Pas seancës së sotme plenare, Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi, i është drejtuar me një shkresë zyrtare Kryetares së Kuvendit, duke e krahasuar sjelljen e mazhorancës me ato të diktatorit të Koresë së Veriut, Kim Jong.
Bardhi i drejtohet Kryeparlamentares Nikolla se pengimi i deputetëve të opozitës që të futen në zyrat e tyre në Kryesinë e Kuvendit, apo prezenca brenda sallës së seancës plenare të rreth 60 punonjësve të Gardës së Republikës, është në shkelje të Rregullore së Kuvendit.
Ai thekson se kjo sipas tij, e ka shndërruar Parlamentin në sallë të Gardës së Republikës, duke intimiduar deputetët e opozitës me forca sigurie.
Teksa ka renditur sipas tij ato të drejta që i janë mohuar opozitës, Bardhi thekson se “mazhoranca po tenton të krijojë një Parlament njëpartiak, antidemokratik, autoritar dhe që dhunon hapur të drejtat e pakicës parlamentare”.
“Përmes mohimit të të drejtës kushtetuese për kontroll parlamentar të Qeverisë, mosshqyrtimit të projektligjeve të deputetëve të opozitës, mohimit të të drejtës për të marrë përgjigje nga organet ekzekutive për çështje në interes të qytetarëve, apo mohimit të të drejtës për të caktuar ajo përfaqësuesit e vet në komisionet e posaçme parlamentare, praktikisht mazhoranca juaj po tenton të krijojë një Parlament njëpartiak, antidemokratik, autoritar dhe që dhunon hapur të drejtat e pakicës parlamentare” – shkruan Bardhi.
Në fund të letrës së tij Bardhi shkruan se “intimidimi me forca sigurie i deputetëve të opozitës, është një veprim që edhe Koreja e Veriut dhe vetë Kim Jong-un do ta kishte zili”.
Sipas dokumentit, shkresa drejtuar Nikollës është vënë dhe në dijeni të trupit diplomatik në Tiranë.