Kapet pas afro katër vitesh në arrati, autori i masakrës me tre të vdekur në plazhin e Vlorës.

0
1705
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kapet pas afro katër vitesh në arrati, autori i masakrës me tre të vdekur në plazhin e Vlorës, e ndodhur në korrik të vitit 2013, ku në vendin e njohur si “Kalaja”, mbetën të vrarë 18- vjeçari Serdi Bajlozi, 34-vjeçari Sokol Isufaj dhe 53-vjeçarja Diana Ademi.

Delin Hajdaraj, 26 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar me burgim të përjetshëm, u vu në pranga mbrëmjen e djeshme, në bashkëpunim mes policisë së Vliorës dhe forcave Renea.

Prangosja e tij u bë rreth orës 20:30 të mbrëmjes së të enjtes, në katin e katërt me qira të një pallati në lagjen “Ujë i Ftohtë”, Vlorë.

Hajdaraj, rezultonte i shpallur në kërkim për ngjarjen e ndodhur në 28 korrik të vitit 2013, ku në bashkëpunim me 23- vjeçarin Leo Osmeni, i arrestuar më herët dhe i dënuar me 35 vite burg, në lagjen “Ujë i Ftohtë” në plazhin e Kalasë, kanë qëlluar me armë zjarri automatike model 56, në prezencë të pushuesve të tjerë, ku mbetën të vrarë Diana Ademi, Serdi Bajlozi dhe Sokol Isufaj.

Policia e Vlorës, duke patur parasysh rrezikshmërinë shoqërore të tij, ka kërkuar ndihmë nga Forcat Speciale Renea Tiranë, të cilët në bashkëpunim kanë realizuar kapjen e këtij shtetasi të dënuar me burgim të përjetshëm, i cili kishte rreth katër vite në arrati.

Policia dispononte informacion se i riu strehohej edhe në dy banesa të tjera me qira brenda në qytet.

Banesat, i mbante me qira që prej muajit gusht të vitit 2016 dhe i përdorte për ti shpëtuar ndjekjes së policisë së Vlorës.

Pas ndërhyrjes dhe neutralizimit të personit nga Forcat Speciale Renea, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij në zonën e “Plazhit të Vjetër” Vlorë, policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri të llojit Pistoletë TT, një silenciator, një krehër të mbushur me fishekë, 37 copë fishekë në total, të kalibrit 7.62 mm dhe dy aparatë celularë.

I riu rezultonte i dënuar me burgim të përjetshëm, për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese, e kryer në bashkëpunim”, ndërsa në ngarkim të tij materialet i’u referuan Prokurorisë së Vlorës për veprën penale “Armëmbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

 

Gjatë masakrës , plumbat e një automatiku Kallashnikov u morën jetën tre personave, Sokol Isufajt, 34 vjeç nga Roskoveci i Fierit, Diana Ademit, 53 vjeçe, e cila ishte kthyer nga Gjermania për pushime dhe 17-vjeçarit nga Përrenjasi, Serdi Bajlozi, i cili ndodhej në Vlorë për pushime tek halla bashkë me motrën e tij.

Asnjëri prej tre viktimave nuk ka qenë në shoqërinë e njëri-tjetrit, por janë gjendur rastësisht pranë njëri-tjetrit. Serdi ishte duke u larë pranë bregut të detit, Diana ishte duke fjetur në shezlong dhe Sokoli duke pushuar në çadër.

Zjarr Tv Ad