I dënuar përjetë/ Atentatori i Naim Zyberit apelon vendimin e Gjykatës së Tiranës! Si e fshehu silenciatorin në tufën me lule, i vendosi hasmit jastëkun…

0
214
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

NIKOLETA KOVAÇI/ Janë plot 8 vite që Arben Grori iu drejtohet gjykatave të vendit për t‘i hequr burgun e përjetshëm.

Kërkesa e parë u regjistrua në vitin 2014 dhe, që prej asaj dite, ai është një nga emrat më të përfolur të krimit që kërkon të rishikohet vendimi i dënimeve të huaja që ai ka kryer jashtë Shqipërisë. Disa javë më parë, Grori i është drejtuar Gjykatës Penale të Tiranës me kërkesë për rishikim të dënimeve të huaja që ai ka kryer jashtë Shqipërisë. Për shkak se avokatët mbrojtës të Grorit nuk u paraqiten, kërkesa është cilësuar e pa pranueshme nga gjykata dhe është rrëzuar, por ai ka apeluar këtë vendim.

I vënë nën disa akuza nga drejtësia italiane, jo nga ajo shqiptare asnjëherë, Arben Grori, përveç dënimit me burgim të përjetshëm nga Italia, aso kohe pati edhe një akuzë për trafik droge e pjesëmarrje në organizatë kriminale ku u dënua me 15 vite burg të tjera shtesë, përveç burgut të përjetshëm që kishte për vrasjen e Naim Zyberit në gushtin e vitit 1997. Grori, sot 51-vjeçar, kërkon të rishihen vendimet e dënimit për të pasi të gjitha ato vendime janë të ardhura nga gjykatat e Italisë dhe se në vendin tonë ai nuk ka asnjë akuzë apo vendim kundër tij.

Pak kohë më parë, u vendos një rigjykim i çështjes së tij në Gjykatën e Tiranës, por procesi ngeci për shkak se ai herë pas herë kërkonte ndryshimin e trupës gjyqësore, e për pasojë, ngeci edhe mundësia për t’u shqyrtuar kërkesa e tij e depozituar që në 2014 për heqjen e burgimit të përjetshëm. Ndër të tjera, Grori shpeshherë për të realizuar përfitimin iu është drejtuar edhe mjekëve, të cilët e kanë kuruar ndër vite atentatorin e Naim Zyberit, por sërish gjykatat tona nuk e kanë marrë parasysh, ndonëse në fakt rreth 3 vite më parë shoku dhe miku i tij, Gerd Gjinarari, i cili u tha se qëlloi me 5 plumba Naim Zyberin në spitalin e Milanos, për t’u hakmarrë për vrasjen e vëllait të Grorit, mundi ta fitonte lirinë, pasi Gjykata kishte vendosur heqjen e burgut të përjetshëm, duke u bazuar kryesisht te sjellja e mirë e tij. Gjinarari, pasi uli dënimin në 25 vite burg, mundi edhe të fitonte lirinë dhe të linte qelinë, ndërkohë që kishte të njëjtat akuza me mikun e tij, Arben Grori.

ATENTATI NDAJ NAIM ZYBERIT

Policia italiane do të shokohej nga një atentat që i ndodhi në një dhomë spitali në të cilën ishte shtruar një i plagosur me armë zjarri i transferuar nga Spitali i Torinos. Për shkak të nivelit të lartë të kërcënimit të jetës që i bëhej të huajit të mbijetuar nga prita, ata vendosen edhe dy punonjës policie në shërbim 24 orësh në derën e Spitalit në Milano. Por, tre shqiptarë janë paraqitur një mbrëmje në derën e dhomës së shqiptarit dhe kanë kërkuar ta takojnë. Bashkë ishin Arben Grori, Gerd Gjinarari dhe një person tjetër që nuk u identifikua asnjëherë. Ata kishin një tufë me lule në duar brenda së cilës kishin fshehur një pistoletë me silenaciator.

Pasi hyjnë në dhomë, ata vendosin një jastëk në gjoksin e hasmit të tyre duke e qëlluar me 5 plumba dhe më pas largohen pa lënë asnjë gjurmë. Pasi u konstatua ngjarja, policia u vu në lëvizje dhe identifikoi dy prej tre personave që kishin qenë në dhomën e spitalit për ta takuar Zyberin. U shpallën në kërkim në të gjithë Europën, ndërkohë që Grori ikën nga Italia, vjen në Shqipëri dhe nis aktivitetin e biznesit në vend. italianët nuk pushuan për asnjë çast së kërkuari Shqipërisë arrestimin dhe ekstradimin e tij, pasi gjykata e Milanos kishte vendosur 2 vjet pas ngjarjes në Spitalin e Milanos burg të përjetshëm për dy shqiptarët. Arben Grori u tha se e kërkonte kokën e Naim Zyberit për shkak se ai i kishte vrarë të vëllanë, Artur Grori, ngjarje për të cilën kuksiani u arrestua, por pasi u hapen burgjet në ‘97-n ai u largua nga qelia dhe Shqipëria.

ARRESTIMI I GRORIT

Grori vendosi të qëndronte brenda vendit pasi ai pretendonte se kishte ekzekutuar një prej njerëzve më të fuqishëm të botës së krimit në vend. Ndonëse në vendin tonë ai rezulton pa asnjë dosje penale, edhe pse për emrin dhe bëmat e tij u fol shumë atyre vitesh, ai u përndoq nga hetimi italian duke e akuzuar, hetuar dhe gjykuar edhe për trafik ndërkombëtar droge në kuadër të organizatës kriminale. Në momentin kur Grori arrestohet në vendin tonë, me urdhër të shumëpërsëritur nga drejtësia italiane, ai refuzoi të ishte autori i ngjarjes së spitalit të Milanos.

Për pasojë ai që në fillim nuk e pranoi masën e arrestit me burg pa afat, por gjykatat tona nuk mund ta ndryshonin vendimin që kishte mbërritur nga Italia, ku përveç burgut të përjetshëm ndaj tij erdhi edhe një vendim tjetër me 15 vjet për trafik lëndësh narkotike. Grori e nisi betejën me drejtësinë që në momentin që u arrestua, madje e paditi Shqipërinë edhe në Gjykatën Ndërkombëtare, duke fituar një shumë prej 8 mijë eurosh, ndërsa pjesa tjetër e fitimit duhej t’i kalohej Gjykatës për shpenzime. Në vendimin e kësaj Gjykate shpjegohet me detaje gjithë procedura e ndjekur nga drejtësitë e dy vendeve me çështjen e dënimit të Arben Grorit, i cili ka tentuar disa herë ta thyejë drejtësinë shqiptare për të rishikuar atë vendim që ka ardhur nga një gjykatë e huaj dhe jo nga një gjykatë vendi.

Por përkundër mikut të tij që mori pjesë në atë ngjarje në spitalin e Milanos, që fitoi lirinë, Grori duket se do t’i duhet ta vijojë sërish betejën për ta ndryshuar burgimin e përjetshëm. Më herët, u tentua rigjykimi, po ashtu edhe dhënia e ditëve të uljes së dënimit sipas ligjit për shkak të sjelles së mirë, por ndërhyri menjëherë ILD-ja, duke ndëshkuar magjistratin që e kishte ndërmarrë atë vendim. Ai gjendet pas hekurave prej më shumë se dy dekadash, por vetëm për dënimin e ardhur nga Italia dhe për asnjë çështje në vendin e tij.

Zjarr Tv Ad