Sendet personale të drejtuesve nazistë, në mes të të cilave edhe një kapele cilindrike e Adolf Hitlerit dhe një edicion luksoz i manifestit të tij politik “Mein Kampf”, u blenë për qindra mijëra euro në një ankand, që nxiti zemërim në Gjermani dhe jashtë vendit.
Kapelja cilindrike e Hitlerit u shit për 50 000 euro, ndërsa sendet dhe veshjet që i përkisnin të dashurës së tij, Eva Braunit, u shitën për mijëra euro.
Një blerës mori për 130 000 euro edicionin luksoz të “Mein Kampf”, stampuar me emblemën e partisë naziste, që i përkiste zyrtarit nazist, Herman Geringut.
Në ankand u paraqitën edhe plot veshje e sende personale të drejtuesve të tjerë nazistë, si Hajnrih Himler dhe Rudolf Hes.
Në katalogun e ankandit figuronin, gjithashtu, edhe një kontratë qiraje për një apartament në Mynih e Hitlerit dhe një palë syze dielli të përdorura nga një i akuzuar, për të shmangur dritën e prozhektorëve në gjykatën e Nurembergut, e cila gjykoi krimet naziste.