Gjykata më e lartë e Skocisë ka vendosur që pezullimi i punës së parlamentit nga kryeministri britanik, Boris Johnson është i paligjshëm. Një panel prej tre gjyqtarëve ka marrë vendim në të mirë të një grupi politikanësh që kanë sfiduar vendimin e kryeministrit.
Ky vendim përmbys një vendim tjetër të gjykatës, e cila ka thënë javën e kaluar se Johnson nuk ka shkelur ligjin. Megjithatë ky vendim nuk do të ndikojë në parlamentin tashmë të pezulluar nga orët e para të së martës.
Kjo pasi, gjykata nuk ka dhënë ndonjë urdhër për anulim të pezullimit meqë javën e ardhshme do të zhvillohet një seancë e plotë në Gjykatën Supreme të Londrës. Ligjvënësit britanikë nuk pritet të kthehen në parlament deri më 14 tetor, kur do të realizohet një fjalim nga Mbretëresha Elizabetë, për të treguar planet legjislative të Johnsonit.
Një zëdhënës i kryeministrit britanik ka thënë se është i “zhgënjyer” me vendimin dhe do ta apelojë atë në Gjykatën Supreme. Vendimi për pezullim të punës së parlamentit ka ardhur teksa Britania ka 31 tetorin datë për largim nga Bashkimi Evropian.
Ligjvënësit britanikë kanë votuar një javë më parë një projektligj që i pamundëson kryeministrit britanik që ta largojë Britaninë nga blloku evropian pa marrëveshje.
Ata po ashtu i kanë kërkuar Johnsonit që t’i kërkojë BE-së shtyrje të datës për Brexit, nëse nuk miratohet ndonjë marrëveshje për kushtet e divorcit deri në fund të muajit tetor.
Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.