale të tij (të korrupsionit), por edhe si masë për suksesin apo dështimin e politikave dhe programeve të qeverisë në luftën kundër korrupsionit”.
Ku jemi sot pas 10 vitesh?
Jemi shumë më keq. Shqipëria lëngon nga korrupsioni dhe skandalet e shumta.
Nuk u bëjnë përshtypje fakti se qytetarët e Tiranës paguajnë 80 mijë euro në ditë për një incinerator që as në letra nuk është në rregull.
Nuk u bëjnë përshtypje taksa e kundërligjshme për arsimin që nuk dihet se ku shkon.
Nuk u bëjnë përshtypje deformimi i ligjit për të pastrehët- që u mundëson ndërtuesve të mos japin banesa për të pastrehët që i jep ligji, por mjaftohen që të paguajnë lekë.
Nuk u bën përshtypje që ndërtimi i një shkolle të re në Tiranë kushton shumëfish krahasuar me ndërtimin e një shkolle në çdo vend të BE-së.
Nuk u bën përshtypje betonizimi i Tiranës, por shqetësohen nga gishtat e Belos.
Nuk u bën përshtypje korrupsioni dhe abuzimi, por shqetësohen si “qytetarë” nga gishtat në poster.
Nuk u bën përshtypje mungesa totale e transparencës për shpenzimet e bashkisë, por kërcejnë si t’i ketë pickuar dikush në vend të lig nga një poster.
Nuk u bën përshtypje dora e Erionit në xhepat e taksapaguesve të Tiranës, por u bën përshtypje dhe reagojnë sikur t’i ketë pickuar grenxa nga gishtat e Belos.
E pra, gishtat e Belos tregojnë korrupsionin- bodigardët e regjimit tregojnë gishtin e Belos.