INTERVISTA/ Konstitucionalisti i njohur: Përse ka interes publik njohja e ligjit “Për partitë politike”! Ja si veprohet kur gjykata vendos mosregjistrimin

0
24
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Konstitucionalisti i njohur Niazi Jaho tregon se përse ka interes publik njohja e ligjit “Për partitë politike”.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, i pyetur se përse po vonon vendimi i Gjykatës së Apelit për të regjistruar ndryshimet e statusore të propozuara nga “Foltorja”, zoti Jaho nuk preferon t’i përgjigjet, por sqaron të gjithë procedurën ligjore që ndjek gjykata në regjistrimin e një partie politike apo edhe ndryshimeve të vazhdueshme statusore që partia propozon dhe i depoziton në gjykatë.

Zoti Jaho, gjykata ende nuk ka zgjidhur konfliktin lidhur me regjistrimin në këtë organ të drejtësisë të ndryshimeve në statutin e PD-së. Kërkesa për këtë është paraqitur në Gjykatën e Shkallës së Parë nga përfaqësuesit e “Foltores” dhe është vendosur në favor të saj. Ky vendim është atakuar në Gjykatën e Apelit nga sekretari i Përgjithshëm i PDsë, Gazmend Bardhi, por deri më sot ankesa nuk është shqyrtuar. A keni ndonjë mendim për shkakun e kësaj vonese dhe për zgjidhjen e ligjshme të saj?

Unë di vetëm ato që ka informuar media, d.m.th. që deri më sot konflikti nuk është zgjidhur, sepse Gjykata e Apelit nuk është shprehur. Interpretime dhe supozime nuk më lejohet të bëj. Megjithatë, çdo qytetar i interesuar dhe media kanë të drejtë të kërkojnë informacion. Sipas nenit 46 të Ligjit 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, mund të kërkohet informacion në zyrën e “Shërbimit të marrëdhënieve me publikun”, pranë Gjykatës përkatëse.

Publiku është i interesuar të dijë si e trajton ligji, regjistrimin e partive politike dhe në veçanti ndryshimet që mund të bëhen në statutin ose programin e tyre. Për këtë, në aspektin ligjor, a mund të jepni ndonjë sqarim?

Që në vitin 2000 është miratuar ligji nr.8580 “Për partitë politike”. Ai është ndryshuar në vitin 2011, 2 herë në vitin 2014 dhe herën e fundit me ligjin 90, datë 22.05.2017. Sipas këtij ligji, regjistrimi i partive bëhet në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Tiranë, e cila mban edhe regjistrin e partive politike.

Çfarë procedure dhe çfarë kushtesh duhet të përmbushen para këtij regjistrimi nga partia politike?Është e domosdoshme që mbledhja e anëtarëve themelues të partisë politike të ketë miratuar dokumentet e partisë, programin, statutin, si dhe organet drejtuese të saj. Veç kësaj, partia politike regjistrohet me kërkesë të nënshkruar nga jo më pak se 3 mijë anëtarë themelues.

Çfarë shënohet në regjistrin e partive politike?

Kur Gjykata miraton regjistrimin e partisë politike, në regjistër duhet të pasqyrohet: numri i vendimit gjyqësor; data e shpalljes së tij; dispozitivi i vendimit; emri i plotë i partisë; inicialet e partisë; stema e partisë; përshkrimi i konfiguracionit të vulës; emri i kryetarit; numri i anëtarëve të partisë etj. (shih nenin 9 të ligjit)

Veç elementëve të mësipërm, çfarë çështjesh duhet të pasqyrohen në regjistrin e partive politike?

Në dokumentin për regjistrim, duhet të përmenden (të fiksohen) emërtimi dhe selia e partisë, qëllimet dhe detyrat e saj, organet udhëheqëse dhe ndërtimi i partisë si dhe burimet fillestare të financimit. Inicialet dhe emblemat e partive nuk duhet të përputhen me asnjë parti tjetër, ndërsa në zgjedhje (është fjala për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale) përdoren vetëm emrat dhe inicialet e partive politike që janë regjistruar (shih nenet 11 dhe 12 të ligjit).

Me kalimin e kohës, në rrethana dhe kushte të tjera, mund të jetë e nevojshme që me statutin, programin ose elemente të tjera, të bëhen ndryshime. Si trajtohet në ligj kjo çështje?

Në nenin 14 të ligjit thuhet se: “Dispozitat e këtij ligji për regjistrimin e partive politike, janë njëlloj të vlefshme për ndryshimet dhe fshirjet në regjistrimet e mëparshme”. Që do të thotë se edhe këto duhen bërë me vendim të gjykatës. Kërkesa për ndryshime në regjistrin e partive politike bëhet nga organi i partisë që ka në kompetencë përfaqësimin e saj ndaj të tretëve (shih paragrafin 2 të nenit 14).

Si veprohet nëse Gjykata vendos regjistrimin ose mosregjistrimin e partive politike?

Sipas nenit 15 të ligjit, mund të bëhet ankimim brenda 15 ditëve nga data e shpalljes së vendimit të gjykatës.

Kur ka marrëveshje midis palëve për përkatësinë e emrit, simbolit, të flamurit të partisë dhe të pasurisë, a mund të bëhet ndarja e partive politike?

Po, mund të bëhet. Por nëse nuk ka marrëveshje, kjo bëhet me vendim të gjykatës (shih nenin 25 të ligjit).

Zjarr Tv Ad