Ish deputeti i PD shpall kandidaturën për primaret në bashkinë më të rëndësishme pas asaj të kryeqytetit…

0
105
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, shpalli këtë të hënë kandidimin për primaret në bashkinë e Durrësit.
Gjatë prezantimit të bërë nga selia blu, Cara deklaroi se qyteti i Durrësit duhet t’i kthehet qytetarisë dhe se ai hyn në garë për të fituar dhe për ta bërë realitet diçka të tillë.

Durrësi ka nevojë për ndryshim. Durrësi ka nevojë t’iu kthehet qyetarëve dhe qytetarisë. Këtë e ndiej në takimet e përditshme me ju, në thirrjen tuaj për t’i paraprirë ndryshimit”, tha Cara.
Të nderuar demokratë,

Të dashur bashkëqytetarët e mi!
Jetoj dhe punoj çdo ditë me familjen time të vogël dhe të madhe në Durrës, duke ndarë me secilin prej jush bukurinë që Zoti i ka dhënë këtij qyteti e shpirtin plot me dashamirësi të qytetarëve të tij.
Si durrsakë, me shumë prej jush na lidhin kujtimet e fëmijërisë, rinisë e universitetit, na lidhin ditët e vështira të viteve `90 ku bashkë u bëmë pjesë e atij shpërthimi uragan që rrëzoi statujat e regjimit, i cili duket që në 30 e ca vite u transformua dhe komplikua për të mbërritur këtu ku jemi sot.

Njoh çdo rrugë e rrugicë, ku sot bashkëjetojmë me dhjetra mijera njerëz të mirë që zgjodhën Durrësin për të jetuar e ngritur punët tyre, njoh dhe përshëndes nga mëngjesi në mbrëmje bashkëqytetarët e jam pjesë e ditëve me gëzim e hidhërim që jeta sjell për secilin nga ne.
Jam në PD që në ditët e para të saj, duke kontribuar, përfaqësuar dhe mbajtur përgjegjësi, si pjesë e kësaj familjeje të madhe politike që, siç ka treguar historia, ka qenë dhe mbetet jetike për fatet e vendit.

Falë mbështetjes suaj kam përfaqësuar dy herë Durrësin, si deputet i PD në Kuvendin e Shqipërisë, duke i qëndruar besnik, si në çdo angazhim timin publik e politik, parimeve të mia dhe të subjektit politik që më besoi, duke mbajtur qëndrime në momentet më delikate.
Koha më tregoi që kam pasur të drejtë.
Sot, kryefjala që më bashkon me secilin nga ju është Durrësi, i cili prej vitesh ndodhet në udhëkryq, ka humbur identitetin e tij dhe rrezikon më të keqen, të çbëhet tërësisht.
Durrësi është një qytet i veçantë, ku antikiteti dhe vija bregdetare krijojnë mundësi ta shndërrojnë në një qendër të rëndësishme tregtare, në nivel rajonal dhe europian.

Do të mjaftonin resurset e tij, për të afruar dhe jo larguar të rinjtë, por e vërteta është ajo që njohim të gjithë.
Masakra urbane ka shkatërruar arkeologjinë dhe natyrën, duke nisur nga qendra historike, deri në periferi. Një strategji që ka sjellë pasoja të pariparueshme, duke fshirë dhe simbolikat e tij europiane.
Durrësi është sot pothuaj i pajetueshëm.
Projektet, në emër të zhvillimit, po i marrin frymën qytetit, i cili po tkurret dita-ditës, në të gjitha kuptimet e fjalës.
Masakra urbane e Durrësit është shembull konkret se si mund të shkatërrohet një pasuri natyrore dhe historike, si babëzia e lejeve dhe betonit solli një model korruptiv që nëpërkëmbi dinjitetin dhe mirëqënien e secilit prej nesh, por dhe një dëm për të cilin historia dhe brezat do të na gjykojnë.

Ky tjetërsim dhe deformim i qytetit nuk ka ardhur rastësisht, ka përgjegjës me emra konkretë. Çdo banor i Durrësit është i vetëdijshëm për këtë realitet, me të cilin përballet në përditshmëri dhe që i kushtëzon jetesën. Në këto kushte, qindra familje të dëshpëruara dhe pa rrugëdalje shohin si të vetmen zgjidhje emigrimin.
Të dashur miq,
Durrësi ka nevojë për ndryshim, Durrësi ka nevojë t’i kthehet qytetarëve dhe qytetarisë!
Këtë e ndjej në takimet e përditshme me ju, në thirrjen tuaj për t’i paraprirë ndryshimit. Në bashkëbisedimet me miq, intelektualë, pedagogë, mjekë, mësues, bujq, biznesmenë, pensionistë dhe të rinj shoh mbështetjen për të punuar së bashku për ndryshimin.
Sot eshte 14 nëntori, një datë kuptimplotë në historinë e qytetit tonë. Një datë simbolike, që përfaqëson çlirimin e tij nga pushtuesit e huaj, 78 vite më parë.

Rastësisht sot përkon dhe me ndarjen e një vendimi të rëndësishëm me ju.
Me besimin në Zot, në respekt të çdo bashkëqytetari e demokrati, me dëshirën e mirë, me vendosmërinë dhe përgjegjësinë e një njeriu që prej vitesh kontribuon në politikë, me energjinë e duhur, pas një reflektimi të thellë, kam marrë vendimin për të kandiduar në primaret për Kryetar të Bashkisë së Durrësit.
Në këtë garë të gjithë jemi bashkëkandidatë.
Durrësi më shumë se kurrë, ka nevojë për ndryshim dhe koha është tani! 
Kam bindjen e plotë se Durrësi duhet dhe do të jetë qyteti i të gjithëve!
Ky qytet meriton më shumë, qytetarët e tij meritojnë më shumë!

Duke besuar dhe vlerësuar mbështetjen tuaj, ju ftoj të bëheni pjesë e këtij ndryshimi, i cili nis sot nga këtu, në emër të së sotmes dhe të ardhmes sonë, por mbi të gjitha të fëmijëve tanë! Ju faleminderit!
Kujtojmë se më herët deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi shpalli kandidaturën për primaret në një bashki tjetër të rëndësishme të vendit siç është Elbasani.

Zjarr Tv Ad