Kushtetuta e re Shqipërisë, e cila parashikon ngritjen e Gjykatës Speciale, për gjykimin e akuzave ndaj funksionarëve dhe ish-funksionarëve të lartë shtetëror, është reflektuar në Kodin e ri të Procedurës Penale.
Projektligji me ndryshime, i hartuar nga ekspertët e nivelit të lartë, bazuar në praktikën gjermane dhe austriake, i hap rrugën shembjes së murit të pandëshkueshmërisë në Shqipëri, duke krijuar një bazë të re ligjore për rihapjen dhe gjykimin e dosjeve të krimit dhe korrupsionit, përgjatë të gjithë trajektores së pluralizmit në Shqipëri.
Gjithashtu, me miratimin e ndryshimeve, Byroja e Kombëtare e Hetimit dhe Prokuroria e Posaçme mund të hetojnë dhe të ngrenë akuza për terrorin e ‘96, për furnizimin me naftë të makinerisë së luftës së Millosheviçit, për zhdukjet dhe torturimet nga SHIK-u, për urdhrat për shtypjen e popullit në ’97, për grushtin e 14 Shtatorit të ’98, për shpërthimin e Gërdecit, vrasjet e 21 Janarit, për një sërë me krime ekonomike si dhe për çdo dosje të pagjykuar apo e gjykuar pjesërisht. Kodi i ri të Procedurës Penale pritet të miratohet dhe zbatohet gjatë vitit 2017, çka përkon edhe me ngritjen e institucioneve të reja kundër krimit dhe korrupsionit, si Prokuroria e Posaçme, Byroja e Hetimit dhe Gjykata Speciale.
Ndryshimi/ Ndryshe nga Kushtetuta, projektligji për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, ka bërë një saktësim sa i takon kohës së kryerjes së veprës penale nga ish-funksionarët e lartë, të cilët do të gjykohen nga Gjykata Speciale.
Konkretisht, projektligji parashikon që, ish-presidentët, ish-kryeministrat, ish-ministrat, ish-kryebashkiakët, ish-deputetët etj., do të gjykohen nga Gjykata Speciale për çdo vepër penale, të kryer gjatë ushtrimit të detyrës.
Nëse për funksionarët në detyrë nuk ka një saktësim apo kufizim kohor, ligji i ri parashikon që ish-presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha, së bashku me të gjithë ish-funksionarët e tjerë të parashikuar në Kushtetutë, do të gjykohen nga Gjykata Speciale për çdo vepër penale, të kryer gjatë ushtrimit të detyrës, shkruan ‘shqiptarja.com’.
“Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjykon akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë̈, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë̈, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj.
Akuzat penale kundër ish-funksionarëve të mësipërm, kur vepra është kryer gjatë ushtrimit të detyrës”, thuhet në projektligj, i cili ndryshon nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale.