Kronikë ëndrrash mashtruese plot makth

0
22
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

NGA AGRON GJEKMARKAJ

Festat kaluan, po lanë pas çudira. Na pushtoi tahmaja e të ngrënit, ajo lubi që plot rrengje i punon njeriut të gjorë. I pari e pëson gjumi nga i cili dalin uturima si zhgalitje muri. Ëndrrat përziejnë të shkuarën me të ardhmen. Dy të tilla me shënjuan ndërrimin e viteve me ndonjë gromësimë në mes si ndarje epokash. Njëra me personazh kryezëvendës liderin Muli dhe tjetra me Babon. E para kishte temë partinë, bashkimin, e dyta qeverinë, performancën dhe inteligjencën artificiale. U poqëm me Mulin ndanë një strehe që të mos lageshim nga shiu. Ai erdhi i menduar siç i ka hije. Dy rrudha koha me derte ia kishte qëndisur mbi ballë. U përqafuam me mall si dy luftëtarë lirie pas beteje. Nga një duhan drodhëm. Pas një pauze të nevojshme që mendimet të shndërrohen në fraza si belcia që del raki filluam muhabenë. Regjimi tha na izoloi Doktorin, demokracia është në tërheqje, opozita nën agresion, duhet bashkim, dilemat janë oportunizëm dhe shkelje syri ndaj kreut të meduzës. Ndonëse më sëmboi diçka në gji, miratoja me kokë. Fola unë pas një copë here: ne kemi qenë të gjithë vartës të Doktorit padrejtësia ndaj të cilit na dhëmb, madje krejt Shqipëria, ti e di edhe të Lulit.

Kur na tha ai, e bëmë hasha, dhe mirë qamet kemi bërë. Po ja tani kur të vijë aty, kam një merak kë do kem shef, kush do mi përgatisë deklaratat që do lexoj, kush do ma masë performancën, cili do më qortojë për gabimet e kush do më lëvdojë për sukseset? Gjithmonë kam pasur dëshirë të jem vartës i Banës. Po nëse ajo s’ka nge, së paku i Aldos ose Akilit, se Oerdi me Luçon janë më nopranë, ata me zor pranojnë dhe ofiqin si kryezëvendës lider që historia ta skaliti. Jo, jo mos e ki atë hall më dha siguri. Ti do t’i marrësh direktivat drejt e nga Doktori si Salianji, si dikur Abat Doçi nga Papa, nëpërmjet meje që s’ta kam me hile (psherëtiva, këtë e di i thashë nën zë). Ndërsa për grupin e mesit vazhdoi – do caktojmë një komision 6-mujor monitorimi e ndërlidhjeje të udhëhequr nga zonja Kalaja, zonja Edhit dhe zonja Garo, që të integrohen natyrshëm dhe pa stres. Po e bëjmë sefte me një fraksion i thashë e pastaj shohim rrugës. Ndërhyri: Kush ia ka parë hajrin pakicës, bëhu pjesë e shumicës së shëndoshë më këshilloi dhe iku befas ashtu siç kishte ardhur. Barkun e ndieja të rëndë, fyti më ishte tharë. Shyqyr m’u gjend aty afër një sapllakë me ujë dhe ia qita fundin, si turbinë e tërhiqja. U solla u mbështolla e më zu prapë i ziu gjumë. Po një tjetër ëndërr ra mi mua. Më ngjau se isha në zyrë dhe më ra telefoni. Të kërkon Babo me xhebral më thanë. Po, hazër jam, u gjegja! Më morën ca zaptie dhe më shpunë në një konak, ku në një shilte të madhe, me brandaveke veshur, një çallme në kokë, tespie në dorë si sulltan rrinte Babua. Hajër Padishah, bëma kabull se nuk di pse më ke thirrur?! Ai nuk foli menjëherë, po trazonte xhezven mbi zjarr dhe dikur më pyeti si t’u duk promocioni i inteligjencës artificiale të vitit 2030?

Nuk po kuptoja, ambienti ishte si i 1453 pyetjet për 2030. Punë ëndrrash hesapi. Mblodha veten. Po ç’të them, u përtypa, birinxhi, gëzim i madh qe, e fjalët janë të varfra për ta shprehur. I kam ca pyetje nga aktualiteti, por edhe për motet në vazhdim. Hajër Padishah! E kam pasur një si mërzi, një si re në kokë për këtë Tezen, bile më pat dalë njollë edhe në filxhan, po tani m’u vërtetua. Nuk ndërhyra, e lashë të vazhdonte. Nuk u besova syve ku për 10 milionë turistët ajo falënderonte stafin e asaj palo ministri që e kam për hudhër. Po rilindja urbane, po samitet dhe intervistat, hokat e qyfyret, pjatat me fytyrën time që iu dhurova liderëve, atë që Mamica e tha më mirë se kushdo.

Zjarr Tv Ad