Koronavirusi në Shqipëri, deklarata e OKB: Po punojmë me autoritetet, jo panik

0
57
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ekipi i agjencive të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri bëri një deklaratë të martën lidhur me përhapjen e koronavirusit në Shqipëri.

Sipas deklaratës së OKB, “Situata kërkon nga të gjithë qytetarët që të ndjekin udhëzimet e dhëna nga autoritetet shëndetësore. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet respektimit të këshillave të higjienës dhe në rast shqetësimesh të kontaktohet me numrin e urgjencës shëndetësore 127”.

Ndërsa lidhur me masat e marra nga qeveria thekson se “masat që janë marrë nga Qeveria janë të nevojshme për të frenuar përhapjen e virusit. Në këtë situatë, me rastet e para të COVID-19 të konfirmuara në Shqipëri është normale që njerëzit të shqetësohen, por për sa kohë që aplikohen masat e këshilluara, nuk ka arsye për të panikuar”, thuhet nga deklarata e OKB.

Në deklaratën e agjencive të OKB në Shqipëri, jepen dhe disa rregulla që duhet të zbatohen për mbrojtjen nga Koronavirusi. 

Sipas udhëzimimeve të OBSH-së, OKB Shqipëri këshillon si më poshtë:

INFORMOHUNI: është shumë e rëndësishme që njerëzit të marrin të gjithë informacionin e nevojshëm në lidhje me sëmundjen, mënyrën se si transmetohet virusi dhe si mund të mbahet në kontroll.

TREGONI KUJDES: Tregoni kujdes, por mos u përfshini nga paniku. Mbroni veten, familjen tuaj dhe të tjerët nga infektimi dhe nëse keni temperaturë dhe kollë kontaktoni autoritetet e shëndetit për të marrë ndihmën e nevojshme.

JINI VIGJILENT: Përdorni informacionin që keni marrë për të parandaluar marrjen e rreziqeve të panevojshme që mund t’ju ekspozojnë ndaj virusit.

JINI TË SJELLSHËM: Tregoni mirëkuptim dhe jini të sjellshëm me njerëzit e tjerë. Askush nuk dëshiron të infektohet, por nëse kjo ndodh, bëhuni mbështetës dhe dashamirës ndaj situatës së një personi tjetër. Të drejtat e secilit duhet të respektohen. Në të njëjtën kohë sigurohuni që të merren të gjitha masat mbrojtëse.

Zjarr Tv Ad