Disa javë më parë një foshnje 6 muajshe u mbyt nga tymi në banesën ku jetonte bashkë me gjyshen dhe të emën. Historia është pak a shumë kështu. Nënë e bijë nuk kishin të ardhura mjaftueshëm për të paguar faturat e energjisë elektrike dhe shteti rilindas ua ndërpret energjinë dhe i lë në errësirë të plotë. E gjendur në errësirë gjyshja ndez një qiri të cilin harron ta shuajë dhe përgjumet. Nëna e foshnjes nuk gjendej në shtëpi dhe ndodh ajo që nuk duhet të ndodhte. Shtëpia merr flakë dhe mushkëritë e brishta të foshnjes nuk ia dalin dot t’i bëjnë ballë tymit.
Kufomat e dritës janë aq të shumta në këtë vend sa mund të krijohet një memorial për ta. Burra që kanë përfunduar në burg për një faturë dritash dhe janë vetëvarur ngaqë varfëria i ka vënë poshtë.
Procesi i kufomave të dritave nuk mbyllet veçse me një burrë që vetëvaret. Nga një bisedë me një psikiatre për fëmijë, rezulton se shumë fëmijë paraqiten me probleme pas procesit të ndërprerjes së energjisë elektrike, pasi tragjikja e të rriturve do të përcillet pashmangshmërisht dhe te fëmijët. Rasti më tragjik i kufomave të dritës ka qenë një grua,me dy binjakë burri i së cilës kishte vdekur prej ca vitesh. Shkoi të lidhte vetë enegjinë elektrike dhe mbeti e vdekur në vend.
Një grua e moshuar dhe e braktisur gjeti vdekjen disa muaj më parë në ditët e akullta të dimrit, se i ishte prerë energjia elektrike. Pranë saj u gjet veçse një qen.
Para 24 orësh një burrë 48 vjeç ka varur veten në pemë në një fshat në Prrenjas. pasi prej muash i kishin prerë energjinë elektrike. Burri jetonte bashkë me të motrën në kushte varfërie të skajshme dhe ndihmoheshin veçse nga banorët e zonës.
Në majë të kapicës së kufomave të dritës qëndron njē qeveri e majtë. E theksoj fort. Një qeveri e majtë, që në thelb duhet të ketë përkujdesjen për njerëzit në nevojë.
Krejt ndryshe ndodh ama me faturën e inceneratorëve. 91 milionë euro kushton firma e Erion Veliajt për një incenerator inekzistent. Në këtë rast kryebashkiakut nuk i ndërpritet as mandati dhe as liria. Përkundrazi, ai del krejt i shpenguar pranë ambasadores amerikane, që është shumë e shqetësuar për korrupsionin në Shqipëri dhe i rrëfen popullit shqiptar përralla me drejtësi.
Fatura e inceneratorëve në ndryshim nga fatura e papaguar e dritave nuk të ndëshkon. Fatura e inceneratorëve të jep të drejtën të blesh të gjitha mediat në vend dhe të dalësh para shqiptarëve ( pasi u ke vjedhur miliona euro) si shpëtimtari i tyre dhe si e vetmja mundësi për të qeverisur të ardhmen e ndritur.
Post Scriptum- Dikur pata lexuar një dialog krejt interesant mes një nxënësi dhe një mësuesi;
– Mësues do të më pëlqente të dija si jetojnë peshqit në det.
– Peshqit në det jetojnë si njerëzit në tokë.Më të mëdhenjte hanë më të vegjlit.
Elona Caslli