Kuvendi miratoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Berishës, mbyllet protesta. Ish-kryeministri i falënderon nga selia blu: Kauza e opozitës do të triumfojë!

0
4
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Pas rreth dy orësh para godinës së Kuvendit, mbështetësit e opozitës kanë mbyllur protestën.

Ish-kryeministri Sali Berisha, për të cilin Kuvendi miratoi kërkesën e SPAK për lejimin e arrestimit, në fjalimin para protestuesve u zotua se aksioni i opozitës do të vijojë ndërsa paralajmëroi për protesta edhe para institucioneve të drejtësisë.

“Gjatë këtyre muajve ju keni parë se ne kemi denoncuar me fakte, me dokumente zyrtare, vjedhjet e paimagjinueshme të Edi Ramës dhe qeveritarëve të tij. Të Edi Ramës dhe familjarëve të tij.

Unë e di çfarë ndjen ai kur nga selia e PD paraqitet dokument pas dokument, për abuzimin, për vjedhjet, duke shfrytëzuar pushtetin e tij, që bëjnë anëtarët e familjes.

Por kjo nuk mund të na detyronte ne që të mos i thonim shqiptarëve të vërtetën, se ky shushunjë vjedh me të gjithë tentakulat e tij.

Ne nuk mund të heshtim para aferave që arrijnë në 1 miliard.

Ne nuk mund të heshtim kurrë përpara xhelatëve të ligjit, të të drejtës, në zyrat e shtetit, para skapistëve amoralë, të cilët amnistojnë vjedhje që arrijnë dhe do arrijnë në 1 miliard euro.

Amnistojnë vjedhje që ju kanë kushtuar ju me mijëra jetë.

Amnistojnë vjedhje, për shkak të të cilave çdo muaj, 1 mijë shqiptarë nuk janë operuar dot.

Amnistojnë vjedhje, në të cilat 1 kilometër rrugë, kushton njëlloj si të lahesh në flori, 1 km rrugë kushton 24 herë më shumë se në vendet anëtare të BE.

A mundet ne të qëndronim indiferent ndaj kësa? Jo, kurrë.

Edi Rama, përveç kabinetit, ka krijuar me reformën e Xhorxh Sorosit, organet e drejtësisë si seksione të Partisë Socialiste.

Janë seksione krimi ato që amnistojnë Erion Veliajn, janë seksione krime ato që amnistojnë Ilir Beqajn, janë seksione superkrimi ato që amnistojnë Edi Ramën.

Le t’u themi ne sot këtu se verdikti juaj, verdikti i shqiptarëve nuk do të kursejë asnjërin prej tyre.

U drejtohem sot drejtuesve të degëve, kryesive të degëve, kryetarëve, të gjithë infrastrukturës drejtuese të PD, është koha të mobilizoheni me të gjithë mundësitë dhe forcën, me anëtarësinë tonë, mbështetësit tanë, simpatizantët tanë.

Është koha të bëhemi zëdhënës të atyre që duhet të ngrihen o sot o kurrë për veprim.

Është koha të jemi në krye të atyre, në krye të guximtarëve. Është koha të jemi në krye për t’i udhëhequr ata drejte fitores.

Në qoftë se ne, nuk i udhëheqim ata, nuk i frymëzojmë ata, ne kryejmë aktin e tradhtisë më të lartë ndaj tyre, ndaj opozitës, ndaj Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

Ne jemi shpresa e vetme e tyre.

Në guximin tonë, në trimërinë tonë, në misionin tonë, varet më shumë se nga çdo tjetër, përveç Zotit, fati dhe e ardhmja e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ndaj dhe ju ftoj të vazhdojmë betejën të patundur, të pamposhtur dhe ju garantoj se siç dështoi regjimi i krimit të mposhtë opozitën më 9 shtator, do dështojë sot shumë më më me turp.

Fitorja jonë është e sigurt!”, tha ai.

Më pas Berisha u nis drejt selisë blu, i ndjekur nga deputetët dhe mbështetësit. Nga aty, Berisha mbajti një tjetër fjalim, ku falënderoi protestuesit për praninë ndërsa tha se kauza e selisë do të triumfojë.

“Sot jam më i fortë se kurrë. Harroje! E the që jam pa imunitet, të them se jam më i fortë se kurrë. Më i vendosur se kurrë në mbrojtje të kauzës së drejtë opozitës.

Unë i garantoj shqiptarët se kjo kauzë e drejtë do triumfojë. Se forcë në botë që të mposhtë idealet e demokracisë, nuk ka dhe nuk do ketë.

Se kjo bandë që qëndron në pushtet me lidhjet e krimit, drogës dhe vjedhjes së shqiptarëve, do i ketë kohët e numëruara. Se Edi Rama do përfundojë si gjyshi i tij Enver Hoxha në kalendat e historisë. Se shqiptarët do kenë qeveritarët e tyre, opozitën e tyre ashtu siç meritojnë.

Kjo histori është sot një histori në zhvillim, por nga ana tjetër është një nga historitë më krenarë të popullit opozitar që nuk u mposht nga asgjë, që i rezistoi një korrupsioni transnacional, të pashembullt në historinë e një vendi dhe dëshmon që ka të gjithë energjinë për të mbrojtur vlerat e demokracisë, shtetin ligjor dhe orientimin euroatlantik të Shqipërisë.

Edhe njëherë, gjithçka është ndërmarrë ndaj meje është ilegjitime dhe kjo nuk ka asnjë diskutim. Vendimet nga alfa te omega, janë marrë si hakmarrje e mirëfilltë politike në shkelje të çdo parimi dhe çdo ligji të këtij vendi.

Edhe njëherë u falënderoj për praninë tuaj. Fitore, fitore, fitore!”, tha ish-kryeministri.

Zjarr Tv Ad