Ilir Demalia: Protesta e 7 korrikut për hallet e Berishës dhe presion për mercenarët, kreu i ‘Foltores’ është i damkosur nga SHBA dhe s’mund të vijë në pushtet

0
131
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Gazetari dhe publicisti i njohur shqiptar që jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuar të Amerikës, Ilir Demalia shprehet i bindur se protesta e 7 korrikut e thirrur nga “Foltorja”, sipas tij, bëhet për të treguar ish-kryeministri Sali Berisha forcën me naivët ose me mercenarët e vet. Sipas Demaliajt, po të kishte opozitë të vërtetë sot në Shqipëri nuk do të ishte kryeministri Edi Rama në këto kushte që është fare i qetë. Madje, gazetari Demalia theksoi se Rama ka dhe mbështetje e ndërkombëtarëve pasi “nëse do të bëjmë një rrotacion siç thotë Niçja për të nxjerrë njërën këmbë në një kohë që zhytesh me dy këmbët siç kemi bërë këto 30 vjet atëherë, thonë (ndërkombëtarët) lërë”. Më tej analisti foli mbi sulmin që Edi Rama i bëri një gazetari në konferencën për gazetarët ditën e premte, ku tha se është i “dënuar” dhe nuk është  i mirëseardhur në asnjë konferencë shtypi. Demaliaj u shpreh se kjo sjellje është brenda karakterit të Ramës, arrogancës së tij, mitomanisë së tij. Gjithashtu ai tha se Rama kujton se është njeriu më i zgjuar dhe më i pastër në botë në një kohë që është llum si pjesë e llumit të gjithë kësaj klasë politike.

-Zoti Demaliaj, si e kujtoni 2 korrikun e vitit 1990?

Në fakt atë ditë do doja mos ta kujtoja sepse unë nuk e shikoj historinë si referencë kujtese për propagandë, por unë e shikoj historinë si një ballafaqim me të vërtetën për të kuptuar atë që ka ndodhur dhe si ka ndodhur. Historia jonë  dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për ngjarjen e ambasadave, por gjithë ngjarjet e viti 1990 janë histori e manipuluar, e stimuluar nga ata njerëz të cilët i kanë shërbyer të keqes. Pastaj për të mos tu futur në disa gjëra që janë qesharake si janë deklaratat që sot bëjnë politikanët kur nuk kanë bërë akoma një studim të historisë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me historinë tonë që të mos përsëritet si është duke na u përsëritur. Për të kujtuar me tullumbace vetëm e bënë qesharake dhe atë pjesë dramatike të atij momenti historik dhe atë pjesë që ka një vlerë. Ata që u rebeluan pa pasur asnjë nga pas si ndodhi në nëntorin e 1990 ata bënë atë akt dhe pastaj ikën në punë të vet. Kështu që unë nuk kam nevojë ta kujtojë, problemi është se ne akoma edhe sot e kësaj dite ne fshehim historinë, ne dalim dhe flasim sot këta që ndëshkuan 2 korrikun me në krye Sali Berishën, dalin dhe flasin sot për 2 korrikun këta intelektual që pas një muaj mbledhje me Ramiz Alinë dolën si faqja e zezë. Nuk patën kurajë që të të thonë një fjalë. Unë mendoj se do zbërthyer i gjithë viti  ’90, si ndodhi, kush i emëroi këto kryetar partish sepse nuk krijohet partia brenda 24 orëve me njerëz që nuk e njohin njeri tjetrin. Ato të gjitha u krijuan me urdhër nga lartë dhe nga sigurimi i shtetit. Të gjithë i dimë, por asnjë nuk flet për dy korrikun janë bërë gjithsej dy libra, një të cilin e kam bërë unë dhe një libër me dokumente arkivore që e ka bërë Afrim Krasniqi dhe është një libër shumë interesant. Por, pse nuk flitet si ndodhi, pse i lejoi Ramiz Alia, po jo të duartrokasim si bënë Ilir Meta. mos ta bëjmë dy korrikun sikur aty ishte elita intelektuale e vendit, sepse po të kishte qenë elita nuk kishte nevojë që të shkohej tek ambasada sepse do të ishte rrëzuar regjimi brenda 24 orëve.

-Ju personalisht çfarë ju shtyu për të kaluar murin e ambasadës gjermane, sepse kjo mund të sillte edhe pasoja për familjarët tuaj?

Më shtyu vetëm liria, asnjë gjë tjetër. Unë gjithmonë kam dashur që të jem një njeri i lirë. Janë 100 faqe të dosjes sime nga sigurimi i shtetit që unë i kam botuar edhe raportet e ambasadës gjermane janë akte nuk është ato që mendon Ilir Demaliaj, por ca thonë dosjet dhe faktikisht unë ato dosje i kam marr nëpërmjet rrugëve të tjera, sepse autoriteti i dosjeve më ka dhënë vetëm dosjet e para ‘90 dhe nuk më ka dhënë dosjet pas ‘91. Nuk është puna se unë këto i bëra duke organizuar njerëz, por i bëra në mënyrë individuale për lirinë time. Unë kam kërkuar që të marr dokumente dhe nuk më është lejuar, nuk lejojnë këto, këto mbajnë njëri-tjetrin dhe nuk është rastësi që sot në kryesimin e medias, jetës kulturore dhe politikës janë ish-shërbëtor të regjimit komunist dhe të sigurimit të shtetit.

-Duke bërë një paralelizëm midis Shqipërisë në diktaturë dhe Shqipërisë sot, më parë dënoheshe për fjalën e lirë, ndërsa sot çohen për riedukim gazetarët. Si e shihni këtë qëndrim të kryeministrit Edi Rama?

Unë mendoj se kjo nuk është asgjë, sepse mendoj se nuk mund ta krahasojmë kurrsesi periudhën e para ‘90 ose diktaturën me kohët tani. Nuk është diktaturë kjo sot, sepse ka shumë katundarë dhe injorantë që kanë bllokuar median dhe mendojnë se po shkatërrojnë në mënyrë imagjinare komunizmin, komunizmi ka vdekur dhe nuk është meritë e Ramës, por sepse e vdiq koha. Sot nëpërmjet korruptimit shoqëror, nëpërmjet sundimit të ekonomisë nga krimi është duke u vendosur një autoritarizëm absolut i cili po i thyen njerëzit. Për sa i përket asaj pjesë së riedukimit unë nuk e di pse Rama po e bënë sepse gazetari mund të shkel edhe etikën dhe nuk mund të shkelësh fjalën e lirë edhe pse pjesa më e madhe e gazetarëve sot janë patllake të bandave politikë, por ai s’ka pse të japi riedukim. Për mua kjo është një gafë e Ramës kjo që ka bërë, por ndoshta e bënë edhe me qëllim për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e tjera që ka. Nuk mund të mbyllësh fjalën e lirë, por Rama kujton se është njeriu më i zgjuari, por Rama është llum.

-Në datën 7 korrik opozita organizon një protestë pas shumë kohësh. Si e shikoni këtë protestë?

Po të kishte opozitë të vërtetë sot në Shqipëri nuk do të ishte Rama në këto kushte që është fare i qetë dhe i ka lënë Spiropalin. Merret Spiropali me to, ose Ballën, këto të dy, nuk merret fare me to. Është fare i qetë sepse Rama jeton në një situatë shumë të favorshme për të, por jo të favorshme për shqiptarët. Ai në aspektin ndërkombëtar mbështetet se ndërkombëtarët e shohin gjendjen e opozitës në Shqipëri. Nëse do të bëjmë një rrotacion siç thotë Niçja për të nxjerrë njërën këmbë në një kohë që zhytesh me dy këmbët siç kemi bërë këto 30 vjet atëherë thotë lërë. Dhe kjo është gjendja. Nuk mund të vijë si një alternativë me këtë njeri që është sot. Me një njeri që është i damkosur nga SHBA si Sali Berisha. Të sjellim prapë Berishën, a e kupton sa gjendje e mjerë është kjo për një popull. Kjo ndodh sepse ne nuk kemi media të lirë, nuk ka shoqëri civile, nuk ka ndërgjegje kombëtare dhe nuk ka dinjitet. Protesta e 7 korrikut është “u mbars mali dhe polli një mi”. Kjo bëhet për të treguar Berisha forcën me naivët ose me mercenarët e vet. Dy palë njerëzish do të shkojnë në atë protestë naivët dhe mercenarët që kanë përfituar në kohën e Berishës, Rama nuk shqetësohet për këtë farë.

-Në 32 vite pluralizëm elita politike vijon që të mbetet e njëjta në Shqipëri. Pse mendoni se ndodh kjo, pse nuk ka ndryshim?

Nuk ka ndryshim sepse shoqëria shqiptare nuk ka ndërgjegje dhe ajo që dua të them është se sot ne nuk kemi ekonomi jo të mirë, por kemi atë që shqiptarët jetojnë përmes ekonomisë kriminale dhe kjo gjë i bënë të mos ngrihen. Nëse ekonomia do ishte keq nuk do i shihnim rrugëve me makina të shtrenjta kur nafta është më e shtrenjtë se në vendet e tjera, nuk do i shihnim plazhet plot me Shezlongë që i marrin të shtrenjta, pra si jetojnë këta shqiptarë, vetëm me trafiqe kriminale dhe korrupsion politik. Ne nuk jemi popull që kemi bërë ndonjë gjë deri tani, lëri retorikat që bëjnë këta në televizione. Unë mendoj se 7 korriku nuk do sjell asgjë, ne nuk jemi demokraci dhe shtet me institucione të pavarura sepse opozitat në vende të tjera nuk synojnë të rrëzojnë qeverinë, por dalin me programe të caktuara për qytetarët dhe pastaj kur vijnë zgjedhjet le të fitojë më i miri dhe ai që duan qytetarët. Ne duhet të kuptojmë se jemi vite dritë drite larg i asaj që quhet shtet i së drejtës dhe demokraci.

Zjarr Tv Ad