Këshilli Evropian i kërkon Kosovës heqjen e tarifave dhe luftë kundër korrupsionit

0
6
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Këshilli i ministrave të Bashkimit Evropian, i bëri thirrje Kosovës që të heqë tarifat ndaj mallrave serbe, të vazhdojë bisedimet me Serbinë dhe të luftojë me vendosmëri korrupsionin.

Këto thirrje janë pjesë e përfundimeve të Këshillit për Çështje të Përgjithshme në Bashkimin Evropian, i cili diskutoi të martën në Luksemburg çështjen e zgjerimit të bllokut.

Përfundimet e Këshillit Evropian për Kosovën

Në përfundimet e Këshillit shprehet keqardhja e thellë me “vendimin e qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifat të njëanshme prej 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në nëntor të vitit 2018, në kundërshtim me Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore dhe frymën e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”. Këshilli nënvizon se “ky vendim pengon bashkëpunimin rajonal dhe duhet të tërhiqet menjëherë”.

Ndërsa mirëpret miratimin e ligjeve të rëndësishme në fushën e sundimit të ligjit dhe reformave administrative, Këshilli thekson se “korrupsioni dhe krimi i organizuar duhet të trajtohen me vendosmëri. Këshilli mbetet i shqetësuar me ndërhyrjet politike dhe rekrutimet jomeritore dhe i zhgënjyer me emërimin e të dënuarve për krime lufte në pozita zyrtare, gjë që është në kundërshtim me vlerat Evropiane”.

Këshilli rithekson rëndësinë e trajtimit të dobësive në proceset zgjedhore dhe përmend si shembull zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e komunave veriore të Kosovës që u mbajtën më 19 maj, e të cilat siç thuhet, “dëshmuan se pengesat mbeten, përfshirë veprimtaritë para zgjedhjeve që kufizuan përfshirjen e plotë demokratike në zgjedhje”.

Këshilli vë re me shqetësim se “situata e përgjithshme në veriun e Kosovës paraqet sfida të posaçme në fushën e krimit të organizuar, korrupsionit dhe lirisë së shprehjes”.

Këshilli pohon se kërkohet forcim i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare si dhe të pjesëtarëve të pakicës rome.

Këshilli ka vënë re përparimin e Kosovës ne luftën kundër radikalizmit, ekstremizmit dhe terrorizmit. Ai kërkon përpjekje shtesë për të trajtuar financimin e terrorizimit sikurse edhe për rehabilitimin dhe ri integrimin.

Këshilli i bën thirrje Kosovës që të ndërmarrë masat e domosdoshme për t’iu përmbajtur rregullave fiskale, për të shtuar përpjekjet për të luftuar ekonominë joformale, për të trajtuar në mënyrë aktive papunësinë e lartë, sidomos papunësinë e të rinjve dhe grave, për të investuar më shumë në arsim dhe në energjinë e ripërtërishme.

Këshilli i kërkon Kosovës të vazhdojë përkushtimin ndaj Gjykatës së Posaçme për krime lufte dhe të bashkëpunojë ngushtë me Misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

Lidhur me bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Këshilli i kërkon Kosovës të bëjë “më shumë përpjekje dhe të ndihmojë në krijimin e një mjedisi të favorshëm, si dhe të përmbahet nga çdo veprim që mund të përjetohet si provokim”. Këshilli nënvizon se “status quo-ja aktuale është e paqëndrueshme. Është me rëndësi thelbësore që bisedimet të rifillojnë sa më parë që është e mundur. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese, duhet të trajtojë të gjitha çështjet në pajtim me ligjin ndërkombëtar, parimet e BE-së dhe të ndihmojë qëndrueshmërinë rajonale”. Sipas Këshillit, përmbyllja pa zvarritje e një marrëveshjeje të tillë është thelbësore për përparimin e Kosovës dhe Serbinë në rrugën e tyre evropiane.

Këshilli kërkon zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, por shpreh keqardhjen se “nuk është shënuar përparim në disa syresh, “përfshirë përgatitjet e statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, zbatimin e plotë të marrëveshjes për ‘menaxhimin e integruar të kufirit’, si dhe të marrëveshjes për energjinë. Këshilli është i zhgënjyer me mos hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë”.

Në fund, Këshilli thekson se e di rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, një proces që është mbështetur nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian. “Vendimi për propozimin është duke u shqyrtuar nga Këshilli”, thuhet në përfundimet e tij.

Në Prishtinë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj shprehu besimin se tarifat nuk do të pengojnë proceset integruese për Kosovën dhe liberalizimin e vizave.

“Tarifa është një problem me marrëdhëniet me të gjithë, ndikon por kjo nuk është kushtëzuar me tarifë. Ne i kemi dhënë mundësitë si të dalim nga kjo gjendje. Jo që nuk është zbeh ‘përhajëri’ për liberalizimin por po afrohet dita që do ta marrim lajmin për vizat i cili na takon”, tha ai.

Njohës të integrimeve evropiane thonë se Kosova vazhdon të mbetet një nga vendet që nuk po i përmbush kriteret e kërkuara për integrim evropian dhe sfidë kryesore mbetet trajtimi i rasteve të korrupsionit.

Demush Shasha nga Instituti i politikave evropiane të Kosovës, EPIK, tha për Zërin e Amerikës se Këshilli vë re edhe mungesën në tërësi të vullnetit politik për të zbatuar reformat dhe për të shënuar përparim posaçërisht në luftën kundër korrupsionit.

“Kosova nga të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor është i vetmi vend që vlerësohet që është në stadin fillestarë të procesit të anëtarësimit sa i përket kapitullit 23 dhe 24, ku përfshihen çështjet e sistemit gjyqësor, luftës kundër korrupsionit, luftës kundër krimit të organizuar”, tha ai.

Zoti Shasha thotë se arsyet kryesore që Kosova vazhdon të mbetet më së keqi në rajon është edhe mungesa e vullnetit për të depolitizuar sistemin e drejtësisë.

“Ne ende nuk kemi asnjë rast të vetëm të përfunduar në gjykatë sa i përket korrupsionit të nivelit të lartë. Prandaj kjo është një pengesë që nuk ka rrugë të shkurtë, nuk mund të adresohet me kreativitet ose deklarata politike, është diçka që kërkon një përkushtim serioz politik për të depolitizuar fillimisht sistemin gjyqësor dhe më pastaj t’i lihet sistemit të drejtësisë të tregojë efektivitet në adresimin e korrupsionit të nivelit të lartë”, tha ai.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të kritikohet për mos ndëshkimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë.

Ambasadorët perëndimorë në Kosovë kanë shtuar kritikat kohëve të fundit ndaj institucioneve të vendit për emërimet në poste të ndryshme dhe për mungesë të rezultateve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 

Zjarr Tv Ad