Kompania Golden Eagle (Frutex), shpreh keqardhjen e saj lidhur me vendimin e befasishëm të produksionit të Big Brother VIP Albania për ndërprerjen e njëanshme të marrëveshjes së sponsorizimit dhe promovimit të produkteve të Golden Eagle dhe Natural.
Pavarësisht faktit se marrëveshja origjinale ka paraparë sponsorizimin për ciklin e plotë të këtij edicioni të BBVA, para përfundimit të këtij cikli, kompanisë Frutex i janë imponuar kushte të reja të sponsorizimit, në kundërshtim të plotë me marrëveshjen fillestare.
Produksionit të BBVA i është bërë me dije se veprimi i tillë cënon dispozitat kontraktuale dhe rrjedhimisht pamundëson vazhdimin e bashkëpunimit pas imponimit të kushteve të reja.
Kompania Frutex/Golden Eagle do të respektojë zotimet e saj për partneritet me protagonistin e këtij edicioni të BBVA, Luiz Ejli, pas daljes së tij nga shtëpia, megjithëse atij dhe protagonistëve të tjerë u është pamundësuar në mënyrë joetike konsumimi i mëtejmë i pijes së preferuar, Golden Eagle.
Një veprim i tillë i produksionit të BBVA është i paprecedentë, joetik dhe aspak profesional, që minon mundësitë e bashkëpunimit korrekt,
prandaj kompania Frutex, do të shqyrtojë hapat e mëtejmë për të adresuar këtë shkelje të njëanshme të dispozitave kontraktuale.