Kanali i Korfuzit e “Agon Channel”: paralele trishtuese e sërish një propozim

0
35
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

GENC POLLO

A) INCIDENTI I KANALIT TË KORFUZIT, 1946

1-Ngjarja

Në vitin 1946, marina jugosllave me kërkesë të Enver Hoxhës vendosi mina detare në Kanalin e Korfuzit. Anije luftarake britanike ndeshën në këto mina e si pasojë mbytet njëra syresh, humbasin jetën 84 marinarë, veç të plagosurve e dëmeve në anijet e tjera.

2-Motivi

Enveri e bëri këtë jo thjesht për t’u mbrojtur nga britanikët, deri dje aleatë e aktualisht kundërshtarë, të cilët nuk kishin plane zbarkimi e invazioni. Më shumë ai donte t’i jepte Titos prova besnikërie e devocioni meqë pushtetin personal në parti e më pas në shtet ia dedikonte atij.

3-Gjyqi

Incidenti u gjykua në Hagë, në të porsaformuarën Gjykatë Ndërkombëtare të Drejtësisë me kërkesë të Tiranës e Londrës. Gjykata në vitin 1949 e gjeti Shqipërinë në shkelje të ligjit ndërkombëtar (nuk kishte njoftuar për minimin) dhe e urdhëroi të paguante 844 000 sterlina dëmshpërblim (sot të indeksuara janë afro 46 milionë Euro).

4- Reagimi

Enveri refuzoi të paguante dëmshpërblimin, shpalli mosnjohjen e vendimit të Gjykatës së Hagës dhe filloi kursin e izolimit nga Europa e lirë që do të vijonte më vonë me izolimin edhe nga kampi sovjetik.

5-Pasojat

Britania nuk e njohu diplomatikisht Shqipërinë e sekuestroi në Berlin arin shqiptar të grabitur nga Wehrmachti. Marrëdhëniet diplomatike me Londrën u rivendosën nga qeveria demokratike në vitin 1992; dëmshpërblimi u zgjidh pak vjet më vonë me një pagesë simbolike dhe ari iu kthye Shqipërisë.

B) INCIDENTI

“AGON CHANNEL”, 2015

1- Ngjarja

Në verë 2015, Kryeministri Rama deklaron se stacioni televiziv i porsalançuar “Agon Channel”, “financohej nga para të zeza” pa dhënë prova për këtë. Pak javë më vonë një prokurore e një gjyqtare, gjithashtu pa prova, vendosën sekuestrimin e stacionit televiziv, pronë e biznesmenit italian Francesco Beccheti duke e çuar në falimentim e mbyllje.

2-Motivi

Sipas gjasave, Rama u nxit edhe nga armiqtë italianë të Becchetit e nga konkurrentët televizivë të tij në Tiranë. Por edhe pa këta dëshira e tij për të eliminuar një TV të pavarur e të vetmin me redaksi kritike ndaj qeverisë do të kishte mjaftuar e tepruar.

3-Gjyqi

ICSID, një tribunal arbitrazhi në Uashington DC, e themeluar në v.1966 pranë Bankës Botërore, para dy javësh përfundimisht e gjeti qeverinë në shkelje të traktateve në çështjen ‘Agon Channel’ dhe përcaktoi një dëmshpërblim prej 110 milionë Euro. Rama e kishte mohuar publikisht humbjen e çështjes dhe qeveria kishte paraqitur apelime pa kuptim e shans (ndërkohë që fatura e avokatëve të saj shkon afro 5 milionë Euro).

4-Reagimi

Rama shpalli mospëlqimin e tij ndaj vendimit, aludoi për mospagim të dëmshpërblimit dhe sinjalizoi se Shqipëria do të revokonte anëtarësinë në ICSID. Ndërkohë gazetarë investigativë kanë gjetur se 110 milionët janë parashikuar në buxhet.

5- Pasojat

Është ende herët të flitet se çfarë do të ndodhë pasi kërcënimet e Ramës mund të jenë boshe dhe shërbejnë për të larguar vëmendjen nga problemi real deri sa të plasë skandali i radhës. Por nëse vërtet bën atë që tha atëherë mund të imagjinohen konfiskimet në llogaritë evropiane të Albcontrol-it e të ambasadave tona.

Ndërkohë që largimi nga ICDIS do të thotë dëm i jashtëzakonshëm i reputacionit të Republikës dhe izolim ndaj investimeve të huaja. Shënim: Shqipëria e vitit 2023 nuk është krejt njëlloj me atë të vitit 1946; jo vetëm konteksti ndërkombëtar është i ndryshëm, por edhe regjimi autoritarist-personalist aktual nuk ka mundur të shuajë të gjitha vatrat e lirisë dhe vektorët e disensit politik. Megjithatë, ngjashmëria mes dy incidenteve është domethënës. Si në vitin 1946, ashtu edhe në vitin 2015, motivi i veprimit ishte ruajtja e forcimi i pushtetit personal të shefit të qeverisë. Por në dallim nga plot veprime të tilla, që në fakt janë pothuaj rutinë në histori dhe që dhunojnë vetëm normat e brendshme, në këto dy raste u shkel ligji ndërkombëtar.

Pasojat në këto raste janë shumë më të rënda dhe bien mbi popullin duke filluar nga taksapaguesit si dhe mbi vendin duke i cenuar të tashmen e të ardhmen në shumë mënyra. Dhe nuk është e thënë që ky cikël maniakësh e të papërgjegjshmish të ndërpritet vetvetiu. Kjo ndërprerje mund të ndodhë kur pasojat e veprimit të bien personalisht mbi vendimmarrësit maniakë e të papërgjegjshëm. Duke filluar me pagesën nga xhepi të një pjese të 110 milionë eurove të “Agon Channel”.

Zjarr Tv Ad