Kronika satirike/ Gjekmarkaj zbardh fjalimin sekret të Babos në Asamble: Zuzare, zorzope! Të kam shkarkuar Damo, e ke shndërruar akademinë e partisë në akçihane

0
296
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Agron Gjekmarkaj

Pjesa e dytë e fjalimit sekret që Babo mbajti në Asamble !

Pizevengjër, zuzarë, teveqelë!

Vite më parë kur ju kam njohur përshtypje të madhe më kanë bërë dhembet tuaj çatall diku si rrasa varri në lendinë, tjetër kund si gur mulliri ndanë një përroi. Tani të gjithë e keni urbanizuar e rilindur gojën, i keni lëmuar e mprehur dhe me ta po kafshoni kudo në veri në jug, në breg, në fushë në mal aq sa na e keni bërë Spakun si sekretariat partie dhe burgun si kamp verimi. Ju plaçin sytë, ju plaçin. Edhe pse keni lëkurë derri dhembet e mia janë prej ujku dhe para së të më kafshoni mua ju bëj unë fërtele.

Jyrgys Çyrbja ndihej më i begenisur në këtë terror. Atij Babo i kishte dhënë një liske (thupër) dhe më të në dorë ai vët vët kopaniste ndonjë që humbiste fillin e vëmendjes. Pa duke qeshur Eni Xaken po nuk i bëri dora në vend të saj i ngjeshi dy të mira Klevis Xhoxhit bashkë me qortimin -dëgjo aty!

Ndërkohë Babo fliste: ‘Batakçinj, prej ditësh rrini me njëri tjetrin dhe shikoni hartën e botës në cilat vende nuk ka ekstradim. Ziheni kush do të shkojë në Dubai e kush në Paraguai po me këto duar more do ju kap edhe në vrimë të miut po u fshehët. Ministrushet dhe ministrushët e mi shohin filxhan, i kanë mbushur defterët e zyrave me njolla e rrathë kafeje të kthyer, do të na heqë sot do na heqë nesër. Grupi gjithashtu hargaliset do më vërë mua, do të vërë atë. Në djall morë do ju çoj -firauner. Def nga sytë do t’u bëja që sonte po nuk dua t’u jap kënaqësi atyre që thanë se do ju shporr. Iniciativat i marr vetë në këtë vend. Po këtu jemi edhe nesër edhe pasnesër e gjatë është stina. Do ta kujtoni Tepelenën e Bënçën.

Po ju lajmëroj se mos më bëni si Delina që e shkarkova dhe kapej për këmbët e tavolinës. ‘Nuk dua të iki, nuk dua të ik’, pata frikë se plas nga vapa ndaj e shtyva ca ditë që të ketë shoqëri.

Zorzopë!

Në këtë moshë e me kaq eksperiencë nuk besoj që habia do të trokiste përsëri mbi mua. Por gabuar qenkam. Barku juaj si hauret e nëmces s’ka fund e fillim. Ai mbetet labirinti më i madh i bashkësisë. Aty gjendet harta e vërtetë turistike. Ai nuk ka sinore as malore, është i gjithi gropë, teposhte aq sa s’ka Dante e Virgjil me kandil në dorë që merr guximin të kalojë neper të se mbesin pa dritë e thyejnë qafen. Aty ka përfunduar e gjithë Shqipëria. Në atë bankë ka paratë, në atë burg të tashmen.

Qafira!

Mos mendoni se ja hodhët paq. Palestër, do ju bëj, gjimnastikën që nuk jua merr mendja. E mbani mend kur pinit verë lundre nga ajo e hapura dhe kërkonit të me mbushini mendjen se ajo e Beratit është më e mira në Botë? E mbani e mbani ju mos u bëni meit ?! Tani flisni si të stërholluar mendimi për ato të Toksinës dhe Burgonjes po kur t’i kërkoni në meny restorantesh do të gjeni shishen 313 bërë në vreshtat e Drenovës apo të Fierit. Atë nuk do e pi unë, ju do ta pini more qerratenj.

“Deka kapak ari, deka kapak ari” mërmëriste Ulsiu si në kllapi. Babo e dëgjoi dhe ja ktheu edhe ajo do vijë një ditë, por varet në zgjidhni që të mbërrijë me nder apo me turp.

Pandeli Majko ja kishte zili Moisi Golemit që e kishin rrjepur dhe kriposur në Stamboll. Më me fat ai që ra në kasapë profesionistë i fliste në vesh Mimi di Puçini sesa ne të liskosemi nga Çyrbja. Mimia lëshoi një shkundullimë ‘ufff bëëërrrr’. Të keqen mos e thuaj dy herë se alivanoset Etilda.

Zuzarë !

Le të kthehemi te Partia sokëlliu Babo dhe shikimi si rrufe ra mbi Damon. Po ti ç’bën aty i tha ? Hiç ore po rri në mbledhje po dëgjoj si të tjerët ! Hëëm. Hiç ë ? Të kam shkarkuar pra, pështyva u tha dhe je ënde aty të piu e zeza. Dil jashtë! Nuk dua oree tha Damo. Nuk dal. Babo me vrap ju turr. Vrap Damo vrapo Babo neper sallë. Kapeni more të paudhin kapeni more. Nuk më zë njeri me dorë tha Damo unë jam si Vojo Kushi dhe nga dritarja kërceu e ra në pishinë. Nga aty neper bregore zbriti në qytet, i lagur por gjallë.

Veziri i madh Tao i bekuar nga lëvdatat që mori nga Babo fërkoi gushen dhe në latinisht lëshoi maksimën “qua fugiunt hostes via munienda est”. Ju kujtua ajo dite që Babo e lejoji të mbështeste kokën në gjoksin e tij. Atë feston si ditëlindje. Elisa edhe pse u mburr prej tij nuk shfaq gazi në simfoni. Shtatë sekretaret e vegjël ikën nga sytë këmbët. Blerina hoqi takat dhe u ndie më e lehtësuar zbathur. Etjeni në shëndet bëri si bëri paçka se ju mbajt fryma në dy sekonda u ngjit te lapidari në Sauk. Kur qetësia u vendos Babo mori fjalën dhe e tundi përsëri!

Teveqelë!

Akademia e partisë ku është, veprat dhe mendimi i saj ku, idetë për të ardhmen, risitë ?

Ajo nuk funksionon dhe kjo është e rënde. E keni shndërruar në akçihane. Madje i keni dhënë diplomë edhe Safetit. Akademiket Ragip Suli me këmishë të kuqe, Termet levendi, Frida Krifca, Niko Nikoqiri, Bujari i Lushnjes, Ismet Beqiri, Dilo Nasufi, Xhemal Qefalia, Nasip Naço, Tezja dhe Bora ngrinë sikur të kishin një jetë nën akull. Të tjerët u struken. Babo kërkonte me sy Kostën e Gramozit dhe të Linditës si akademik i vërtetë që është po ai virani nuk u gjet.

Për ta pyetur ç’literaturë u ke dhënë? Në Bibliotekë ç’bëjnë? Atëherë Akademinë ja besoi Klosit bashkë me partinë. Ai tha më vete më mirë të më bënte ministër po hajt më mirë një vezë sot se një pulë mot, më mirë se asgjë.

Atëherë kur dukej se Çuçi po nisej për në Had, Babo i thotë dale ku vete ti, eja bëhu kryetar grupi dhe e këshilloi ruhu nga shikimet e ëmbla të Joridës dhe Gaz Bardhit se nga ai që shkruan s’ të vjen ndonjë e keqe se ai aq di aq thotë, për një qyfyre djeg jorganin. Po nga Luli pyeti Bledi? Jo jo ai është yni, shkëmbe shikime me të, djali tënd ay, shyqyr që e kemi evlanë. Mbledhja u mbyll me një propozim të Arben Pëllumbit që gjet miratimin e Babos “ secili prej nesh të vijë me propozime konkrete vetëndëshkimi, si akt ndaj Babos , partisë dhe popullit se kështu po e lodhim po e plakim që na shoftë mortja na shoftë”.

Zjarr Tv Ad