Intervistë/ Flet Dritan Zagani: Çfarë mendova kur u shkarkua Saimir Tahiri

0
1993
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Dritan Zagani, ish-shefi i Antidrogës në Policinë e Vlorës, para 1 jave fitoi azilin politik në Zvicër.  Zagani është një emër i njohur për përplasjet e tij me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Në një intervistë Zagani ka treguar arsyen sepse sipas tij Kryeministri Edi Rama nuk iu përgjigj mediave zviceriane lidhur me rastin e tij.

Zagani ka rrëfyer procedurën sesi fitoi azil politik, situatën e kanabisit në vend, dhe ndjesinë e parë që ka marrë pasi ish-Ministri Saimir Tahiri u shkarkua nga detyra.

Zoti Zagani, Kryeministri Edi Rama refuzoi të përgjigjej kur u pyet nga një gazetar zviceran për rastin tuaj. E patë reagimin e tij? Si t’u duk?

Po, e pashë mbrëmë në një program televiziv këtu ku jetoj.

Si m’u duk thua ti… Unë thjesht mendoj se mashtruesit pasi i dolën gënjeshtrat sheshit për ato që ka shpifur këto tre vite për mua, i mbaruan gënjeshtrat dhe u shmang  ashtu si bën gjithmonë kur s’ka më çfarë të gënjejë.

Ju si gazetarë duhet ta njihni më mirë sepse e ndiqni në gjithë sferat e jetës se si është dhe si gënjen ai.

Si ndodhi që autoritetet zvicerane ju ofruan azil?

E thjeshtë fare. Ndoqa procedurat ligjore si gjithë njerëzit  qe i zë halli që më zuri mua dhe familjen time.

U prezantova për atë që jam dhe situatën që ndodhesha së bashku me familjen… këta më dëgjuan dhe vlerësuan situatën si të drejtë.

Vonoi pak se këta nuk e kishin të thjeshtë pas disa kërkesave të mbushura me shpifje që shteti im i dashur dërgonte herë pas here këtu për ekstradimin tim, dhe pasi vlerësuan faktet dhe situatën më kthyen përgjigje: POZITIVE , duke më dhënë një mundësi të dytë në këtë jetë, por mbi të gjitha për fëmijët e mi që kanë kaluar gjithë atë stres  duke parë e dëgjuar se çfarë shpifën ‘Rilindja’ me shefin e tyre ndaj meje dhe punës sime për një kohë të gjatë.

Pra këtu ka shtet ligjor të së drejtës dhe nuk pyet njeri për të fortët si në vendin tonë, kështu dhe  e drejta fitoi, por kjo është thjesht një betejë, ka akoma për të bërë.

Pas dy vitesh shpërfillje, qeveria shqiptare më në fund ka pranuar problemin me drogën dhe mbjelljet. Ju si mendoni, cili do jetë epilogu i kësaj historie?

Siç e thatë u deshën gjithë këto që ndodhën që këta ta pranojnë realitetin, ndaj unë jam skeptik për këtë situatë, dhe besoj pak që këta që bënë këtë që bënë deri më sot ,do të luftojnë këtë fenomen, sa të jenë këta thjesht do gjejnë forma të reja ta kamuflojnë realitetin, dhe e kanë demostruar që janë mjeshtra ta bëjnë.

Besoj e keni ndjekur situatën si fliste lideri apo edhe ish-Ministri për këtë fenomen, e keni ndjekur mjeshtërinë propagandistike që kanë të fshehin të vërtetën për një kohë realitivisht të gjatë, edhe pse fundi dihet , e vërteta sado të fshihet  do dalë një ditë, por koha që kalon duke e fshehur është thjesht kosto për ne shqiptarët që ëndërruam të jetojmë si gjithë Europa dhe  ajo ditë në vend që të na afrohet përherë e më shumë po largohet falë kësaj politike të mbrapshtë…

Pra unë s’kam besim në një rezultat pozitiv kundër këtij fenomeni që për hir të së vërtetës ekzistonte si fenomen që luftohej nga Policia aq sa mund të bëhej, por sot Rilindja e ka kthyer në një ‘institucion’  dhe që mendon të sundojë  gjatë falë tij, ndaj shpresa është e pakët.

Kur qeveriste PD-ja dhe ju ishit në detyrë ishte problemi i Lazaratit. Mos vallë problemi me mbjelljet është përtej ngjyrave politike? A nuk mendoni se është nevojë për mbijetesë kjo rrugë?

Jo unë nuk e  mendoj si arsye mbijetese. Kjo mënyrë është thjesht përfitim i shpejtë  dhe i pa ndershëm, që tek e fundit nuk sjellë asnjë të mirë të përgjithshme.

Sjell vetëm përfitim për të fortët( duke filluar që me politikanët, trafikantët  dhe gjithë hallkat e lidhura ngushtë në këtë aktivitet të paligjshëm).

Më lartë thashë se fenomeni ekzistonte, hashashin nuk është se e sollën këta në 3 vjet, por një gjë është të ketë fenomen kriminal që e ka mbarë bota, dhe tjetër gjë është që një fenomen i tillë të përkrahet dhe zhvillohet në heshtje nga vetë ata që përfaqësojnë shtetin.

Nuk them që asnjëherë kur isha në detyrë nuk kishte të tilla fenomene, por atëherë i luftoja pa frikë dhe nuk kishte asnjë shef që drejtëpërdrejtë të më sulmonte pse bëja atë që bëja, jo më të mendohej që vetë Ministri apo edhe Kryeministri të bëjnë këtë që u bë këto 3 vjet.

Kjo, me aq sa e njoh unë zanatin dhe botën është thjesht diçka e paprecedentë për kohën që jetojmë. Dhe diçka do doja të përmendja, e ndjek nëpërmjet jush, medias,  jetën dhe realitetin shqiptar.

Një gjë më ka bërë përshtypje, e keni parë Kryeministrin në një takim live diku me fshatarë të jugut që i kërkonin Kryeministrit  rrugë fshati dhe një jetë më të mirë.

E keni parë se si u përgjigj ai në një rast: “Si jeni me hashashin andej nga fshati juaj?”.

Kjo ishte përgjigja e tij për rrugën e fshatit, atëherë çfarë të thotë më tepër një që dëgjon këtë live, dhe mjaft se kjo temë ha aq debat sa do duhej ditë e natë dhe nuk e mbyllim.

Jo se unë jam kushedi kush i zoti, por kjo temë ka aq shumë fakte live saqë habitesh.

Keni pasur një konflikt të ashpër me ish-ministrin Saimir Tahiri dhe rrethin e farefisnisë së tij në Vlorë. Jemi kuriozë të dimë, cila ishte gjëja e parë që menduat kur u informuat për shkarkimin e tij?

Konflikt kam pasur, është e vërtetë, por unë thjesht kam bërë detyrën deri në momentin që Ish Ministri urdhëroi ‘Seimenet e tij politikë’ që të më heqin nga qarkullimi (jeta policore).

Ndaj për këtë njeri kaq të vogël në atë gjë të madhe që përfaqësonte, nuk kisha se çfarë të ndjeja tjetër veçse një përbuzje për atë që bëri këto 3 vite në detyrë.

Mendimi i parë që më erdhi ishte që tani më duhet të ruhem më shumë nga ligësia që ai ka në dispozicion dhe posedon, sepse sipas asaj që mendoj unë ai përsa kohë ishte në detyrë nuk i interesonte shumë e keqja ime, tani po. Prandaj përveç përbuzjes që ndjej për të si personazh, duhet të bëj kujdes më tepër se ai nuk është nga ata që ka shumë burrëri për asgjë.

E keni menduar kthimin në Shqipëri?

E mendoj në çdo moment të jetës time deri në këtë çast që flasim. Për të ardhmen siç e shikoj situatën nuk di ç’të them, koha do ta tregojë.

Zjarr Tv Ad