Partia Demokratike ka reaguar sot në lidhje me atentatet që kanë tronditur këto orët e fundit vendin tonë, ndërsa i bën thirrje Policisë së Shtetit që t’i kthehet detyrës. Në një dalje për mediat, Shefi i Organizimit në PD, Klevis Balliu pohoi se ministri i Brendshëm Bledi Çuçi duhet të bëjë gati një plan masash, ose në të kundërtën të japë dorëheqje.
DEKLARATA E PLOTE:
Katër jetë janë humbur në harkun e 24 orëve në qytetet e Shqipërisë.
Katër të vdekur në vrasje e atentate, që i shtohen një statistike të mynxyrshme të kësaj vere. Por kur shkon përtej statistikës dhe vetë vrasjeve, kupton se diçka më e thelle e kërcënon Shqipërinë.
Pazotësia, pafuqia, përtacia, paqartësia dhe sidomos inkriminimi i kësaj qeverie në raport me rendin dhe sigurinë. Shihni Elbasanin, qytetin e Taulantit që kërkon një post, me dy vrasje.
Shihni Vlorën, qytetin ku kryevezir është Edi Rama, me 2 të vrarë lehtësisht, si të ishin një porosi nga menyja e drekës.
Shikoni Ksamilin, një xhep të vogel, që në çdo kohë mund ta mbajnë nën kontroll 2 policë, tek futet në hartën e krimit, pasi policia e Çuçit është gjithkund, por jo aty ku janë problemet.
Partia Demokratike bën thirrje që Policia t’i kthehet detyrës dhe Ministri i Brendshëm të shpallë një plan veprimi konkret kundër gjakderdhjes ose të japë dorëheqjen!
Ndërkohë që mbështesim dhe vleresojmë punën e qindra uniformave që bëjnë çmos për trafikun, rendin dhe qetësinë, ne besojmë se puna e tyre dhe dashuria për atdheun, falimentohet çdo ditë nga shefat e lidhur me qeverinë dhe krimin.
Është koha që, si dora vrastare e krimit ashtu dhe rënia e lirë në të cilën ka lënë qeveria Rama rendin dhe sigurinë, të ndalen me çdo kusht.
Kur numri i vrasësve “të ikur në drejtim të paditur”, është i barabartë me numrin e të vrarëve, përgjegjës më shumë se bandat, është qeveria.