Intervista në Der Spiegel / Rama diferencon Albinin me Vuçiçin

0
35
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Edi Rama nuk lë rast ti shpëtojë për të goditur Albin Kurtin më shumë sesa Vuçiçin. Këtë ka bërë edhe në intervistën e gjatë dhënë për gazetaret Susanne Koelbl et Walter Mayr të revistës gjermane “Der Spiegel”. Po të qëmtohen me kujdes qëndrimet që ai mban për liderin kosovar dhe atë serb, diferenca është e dukshme. Kur pyetet për të dytin ai flet kështu: “Për Kosovën ramë dakord që nuk do të pajtoheshim. Mendoj se Serbia duhet ta njohë Kosovën. Por, Aleksandar Vuçiç nuk mund ta bëjë këtë. Por, të paktën mund të flasim për këtë temë. Dhe ne bashkëpunojmë në projekte si ai i Ballkanit të Hapur” i ka thënë Rama “Der Spiegel”.

Por ndërsa faktin se Vuçiçi nuk e njeh Kosovën e paraqet si normale, kryeministri i Shqipërisë për refuzimin e Albin Kurtit për të mos marrë pjesë në Open Balkan është shumë më i ashpër. Ai thotë se kjo është për të ardhur keq: “Open Balkan është një platformë për këtë dhe mendoj se vëllai im Albin Kurti duhet të përballet me serbët atje. Por, ai e lë mundësinë të kalojë. Kjo është për të ardhur keq”.

Pra konkluzioni është i qartë Albini mund të kritikohet, Aleksandari kurrë.

Ky mund konsiderohej si një lapsus i pavëmendëshëm nëse kjo vijë sjellje e Edi Ramës nuk do të qe një refren i përsëritur.

Në gusht të një viti më parë në një reagim në Facebook, kundër komenteve negative që kanë shkruar shumë lexues kosovarë në drejtim të tij, ai e akuzoi Prishtinën se e ka kthyer dialogun një një monolog patriotik,  dhe se po i përdor bisedimet e Brukselit për politikën e saj të brendshme.

Pasi thoshte këtë kryeministri ngrinte edhe një pyetje: “A mundet të zgjidhet çështja e madhe e njohjes së Kosovës nga Serbia, duke e thelluar më tutje deformimin e madh disavjeçar tashmë në Kosovë, të bërjes së politikës së brendshme të Prishtinës politikë të jashtme të Kosovës dhe anasjelltas”? Pra ai hapur për ngecjen e dialogut fajësonte palën shqiptare.

Një muaj më pas mes Prishtinës dhe Beogradit plasi konflikti për reciprocitetin e targave.

Vuçiç foli dhe veproi si një nacionalist serb. Ai mblodhi Këshillin e sigurisë kombëtare, urdhëroi dërgimin e trupave ushtarake në afërsi të kufirit dhe përdori një gjuhë të ashpër duke i kërcënuar se do të pendohen ata që ndërmorën një veprim të tillë.

Nga ana tjetër Edi Rama përdori gjuhën e një zyrtari burokrat të Brukselit, që qëndron i barazlarguar në mes palëve. Madje Edi Rama reagoi me shumë vonesë, më tepër se 24 orë pasi ngjarjet kishin filluar dhe vetëm pasi tek rivalët politikë në Shqipëri filloi të shtrohej pyetja se pse nuk po flet Tirana zyrtare. Më në fund kryeministri vendosi të cicërojë në Twitter.

Por ndërkohë që presidenti serb fliste për akte kriminale dhe kosovarë që do pendohen kryeministri shqiptar përdori një gjuhë prej ndërkombëtari duke i vënë palët në të njëjtën shkallë fajësie. “Duhet që Kosova të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë, BE të ndërmjetësojë”, shkroi Rama në Tëiter. Ndonëse ai arriti të pohojë që “Kosova e ngre problemin me plot të drejtë” ai nuk shkoi më tepër se kaq.

Po e njëjta gjë ndodhi edhe në qershor 2021 kur qeveria Kurti po diskutonte paditjen e Serbisë për genocidin e kryer në Kosovë. Rama dhe një intervistë për mediat serbe ku refuzoi ta mbështesë këtë nismë. Madje ai e sulmoi atë si të pakonsultuar me partnerët ndërkombëtarë, kur tha: “Ne nuk jemi vetëm në botë. Ne kemi partnerë, aleatë. Vetëm Kosova është një realitet i ri, i cili është rezultat i përpjekjeve të mëdha brenda dhe jashtë Kosovës. Këto ide dhe vendime të shkëlqyera nuk duhet të merren vetëm sepse dikush mendon kështu ose thjesht sepse ne mendojmë kështu, por duhet të bëhen në një rrugë të qartë konsultimi dhe dëgjimi të asaj që partnerët dhe aleatët tanë kanë për të thënë. Unë kurrë nuk kam dëgjuar dikë që e mbështet atë ide”.

Po ti shtosh këtyre edhe qëndrime si ato se e ardhmja nuk ndërtohet me kokën nga e shkuara, se Serbisë nuk mund ti insistohet me ngulm që të kërkojë ndjesë apo së fundi recetat që i jep evropianëve se nuk duhet bërë presion që Vuçiç ti vërë sanksione Rusisë, kuptohet më lehët se në trekëndëshin Tiranë-Beograd-Prishtinë, kryeministri ynë ka vetëm një preokupim: Ta mbajë mirë me Vuçiçin./Lapsi.al

Zjarr Tv Ad