Gjyqi ndaj Berishës, avokatët braktisin seancën, gjykata bën lëvizjen e papritur

0
8
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), ka zhvilluar pasditen e ditës së djeshme seancën me dyer të mbyllura për ish-kryeministrin Sali Berisha, në lidhje me privatizimin e kompleksit “Partizani”.

Pas dy orëve seanca është ndërprerë, pasi avokatët e Sali Berishës, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi kanë braktisur gjyqin me argumentin se gjykata shkeli kushtetutën dhe ligjin duke mos pranuar kërkesën e tyre për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.

Pas daljes nga salla në një deklaratë për mediat, Gjokutaj tha se u kërkua që të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese vendimi për caktimin e kufizimeve ndaj Sali Berishës, por kjo nuk është pranuar.

Avokati i ish-kryeministrit, Genc Gjokutaj: “Ne u paraqitëm sot në seancë, siç e dini kemi paraqitur një kërkesë dje për përjashtimin e gjyqares dhe sot kemi bërë kërkesë që të na japin dhe procerverbalin audio dhe gjyqësor si pjesë të provave për të kompletuar praktikën dhe depozitimin e kërkesës në sekretarinë gjyqësore.

Kemi kërkuar që gjykata të na japë një kopje të akteve që Gjykata pretendon se e ka vendosur dje, dhe pa u njohur me aktet merr vendim që të vazhdojë seancën. Kemi kërkuar që Gjykata të marrë iniciativën dhe të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim çështjen e kufizimit apo heqjes së lirisë, që justifikon mosdërgimin e kërkesës përcaktimit masës së sigurisë, dhe masat që janë marrë Gjykata mori vendim për ta rrëzuar këtë kërkesën tonë dhe ne morëm vendim që të largohemi”

Sakaq GJKKO në një deklaratë për mediat sqaron formën se si u zhvillua seanca ndërsa njofton se ka vendosur të caktojë një avokat kryesisht për të vijuar procedurën. Avokati kryesisht i seancave në vijim do të jetë Artan Simoni.

“Nga ana e mbrojtësve u parashtruan 2 kërkesa, e konkretisht: Për vënien në dispozicion të kopjeve së akteve të hetimeve paraprake të depozituara nga ana e organit procedues, CD-audio të seancës së shkuar gjyqësore dhe transkriptimin e saj si dhe njëherazi kërkuan dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për gjykim incidental, lidhur me interpretimin e nenit 73, pika 2 të Kushtetutës,” – informon GJKKO.

Kjo e fundit bën me dije se ka pranuar kërkesën për vënien në dispozicion të CD-audio të seancës së shkuar gjyqësore dhe transkriptimin e saj, kundrejt tarifave respektive, por ka rrëzuar kërkesën për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për gjykim incidental, lidhur me interpretimin e nenit 73, pika 2 të Kushtetutës.

“Pas marrjes së mendimit të prokurorëve, në kushtet që 2 avokatët e zgjedhur nga ana e të hetuarit Sali Berisha, av.Sokol Mëngjesi dhe av.Genc Gjokutaj u larguan nga salla e gjyqit, bazuar në nenin 6, 48 dhe 248 të K.Pr.Penale, gjykata vendosi të caktojë kryesisht avokatin Artan Simoni, anëtar i Dhomës Vendore të Avokatisë Tiranë, në mbrojtje të interesave të ligjshme të të hetuarit Sali Berisha,” – informoi GJKKO.

Zjarr Tv Ad