Humbja e PD-së dhe një propozim për të nesërmen

0
47
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga: Preç Zogaj

Vae Viktis”, thotë një shprehje e vjetër latine. Që në shqip përkthehet “ mjerë të humburit”. Kurrizi i tyre mban gjithçka. Shkaqe te arsyeshme dhe idiote. Inate të bartura, shqelmime të befta, anatema, gjykime të formës së prerë. Nga kushdo që ka në dorë një gurë për tua hedhur. E kam parë fytyrën e humbjes në fytyrën time në pasqyrë. Me është dhënë rasti ta shoh tre- katër herë në fytyrën e Sali Berishës. Të Edi Ramës kur po humbte zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Tiranës në vitin 2011. Të Lulzim Bashës në zgjedhjet e vitit 2017.

Humbja ka një spikamë që të lë të heshtur edhe kur ke diçka për t’i thënë- qortim, kritikë, kërkesë llogarie apo largimi- atij që e mishëron atë në shtangien e tij, në pamjen e tij të menduar, të vrarë, ku duket sikur ora ka ndaluar. Në këtë fragment të trishtë të humbjes heshtja zakonisht e shtyn fjalën për nesër, për pasneser. Sepse e vërteta nuk ikën, nuk ka ku shkon. Aty është. Ajo madje mund të kapet më mirë pasi të ftohen pak emocionet dhe të dekantojë turbullimi.

Përse humbi PD në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit në gjashtë bashki? Para se të hedh edhe unë dy tre arsye në festivalin e shumë arsyeve, duhet të themi se këto zgjedhje nuk ishin dhe nuk janë udhëkryqi i madh i historisë sonë, siç po fryhen lart e poshtë. Është shumë -shumë e sforcuar tu vësh këtë barrë. Ambasadori gjerman u dëgjua të thoshte ditën e votimeve nga Shkodra se kishte ardhur në këtë qytet veç të tjerave edhe për të shuar një kuriozitet – çfarë janë dhe si janë këto zgjedhjet e pjesshme që nuk ekzistojnë në Gjermani. Te ne ekzistojnë. Ato fitohen gjithmonë nga ata që drejtojnë bashkitë në garë. Siç ndodhi edhe kësaj radhe ku pesë bashki që kishin socialistët i fituan po socialistët dhe një që kishte mbetur e PD-së që nga zgjedhjet e vitit 2015, por kishte kaluar me Lëvizjen e Berishës, e fitoi kjo Lëvizje.

Kësaj radhe mbi supet e tyre u vu barra për të matur mbështetjen e Lëvizjes hakmarrëse të Sali Berishës dhe aleatëve të tij kundër Lulzim Bashës dhe PD-së që ka mbështetur qëndrimet e këtij të fundit në linjë me SHBA për të sanksionuarit non gratta, një prej të cilëve është Sali Berisha. Ato u shpallën në një moment paqartësie për të vërtetën e krizës brenda PD-së, me një Berishë në sulm të pandalshëm dhe me një Bashë kryesisht në mbrojtje dhe në asimetri me sulmet e Berishës. Kriza ka pasur nevoje për kohë që të sqarohet më mirë. Zgjedhjet e datës gjashtë mars do ta kapnin në kundërkohe PD-në. Ashtu siç pritej dhe bash për arsyen për të cilën u zhvilluan në atë datë, koalicioni trepalësh “Shtëpia e Lirisë” e realizoi objektivin që kishte për të nxjerrë PD-në në vend të tretë dhe për të nxitur e shpresuar mbi këtë bazë tretjen e saj në Levizjen për Rithemelimin të udhëhequr nga Berisha.

Në vend që të njihen reciprokisht si dy opozita kundërshtare me njëra tjetrën për arsyet që dihen, pala e Rithemelimit dhe disa prej mbështetësve e saj mediatikë, me padurimin që ecën para ngjarjeve dhe realiteteve, po i trajtojnë demokratët që votuan PD-së si rrugëhumbur dhe vetë PD-në si një subjekt të shpartalluar. Duke nënvlerësuar apo injoruar faktin se pavarësisht dizavantazheve të dukshme dhe kohës së papërshtatshme, PD, po të heqim Vorën ku praktikisht konkuroi sa për sy e faqe, pa pasur as komisonerë, ka marrë mbi 15 përqind të votave, ka dalë në vend të dytë në bashkinë e Rrogozhinës, ka marrë në Dibër me shumë vota se Lëvizja e Berishës, që qëndron nja dyzet vota përpara vetëm falë faktorit LSI. E njoh aspektin meskin të këtyre llogaritjeve, por për sa kohë që “beteja” po bëhet kush është para tjetrës mes dy grupimeve humbëse nuk mund ty mos bëhen.

Avantazhi e pastër i Lëvizjes së Berishës është më e vogël se sa po thuhet nëse i zbriten votat e LSI që janë të konsiderueshme në të gjashtë bashkitë, të PDK-së që nuk janë të papërfillshme sidomos në Bashkinë e Shkodrës dhe të ca partive të tjera të vogla të koalicionit opozitar të 25 prillit që nuk u rreshtuan nga pikëpamja formale në zgjedhjet e pjesshme, por kanë votuar Shtëpinë e Lirisë. Sigurisht PD ka humbur, rezultatet e saj në Durrës dhe Lushnjë janë larg pritshmërive, gjë që nuk mund ta themi për Shkodrën, Dibrën dhe Rrogozhinën ku sipas meje rezultatet i përgjigjen pritshmërive në rrethanat e çarjes dhe turbullirës së madhe të momentit kur u zhvilluan. Në këto tre bashki mendoj se PD ka marrë me shumë se sa i ka taksur tërë kohës pala kundërshtare brenda saj.

Vetë Lëvizja e Berishës pa LSI dhe partitë e tjera të vogla, ka marrë më pak se sa i takste vetes së vet përgjatë kësaj kohë. Të gjitha këto i themi për të nderuar të vërtetën ashtu siç është dhe aspak për të justifikuar humbjen e PD-së. Humbja ka disa shkaqe që janë të rrethanave dhe brenda saj. Unë do të veçoj këtu si arsye të rrethanave jashtë PD-së faktin që kjo parti dhe kryetari i saj Lulzim Basha shkuan në këto zgjedhje duke qenë nën agresionin e Sali Berishës dhe mbështetësve të tij për gjashtë muaj me radhë. PD shkoi e shqyer në këto zgjedhje dhe kush ka menduar një rezultat normal të saj në këto kushte është minimalisht naiv. Në lidhje me qëllimin e nxjerrjes së renditjes mes dy pjesëve të PD-së, këto zgjedhje ishin shumë larg së qeni laboratorike. Berishës i duhej t’i bënte shpejt sa pa u sqaruar në dritën e transparencës dhe drejtësisë, qoftë në Francë ku ka bërë padi, qoftë në Shqipëri, brendia e shpalljes së tij non grata nga SHBA. Basha kishte nevojë për kohë. Që nuk e pati.

Nga ana tjetër fushata nxori në pah dobësitë e mëdha organizative të PD-së, vonesat e saj në nxjerrjen e kandidatëve, njëlloj plogështie që kontrastonte me fushatën aktive dhe agresive të Shtëpisë së Lirisë. E vërtetë se mbizotëroi moderacioni dhe konstruktivizmi në fjalimet e Luzim Bashës; e vërtetë se kandidatët e PD-së në tërësi paraqitën një model tjetër. Por në një garë të pjesshme dhe të imponuar, që është kurdisur për të të bërë keq , dalin në plan të parë qasjet e mbijetesës dhe kthimit të goditjeve në kuptimin politik të fjalës. Në këtë fushatë, në raport me sulmet e pareshtura të Berishës kundër tij, Lulzim Basha u rikthye në përdorimin e asimetrisë, njëlloj si në tre muajt e parë të Foltores, që janë edhe tre muajt e boshllëkut të madh që la ai në bazën e partisë ku u dëgjua vetëm zëri i Berishës.

Sidoqoftë, sot jemi këtu jemi. Gjeja me e trishtë dhe madje qesharake është të kunduarit e fitores nga humbësit e vendit të dytë. Në një kohë kur ka humbur gjithë opozita. Përçarja e opozitës nuk i ka dhënë asnjë fitore PS-së në kuptimin e numrave të zgjedhësve që kanë marrë pjesë në votim. Por i ka dhënë në kuptimin e abstenimit të pashembullt që ka goditur fuqishëm pikërisht subjektet e opozitës, PD, Lëvizjen e Rithemelimit, LSI e tjerë. Mendoj se goditjen me të madhe nga abstenimi duhet ta këtë marrë PD-ja. Shtëpia e Lirisë ka qenë në fushatë permanente nga shtatori i vitit të kaluar deri ditën e fundit të fushatës së 6 marsit. Ajo ka pasur kohë t’i marrë dhe i ka marrë numrat e vet, duke e përmbushur në ekstrem përpjekjen. Ndërkohë që PD nuk ka mundur të nxjerrë në votim një numër shumë të madh demokratësh që ndërsa e kanë ndarë mendjen të mos votojnë Berishën kanë qenë dhe janë hezituese, ose të pabindur me Bashën.

Për momentin, ndërsa humbja ka ngritur siparin e analizave, reflektimeve , gjykimeve, ripozicionimeve, kurbaneve, e tjerë, mendoj se zgjedhjet janë i vetmi mjet i takimit real me anëtarësinë dhe i legjitimit me votë të lirë të çdo drejtuesi në gjithë piramidën demokrate nga seksioni më i thjeshtë deri te kryetari i saj. Këtu e shoh unë zgjidhjen e parë të bashkimit dhe ringritjes.

Zjarr Tv Ad